“Viktimat” e grabitura janë kryesisht njerëz të moshuar ose gra të pambrojtura.

    380
    Duke treguar detajet dhe mënyrat e përdorura nga xhepistët nëpër autobusët e linjave urbane të qytetit të Tiranës, Qamili nënvizon se linja më e ngarkuar është ajo Kinostudio-Kombinat, Tirana e re dhe Unaza, ku në oraret e pikut ekziston rreziku i vjedhjes pothuajse në çdo urban të këtyre Linjave. Mirëpo, sipas tij, ‘’viktimat’’ e grabitura janë kryesisht njerëz të moshuar ose gra të pa mbrojtura, që bien pre, pasi ndiqen një copë herë nga ‘’profesionistët’’ e linjave urbane. Kjo ndodh sidomos, pasi ata dalin nga arkat e kursimeve, ku marrin pensionet mujore, ose kur tërheqin paratë nëpër llogaritë bankare apo edhe kur shkojnë nëpër Qendra tregtare. Pasi më bëri përshtypje biseda e tij, vendosa t’i drejtoja disa pyetje:
    Kur janë shfaqur xhepistët nëpër linjat urbane të kryeqytetit? 
    Kjo është një mesele që ka filluar shumë kohë më parë. Mbahet mend se qysh para viteve 90-të, nëpër autobusë, sidomos në linjën Kinostudio-Kombinat, bashkë me udhëtarët e përditshëm qarkullonin edhe xhepistët. Mirëpo, para 90-ës, raste të tilla kishte pak, ngaqë opinioni ishte më i ndjeshëm. Ndërsa ndëshkimi ishte më i madh. Prandaj fenomeni i vjedhjes nëpër autobusë është shfaqur me forcë, sidomos pas 90-ës, kur edhe financat u liberalizuan me shuma të mëdha parash. Pra, nëse para 90-ës, xhepistët dilnin për të vjedhur ndonjë 10-lekësh të vjetër, më vonë ata filluan të gjuanin 50-mijë lekëshit.
    Juve vetë, si ju ka tërhequr vëmendjen ky fenomen?
    Në fillim edhe unë isha një qytetar liberal, që hipja në autobusë dhe nuk mendoja kurrë keq për ndokënd. Por, një ditë dikush më vodhi paratë e rrogës dhe kjo më bëri të vëmendshëm. Por pavarësisht kësaj, më vodhën edhe njëherë tjetër, ku xhepistët më morën disa kursime modeste. Kështu që, unë pas këtyre ndodhive u bëra tepër i ndjeshëm ndaj këtij fenomeni dhe fillova t’i shquaj xhepistët që nga gjestet e para kur u afroheshin qytetarëve. Ata dallohen se, kur duan të grabisnin ndonjërin, më parë i vënin bërrylat e duart tek sytë, që t’i bllokojnë shikimin. Këtë e bëjnë gjoja si rastësisht, gjatë shtyrjes së udhëtarëve në autobusë.
    Cilat janë kontingjentet që e pësojnë më shumë nga xhepistët?
    Në radhë të parë këtu futen të gjithë ata qytetarë që shquhen si liberal në sjelljet e tyre. Ndërsa në veçanti, pre e xhepistëve janë pensionistët dhe gratë. Veçse më parë, këta ndiqen e vëzhgohen me kujdes nëpër arkat e kursimit ku marrin pensionin, ose kur tërheqin llogaritë bankare apo kur hyjnë nëpër qendra tregtare apo super-markete. Pastaj në autobusë bëhet plani dhe më tej realizimi.
    A bashkëpunojnë fatorinot me veprimtarinë ë xhepistëve?
    Shumë vite më parë shquhej qartë një bashkëpunim i tillë. Sepse, ndodhte që kur mbaronte “aksioni”, jepej sinjali dhe hapej dera jashtë stacionit, për të zbritur xhepistët. Ndërsa tani ky bashkëpunim nuk ekziston, ngaqë edhe fatorinot e kanë hallin kryesisht te puna dhe normat e tyre ditore.
    Ç’moshë kanë kryesisht xhepistët?
