Ushqimet e tejngopura me lëndë kimike po vrasin jetën e njerëzve

780
Sigal

Askush nuk kontrollon ushqimet e skaduara dhe ato me kimikate e hormone, që konsumojnë shqiptarët. AKU konstaton shkelje, por nuk kemi dëgjuar për dënime me burg të atyre që janë falsifikatorë të jetës dhe sëmundjeve kanceroze. E njëjta gjë ndodh me cilësinë e ilaçeve, ku pacientët po blejnë vdekjen me para

“Vrasja” dita-ditës nga ushqimet e skaduara dhe fruta-perime me tejngopje lëndësh kimike

Nga Hyqmet Zane

Shqiptarët po përjetojnë realitete të hidhura jo vetëm politike, por edhe sociale dhe shëndetësore nga pasojat e keqqeverisjes. Kjo po reflektohet në një çoroditje institucionale nga mosfunksionimi i punës në sektorë të konsideruar jetikë për popullatën. Mungesa e theksuar e moskontrolli i këtyre sektorëve jetikë që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me qytetarin siç janë konsumi i ushqimeve të skaduara dhe fruta-perimeve me tejngopje lëndësh kimike të dëmshme për shëndetin pa folur pastaj për miellin e bukës që thuhet se ka problem në cilësi dhe llojin e miellit me rrezatime që përdoret. Por edhe hormonizimi i mishit apo edhe i shumë asortimenteve të tjera, kanë krijuar një problem të madh shëndetësor në jetën qytetare, sa shpesh dëgjojmë vdekje të papritura apo sëmundje të shpeshta me infarkete apo kanceri, me tumore në kokë apo në organe të tjera, por edhe mbishëndoshje dhe deformime gjenetike në lindjet e foshnjeve. Ky realitet më befasoi me një sjellje të veçantë të një qytetareje që bëri një sjellje të çuditshme për mosnjohjen e atij veprimi. Duke kaluar për në tregun e fruta-perimeve të qytetit të Elbasanit, vë re që kjo zonjë kishte në dorë një aparat të vogël elektronik që i shërbente asaj për të matur sasinë e përdorimit të lëndëve kimike në ushqyerjen e këtyre frutave dhe perimeve nga fermerët që i prodhonin sepse tregtuesit ishin dora e dytë që e shisnin atë për qytetarët.

Nga kurioziteti pashë se ishte tronditëse se çfarë thoshte aparatura për shumë nga perimet si patëllxhani dhe speci, domatja dhe patatja, po aq sa edhe për shalqinin e të tjera. E vura re thartimin në fytyrë të zonjës që dukej se me një aparat të tillë që i kishte kushtuar 150 euro, por ajo po i shërbente jetës dhe shëndetit të saj më shumë se sa do ushqehej nga ato fruta e perime të stinës.

Çfarë bëhet thash me vete, kush i kontrollon këto ushqime që u ofrohen qytetarëve për t’u ushqyer? A ka institucion të kontrollit të ushqimeve që ka detyrimin ligjor për të bërë kontrollin e frutave dhe perimeve? Përse ndodh një fenomen i tillë kur për të nuk flasin as specialistët e as pushtetarët që e kanë detyrim ligjor? Sa do të vazhdojë një gjendje e tillë që troç duhet thënë se është një vrasje me efekte të vonuara në vdekjen e njerëzve që konsumojnë ushqimë të tilla.

Jo kushdo mund ta ketë një aparat të atillë si zonja se, ose nuk e gjen, ose nuk ka mundësinë ta blejë, por një gjë është e qartë që mjerë kush bëhet viktimë e këtyre produkteve të fruta-perimeve dhe të ushqimeve të skaduara. Pse duhet të ketë qytetari aparat matës kur këtë duhet ta bëjë vetë shteti me institucionet e tij, nëse para 6 vjetësh u cilësua se Check up do të ishte në mbrojtje të shëndetit të njerëzve dhe do të bëhej falas. Nga ana tjetër që kontrolli i ushqimeve që shteti dhe qeveria duhet ta bënin me urgjencë dhe si një shërbim i madh ndaj qytetarëve, nuk bëhet dhe më keq akoma që përmasat e abuzimeve me ushqimet dhe fruta-perimet dhe buka kanë marrë dhenë.

Ndonjëherë dalin edhe lajme se AKU ka bërë kontrolle për skandencat e ushqimeve në supermarket ku në jo pak raste ka konstituar abuzime me skadencat dhe fallsifikimin e tyre. Por nuk kemi dëgjuar dënimet e atyre që janë fallsifikatorët e jetës së njerëzve. Po aq sa dëgjojmë lajme se u kap ky dhe ai që bëri një shkelje të rregullave të qarkullimit se shkeli semaforin e kuq apo kishte shpejtësi tej normave, ndërkohë që mungojnë dënimet e atyre që në heshtje pa bujë e pa hesap u marrin jetën njerëzve ngadalë-ngadalë me këto ushqime të sakduara apo me ngopjen e frutave dhe perimeve me lëndë toksike kimike dhe jashtë normave të lejuara.

