Vendimi i ri, ja maturantët që mbeten pa shkollë të lartë

1776
Sigal

Qeveria përcakton notën mesatare që nevojitet për t’u pranuar në universitet

Vendimi i ri, ja maturantët që mbeten pa shkollë të lartë

Viti shkollor aktual është drejt përfundimit, por vera e ardhshme do të jetë e një rëndësie të veçantë për të gjithë maturantët në Shqipëri, të cilët do të duhet të zhvillojnë provimet e maturës dhe më tej të bëjnë përgatitjet për universitetin. Së fundmi, qeveria shqiptare ka përcaktuar se cilët nxënës maturantë rrezikojnë të mbeten pa shkollë të lartë gjatë vitit të ardhshëm. Qeveria nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave ka miratuar mesataren që duhet të ketë çdo nxënës për t’u pranuar në universitetet shqiptare për vitin akademik 2019-2020. Sipas këtij vendimi, “për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, nota mesatare për pranimin në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2019-2020, të jetë nota 6.5. Pra të gjithë ata maturantë, të cilët pas llogaritjes së mesatares (që del nga mesatarja e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e gjimnazit dhe mesatarja e notave të provimeve të Maturës Shtetërore) i rezulton më e ulët se 6.5 nuk do të kenë mundësinë e regjistrimit në universitetet publike. Ndërkohë që për vitin e kaluar, nota mesatare për pranimin në universitet ishte 6. Ndërkohë, për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të fushës së mësuesisë, për vitin akademik 2019-2020, nota mesatare e përllogaritur sipas këtij vendimi të jetë nota 7.5

Vendimi i plotë i qeverisë:

Përcaktimin e kriterit të notës mesatare për pranimin e kandidatëve në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ose transferimin e studimeve në vitet e ndërmjetme të këtyre programeve, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2019-2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 74, dhe të pikës 2, të nenit 76, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, kandidatët që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar në këtë vendim.
  2. Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, nota mesatare për pranimin në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2019-2020, të jetë nota 6.5 (gjashtë pikë pesë).
  3. Në rastet e transferimit të studimeve nga brenda apo jashtë vendit, në vitet e ndërmjetme të programeve të studimit, brenda të njëjtit cikël, studentët duhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave të vitit akademik që studenti është pranuar në institucionin e arsimit të lartë, duke filluar nga viti akademik 2016-2017 dhe në vijim.
  4. Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve, si më poshtë vijon:
  5. Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë;
  6. Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.
  7. Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të fushës së mësuesisë, për vitin akademik 2019-2020, nota mesatare e përllogaritur sipas këtij vendimi të jetë nota 7.5 (shtatë pikë pesë). Nota mesatare e kandidatëve që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të fushës së mësuesisë përllogaritet sipas përcaktimeve të pikës 4, të këtij vendimi.
  8. Programet e studimit të fushës së mësuesisë përcaktohen në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
  9. Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në pikën 2, të këtij vendimi.
  10. Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe dërgimin e këtyre të dhënave në Qendrën e Shërbimeve Arsimore.
  11. Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, si dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë të kryhen në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, sipas përcaktimeve të pikës 4, të këtij vendimi. Në rastet kur nuk aplikohen provimet e Maturës Shtetërore, komisioni përkatës përcakton mënyrën e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës dërgon të dhënat tek institucioni arsimor vendor përkatës, përgjegjës për arsimin parauniversitar.
    10. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Qendra e Shërbimeve Arsimore, institucionet e arsimit të mesëm të lartë, institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.