    Ata janë kryesisht të moshave të pjekura. Pra, mbi 25 vjeç. Por ka edhe më të rritur. Këtu nuk përjashtohen edhe adoleshentët. Kontingjenti i xhepistëve vjen nga radhët e ish-të dënuarve ordinerë, por ka edhe disa që nuk janë kapur dhe nuk janë dënuar kurrë.
    Sa raste vjedhjesh keni parë me sytë tuaj nëpër autobusë?
    Shumë raste. Njëherë mbaj mend se si iu qepën një plaku dhe i vodhën lekët e pensionit. Ai, kur i pa, i mallkoi me fjalët “ iu bëfshin ilaçe për kalamajtë!”, por kjo nuk ndryshoi gjë. Ndërsa njëherë tjetër pashë një grua të cilës i ra t ë fikët, ngaqë konstatoi se i kishin vjedhur në autobus lekët e pajës së vajzës. Kur e mori vesh, ajo nuk erdhi më në vete, deri sa e nisën në ambulancë. Dhe rastet e tjera janë me dhjetëra.
    Si i dalloni xhepistët nëpër autobusë nga pjesa tjetër e udhëtarëve?
    Ata dallohen nga mënyra se si i ngjiten pas ‘’viktimës’’. Në fillim e rrethojnë, pastaj i zënë shikimin dhe e shtyjnë sa majtas-djathtas. Kanë një plan të drejtuar dhe zakonisht e realizojnë deri në fund qëllimin. 
    Ka edhe raste kur dështojnë?
    Mirëpo tani, po ndodh një fenomen tjetër, dhe në Tiranë po na shfaqen xhepistët që vijnë nga rrethet e tjera të vendit. Kjo bëhet nëpërmjet lidhjes midis grupeve, por bëhet edhe për të nxjerrë në fushë lojtarë të panjohur.
    Si reagojnë qytetarët kur konstatojnë raste të tilla?
    Zakonisht qytetarët heshtin. Reagimet e tyre janë me zë të ulët, ose me shikime ndaj njëri-tjetrit, pa e sinjalizuar” viktimën”. Kjo ndodh ngaqë njerëzit ndjehen të pambrojtur dhe nuk duan ngatërresa me këtë pjesë të ulët të shoqërisë. Këta, dua të them se, kohët e fundit rastet e vjedhjeve në autobusë janë shtuar. Sidomos në ato linja që thashë me lart.
    Cila është arsyeja që janë shtuar vjedhjet nëpër autobusë? 
    Arsyeja është rritja e përgjithshme e varfërisë dhe mungesa e vendeve të punës. Por një arsye tjetër është edhe edukimi i dobët i rinisë, ngaqë shumë prej tyre nuk shkojnë as nëpër shkolla. Dhe përgjegjësia kryesore bie mbi familjen.
    A janë ndaluar ndonjëherë nga Policia, xhepistët?
    Po, ka pasur një rast kur një qytetari i vodhën portofolin në xhep dhe bërtiti me të madhe që shoferi të mos e hapte derën e autobusit, ndërkohë erdhi edhe Policia ku bëri të mundur edhe shoqërimin e 3 xhepistëve për në komisariat. Por çuditërisht dhe fatkeqësisht mësova se ata i kishin liruar pas dy orësh dhe përsëri do të vazhdonin “aktivitetin” e tyre të përditshëm!!!
    Si mendoni se mund të luftohen këto fenomene?
    Së pari, njerëzit duhen edukuar, pastaj duhen punësuar dhe ata që kanë zanate të pandreqshëm, duhen mbyllur në burgje. Asnjë mëshirë nuk duhet pasur për njerëzit që i shkaktojnë vuajtje të tjerëve. Shoqëria shqiptare sot po e përjeton dhe po e prek çdo ditë varfërinë, por kjo nuk duhet të na bëjë që të falim e të tolerojmë hajdutët dhe njerëzit e dëmshëm në kurriz të të tjerëve. Edhe një organizim I shërbimit të agjentëve civilë të policisë nëpër linjat e shërbimit urban, do të ishte e domosdoshme.
    Përgatiti: Ferit SHQEFNI
    Sigal