Ujërat e zeza dhe kanalet e hapura pushtojnë lagjet e Tiranës

    334
    Disa prej lagjeve më kryesore të Tiranës dhe me një numër të lartë banorësh, janë nën pushtetin e ujërave të zeza dhe kanalizimeve të hapura, të cilat janë kthyer në një makth për kalimtarët dhe qytetarët. Kryesisht, bëhet fjalë për zonën e Unazës së Re edhe pse kjo e fundit një zonë mjaft e lakmuar dhe e mbipopulluar me ndërtime të reja, problem vijon të mbetet gjendja skandaloze e rrugicave të lagjes, si dhe dalja në sipërfaqe e ujërave të zeza. Banorët të cilët jetojnë në këtë lagje shprehen për gazetën “Telegraf” se ndihen të kërcënuar për shkak të ekspozimit ndaj ndotjeve të ambientit, të cilat përbëjnë një rrezik të madh për shëndetin e tyre. Njeri nga banorët shprehet, “ Ndihemi të kërcënuar sa i përket shëndetit tonë, për shkak të kanaleve të hapura, si dhe ujërave të zeza të cilat dalin në sipërfaqe jo pak herë, por deri tani nuk ka një ndërhyrje për rregullimin dhe sistemimin e këtyre problematikave shqetësuese në zonën në të cilën banojmë. Këto probleme bëhen edhe më shqetësuese për ne prindërit, për shkak se gjinden pranë hapësirave që fëmijët tanë i shfrytëzojnë për të kaluar kohën e lirë me bashkëmoshatarët e tyre”. 

     Prej disa muajve, ujërat e zeza nuk qarkullojmë më në tubacionet e tyre, por kanë dalë hapur mbi rrugë, duke shkaktuar një situatë alarmante dhe të rrezikshme për banorët.  Megjithëse situata është e tillë prej kohësh dhe ujërat e zeza gëlojnë mbi rrugën kryesore ku kalojnë qindra makina e njerëz, asnjë masë nuk është marrë nga bashkia e kryeqytetit, e cila ka për detyrë të ndërhyjë për të rregulluar këtë problem mjaft shqetësues për banorët e zonës. Era e keqe që shkaktojnë ujërat e zeza ka sjellë jo pak shqetësime për banorët e zonës së Unazës së Re, të cilët apelojnë për ndërhyrje me qëllim parandalimin e ndonjë epidemie. Ndërkohë Tiranë vijon të mbetet e ekspozuar ndaj problemeve të tilla, sidomos në stinën e vjeshtës, e cila sapo ka startuar, duke sjell shpesh herë përmbytje dhe shpërthim të ujërave të zeza, kryesisht për shkak të reshjeve të shiut. 

    Banorët të ekspozuar përballë rrezikut të epidemive
    Veç problemit të ujërave të zeza në disa zona, një tjetër shqetësim për banorët e Tiranës mbetet rreziku për përhapjen e ndonjë epidemie. Banorët e zonës së Unazës së Re nuk kanë ngurruar të shprehin shqetësimin dhe revoltën e tyre, duke theksuar se ndihen të kërcënuar për shkak të kanaleve të ujërave të zeza të cilët janë të hapur. Sipas tyre kanale të tilla janë afër banesave të tyre, çka vë në pikëpyetje shëndetin e banorëve. Ky realitet është kthyer në një shqetësim madhor, çka ka sjell edhe reagimin e tyre, duke apeluar Bashkinë e Tiranës,që të marr masa për rregullimin dhe sistemimin e kanaleve të hapura. Përveç problemeve të cilat listuam më sipër, ende shqetësuese mbetet edhe gjendja në të cilat ndodhen rrugët e lagjes. Të pa asfaltuara, me gropa të mëdha, vështir të kalohet nga këmbësorët dhe automjetet, kjo është panorama që rëndomtë të ofrojnë lagje të tilla. Edhe pse ndërtimet vazhdojnë, si dhe kërkesat për apartamente rriten çdo ditë e më shumë, ajo që mbetet problem ende në lagjet “luksoze” të Tiranës, është infrastruktura rrugore, si dhe mungesa e ndriçimit të rrugëve natën. 
    Sigal