Sa pak vleka për një ministër të linjës apo për vetë kryeminsitrin shëndeti i njerëzve e qytetarëve të shtetit që janë jeta e një populli që po e blen vdekjen e tij me para dhe që “investon” për të vdekur nga ushqimet që konsumon.

Pothuajse e njejta situatë dhe më keq akoma thuhet se po përjetojnë hallexhinjtë me ilaçet që hyjnë nga jashtë apo prodhohen në vend, cilësia e këtyre ilaçeve lë për të dëshiruar. Kemi dëgjuar shpesh se ilaçet që marrim ose janë të skaduara dhe ju ndërrohen shënimet e skadencës ose janë me cilësi shumë të ulët dhe pa efekte. Nën një bisedë me një njeri të sistemit të drejtësisë penale (prokuror i niveleve të larta), u bë e ditur se nga këto ilaçe që janë nën “protektoratin” e një njeriu të lartë të PS që duket e ka marrë këtë sektor si shpërblim për shërbimet që i ka bërë kësaj partie në kohën e qënies në opozitë, vetëm 20 përqind është efekti i këtyre ilaçeve.

Ka pasur shumë thashetheme me këtë sektor të rëndësishëm jetik, por asnjëherë nuk u vu në vijë problem i hallit të madh të qytetarëve, sidomos të atyre të moshës së tretë. Një pjesë e vogël e qytetarëve shqiptarë kanë mundësinë që ilaçet t’i marrin jashtë shtetit përmes fëmijëve të tyre. Kuptohet që menjëherë shikohet efekti i ilaçeve që merren nga jashtë në raport me ato që merren në farmacitë e vendit, ku nuk di se ku të vesh gishtin se cila ka besueshmëri, sepse furnizimi i tyre bëhet nga distributorë që kanë në dorë jo vetëm ilaçet, por edhe jetën e njerëzve.

Nuk dua të paragjykoj apo të bëj etiketime, por edhe kostoja e këtyre ilaçeve që blihen në farmacitë e vendit, janë më të shtrenjta se ato që blihen jashtë vendit, a thua se shqiptarët janë më të pasur se sa ata në vendet europiane që kanë paga shumë herë më të larta se në Shqipëri e aq më tepër kur vjen fjala për pensionistët. Por më keq akoma, moskontrolli apo mosvënia dorë në këtë sektor për hatër të një të “forti” të PS, kuptohet që koston e saj do e paguaj varfëria e shqiptarëve që duket nuk paska të sosur në këtë vendin tonë.

Ndoshta ka edhe sektorë të tjerë ku abuzimi është i madh si me faturat e tatimeve apo taksave, me vjedhje të energjisë elektrike apo me naftën pa cilësi etj. Por ky qëndrim për moskontrollin e ushqimeve dhe ilaçeve duket se “vrasjet” e ngadalta e të ditëpërdishme  pa bujë e pa sherre politike, kanë hyrë në Shqipëri si pa u ndjerë, ashtu si një biznes për agjensitë e funeraleve që kanë gjithnjë “treg” pune të suksesshëm në Shqipëri.

Aparaturat matëse të cilësisë së ushqimeve apo të ilaçeve do të ishte mirë që ti kishte shteti në dorën e kontrolluesve, se sa çdo qytetar apo familje të blinte një aparaturë të tillë. E them këtë sepse, edhe nëse qytetari e konstaton cilësinë e dobët të ushqimeve apo të ilaçeve nuk ka se ku të ankohet dhe kush tja marrë për bazë shqetësimin. Përkundër kësaj institucionet shtetërore të pajisura me aparatura të tilla do të kenë mundësinë jo vetëm ti gjejnë këto aparatura sa më të fuqishme dhe cilësore, por do kenë edhe në dorë mundësinë e ndërshkrimit të abuzuesve, të atyre që prodhojnë ushqime me sasi të tejngopur lëndësh kimike apo të ilaçeve që futen dhe janë me cilësi të ulët. Nëse shteti do ai mund të bëjë gjithçka, aq më tepër që shpesh degjojmë për ngjarje që kanë ndodhur në Shqipëri me vrasje si Gërdeci apo 21 janari. Shqetësimi për ushqimet vrasëse dhe ilaçet vdekjesjellëse është shumë herë më i madh se çdo propagandë tjetër politike. Shqiptarët nuk ja kanë borxh jetën shtetit, qeveritarët u kanë borxh shqiptarëve cilësinë e jetës së tyre.