‘Unaza’/ Banorët lirojnë rrugën, largohen mjetet e punës

786
Sigal

Ndonëse mbrëmjen e kaluar u deklarua nga bashkia se ka nisur zhvendosja e familjeve të “Astirit” në banesat sociale dhe prishja e objekteve në Unazën e Re, banorët kanë dalë sërish sot në protestë.

Qytetarët kanë bllokuar rrugën për disa minuta dhe janë përplasur me policinë bashkiake, e cila ndodhej në vend për të garantuar vazhdimin e punimeve. Gazetari Klajdi Bodlli raportoi se pas negociimit të deputetëve të opozitës, banorët kanë liruar rrugën dhe ka rinisur qarkullimi.

Po kështu mjetet e rënda që ndodheshin në vend për prishjen e objekteve janë larguar, çka ka sjellë në qetësimin e situatës. Ditën e djeshme u shembën 2 objektet e para.

Unaza Protesta

Kjo është dita e 24-rt e protestës së banorëve të Unazës së Re kundër prishjes së banesave të tyre pa kompensim. Ata kërkojnë dëmshpërblim me çmimin e tregut për banesat dhe bizneset e tyre. Nga ana tjetër qeveria ka premtuar bonus qiraje për tre vite. Prishja e banesave bëhet për t’i çelur rrugë projektit të Unazës së Madhe.

Nga ana tjetër opozita ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë se projekti është një aferë korruptive.