Veteranët e LANÇ të Shqipërisë/ Apel Ramës: Mos ndërhy në Historinë e Popullit, që është larë me gjak! Mithat Frashëri mbetet kolaboracionist

665
Sigal

Veteranët Edi Ramës: “Mos ndërhy në Historinë e Popullit tonë që është shkruar me gjakun e dëshmorëve dhe është miratuar nga koalicioni Botëror Antifashist Anglo-Sovjeto-Amerikan!”

Nuk na hidhet dot hi syve!

Në ditën e shënuar të 5 Majit, të gjithë ishin të interesuar se si do të reagonte Kryeministri i vendit dhe njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama. Pas një debati që vazhdon prej më shumë se gjashtë muajsh, që kur ky kryeministër dhe kryetar i PS vendosi të nderonte zyrtarisht dhe politikisht Mit’hat Frashërin, kryeballistin dhe kryekolaboracionistin shqiptar, e deri te qëndrimet e ditëve të fundit të Institutit për Studimet e Pasojave dhe Krimeve të Komunizmit që nxijnë Epopenë më të Lavdishme të popullit tonë, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe heronjtë dhe dëshmorët e saj, anëtarësia e PS-së dhe veteranët e LANÇ, pasardhësit e veteranëve, shtronin pyetjen: “A do të shkojë Rama te Varrezat e Dëshmorëve dhe çfarë do të thotë? Ai shkoi, e vendosi kurorën përpara monumentit “Nëna Shqipëri” dhe mbajti një fjalim në një drekë që u shtrua në lokalin “Xibraku” të Tiranës. Nga fjalimi që mbajti u duk se nuk ka ndryshuar asnjë fije në qëndrimet e tij. Ndërsa tha, se nuk do të lejonte të prekej asnjë fije Lufta dhe ata që morën armët e dolën në luftë kundër pushtuesit, veteranët morën frymë të lehtësuar dhe e duartrokitën. Sepse ata kanë dashur gjithnjë që kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryeministrin e vendit ta kenë në krahun e fitimtarëve dhe jo të kolaboracionizmit shqiptar që e ka mbyllur me turp historinë e tij këtu e 75 vite më parë. Por çuditërisht më pas, ai tha se nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj Mit’hatit dhe se historia ndahet në dy periudha, para dhe pas 29 Nëntorit 1944, duke nënvizuar se nuk e besonte historinë që bëjnë fitimtarët. Pra ç’emër t’i vësh këtij qëndrimi? Më mirë shkon titulli: “Nuk na hedh dot hi syve!”. Po, po nuk na mashtron dot ne veteranëve, pasardhësve të tyre, familjeve të dëshmorëve dhe bazave të Luftës dhe socialistëve që besojnë ende në idealet e pastra dhe vlerat e LANÇ për të cilat luftuan dhe dhanë jetën e tyre në lulen e rinisë 28 mijë bij e bija të Shqipërisë për të sjellë lirinë dhe pavarësinë e vërtetë të këtij vendi të robëruar e shfrytëzuar në shekuj. E kuptoni apo jo këtë hipokrizi që duket shumë qartë edhe së largu?! Duket Kryeministri ka arsyet e tij të sillet kështu, të cilat nuk na i ka shpjeguar asnjëherë deri në fund. Ndoshta do të na i tregojë ndonjë ditë?! Por një gjë duhet ta ketë fort mirë parasysh: Nuk i hedh dot hi syve një populli të tërë. Ajo alibia se e nderoi Mit’hat Frashërin si shkrimtar dhe intelektual, nuk qëndron. Në të gjitha qëndrimet e Edi Ramës si politikan dhe shtetar, ai nderoi kryeballistin, një njeri politik. Dhe me sa dëgjuam më 5 Maj nuk i ka ndjerë topat që kanë buçitur për muaj me radhë kundër qëndrimeve të tij për Mit’hatin dhe kolaboracionizmin shqiptar. I rekomandojmë të lexojë “Klubin e Selanikut” të Çajupit, tradhtinë që i bëri Ismail Qemalit, bashkëpunimin me monarko-fashistët grekë pas luftës etj., etj. Me gjestin e vajtjes në Varrezat e Dëshmorëve dhe me fjalimin që mbajti në drekën solemne, ai u tha veteranëve dhe militantëve socialistë: “Unë jam ai që kam qenë dhe i tillë do të mbetem!” Që përmendi më në fund Institutin e Tufës së Çelove e Uranëve, mirë bëri, por përçmimi dhe dyfytyrësia i dallohen lehtë. Kryeministri e vështron historinë me syzet e një liberali anarkist dhe vazhdon të gabojë kur thotë se “Nuk i beson historisë që e kanë shkruar fitimtarët”. Po cilën histori beson? Atë që duan të shkruajnë dhe po shkruajnë tradhtarët?! Nuk i beson ai historisë që ka shkruar Aleks Buda, Kristo Frashëri, Xhemil Frashëri, historiani Pëllumb Xhufi, politikani dhe studiuesi Shaqir Vukaj, Doktor Sabit Brokaj, Profesor Fatos Tarifa dhe shumë e shumë studiues e historianë të vërtetë. Mos ndërhy në historinë e popullit tonë që është shkruar me gjakun e dëshmorëve dhe është miratuar nga Koalicioni Botëror Antifashist Anglo – Sovjeto – Amerikan.

 

Veteranët e LANÇ