Sigal

Spitalet pa shiringa e fasho për të lidhur plagët, kurse shteti planifikon në buxhet 3 milionë euro për të sëmurët me kimioterapi standarde. Akoma bëjmë terapi me kobalt

Qeveria në të vërtetë planifikon në buxhetin vjetor shuma të mëdha për shëndetësinë publike, mirëpo vetëm një pjesë e tyre e vogël përdoret drejtpërdrejtë në spitalet publike në shërbim të pacientëve, sepse pjesën e “luanit” të fondeve të shëndetësisë publike qeveria ua jep koncesionarëve. Ja një shembull konkret.

Gjatë një operacioni për heqjen e gjirit, të prekur me kancer, në spitalin Onkologjik tek QSUT, infermierja del nga salla e operacionit dhe njofton të afërmit e pacientes, se operacioni doli me sukses, mjekët bënë më të mirën e mundshme, por… dikush tani, që operacioni mbaroi, duhet të shkojë të blejë një fasho, e cila kushton 200 lekë, për të lidhur plagën, pasi spitali ka mungesë…. Imagjinoni. Mjekët e spitalit të Onkologjisë tek QSUT-ja, janë nga më të mirët, bëjnë operacione të vështira dhe në të shumtët e herëve me sukses, ndërkohë, që spitali nuk ka as fonde financiare që të sigurojë bazën materiale më të domosdoshme pacientëve, sikurse është fashua… Pra, QSUT-ja nuk ka fonde për të blerë fasho 200 lekë për të lidhur plagën e operuar pacientëve…. Deri këtu është katandisur e ashtuquajtura “Shëndetësi falas”, e premtuar nga qeveria e Rilindjes.

Laboratorit të Onkologjisë i mungojnë preparatet

Një rast tjetër. Analizat e një pacienteje e operuar tek Onkologjiku i QSUT-së, do t’i duhet t’i bëhen analizat e biopsisë. Mirëpo, nga laboratori i QSUT-së u thuhet të afërmve, se vetëm disa analiza mund t’i bëjnë në laboratorin e spitalit, ndërkohë, që analizat më të hollësishme, do të duhet t’i bëjnë në laboratorët privatë, për shkak se mungojnë preparatet në laboratorin e spitalit të QSUT-së. Mjekët e pranojnë, që spitali duhet t’i bëjë, mirëpo mungojnë preparatet. Këtu përgjegjësia është e drejtpërdrejtë e ministres së Shëndetësisë, sepse mungesa e preparateve në laboratorin e QSUT-së është mungesa e fondeve financiare, ndërkohë, që shteti ka detyrimin financiar, që duhet t’i plotësojë të gjitha preparatet për analizë laboratorëve. Mirëpo, ministrja e Shëndetësisë, ka shkurtuar fondet për blerjen e preparateve për analizat e plota të biopsisë, QSUT-ja u “siguron” pacientëve të saj vetëm disa analiza falas, ndërkohë, që për analizat e tjera të hollësishme, pacienti detyrohet nga ministrja e Shëndetësisë, që ato t’i bëjë në laboratorët privatë, duke paguar atyre shuma të mëdha, edhe pse ka kontribuar për sigurimin shëndetësor, ndoshta dhjetëra vite me radhë, sepse ministrja e Shëndetësisë fondet e buxhetit të shtetit i menaxhon për të financuar koncesionet e dhëna të shërbimeve të tjera shëndetësore.

Prof. Dr. Tritan Shehu: Qëllimisht vonojnë kombinimet e preparateve për kimioterapinë

Një premtim elektoral i kryeministrit Ramë ka qenë se, shteti do t’u sigurojë pacientëve me kancer edhe herceptinën, një ilaç i cili është shumë i rëndësishëm në kurimin e sëmundjes së kancerit në fazat e avancuara, por që gjithnjë përdoret i kombinuar me preparate të tjera. Ndonëse vërtet ka ndodhur një ndryshim dhe ky ilaç është tashmë në skemën e rimbursimit,por po ndodh një fenomen tjetër spekulues, i qëllimshëm. Prof. Dr. Tritan Shehu, në një prononcim për gazetën “Telegraf” pohon se spekulimi i qeverisë ndaj pacientëve të sëmurë me kancer ndodh, se, ndonëse nuk mungon herceptina, shpeshherë u vonojnë preparatet e tjera që kombinohen me herceptinën në kohën që pacientët duhet të bëjnë kimioterapinë. Kështu, duke spekuluar me mungesën e njërit apo tjetrit preparat, duke mos i dhënë të gjitha kombinimet në kohën e duhur, ose e detyrojnë pacientin, që të paguajë nga xhepi i vet atë preparat që u mungon spitalit, për 1.000 arsye, ose të mos e bëjë fare kimioterapinë. Mirëpo vonesa e mosbërjen në kohën e duhur të kimioterapisë, ka pasoja vdekjeprurëse për pacientin.

Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë planifikon në buxhetin vjetor të 2018-s dhe 2019-s vetëm 5 milionë euro, për kimioterapi standarde, ndërkohë, që nevojat janë për 12 milionë euro, të cilat mund të plotësojnë vetëm 45 % të nevojave për kimioterapi. Atëherë, kur që në buxhet ministria e Shëndetësisë nuk planifikon shumë e duhur të eurove, 55 % e pacientëve duhet të paguajnë nga xhepi i tyre ilaçet për kimioterapinë. Prof. Dr. Tritan Shehu, thotë për gazetën “Telegraf” se përveç kimioterapisë, pacientët me kancer duhet të bëjnë edhe radioterapinë, e cila mbulon vetëm 28 % të pacientëve, ndërkohë, që pacientët e tjerë, radioterapinë duhet ta paguajnë shtrenjtë tek privati. Akselevatori linear tek QSUT-ja nuk mbulon dot as 30 % të nevojave të pacientëve që vuajnë me kancer, ndërkohë që në QSUT ende bëjnë terapi me kobalt, një teknologji jo vetëm e tejkaluar, por edhe e dëmshme, mirëpo kjo ndodh tek QSUT-ja për mungesë fondesh. Prof. Dr. Tritan Sheu pohon për gazetën “Telegraf”, se në QSUT tek spitali Onkologji, ende jemi larg terapisë së personifikuar, ndërkohë që edhe terapia standarde është me mangësi të mëdha. Prandaj, është demagogji e kryeministrit kut thotë se pacientëve me kancer u ka siguruar vetëm rimbursimin me herceptinën, ndërkohë, që qëllimisht u vonojnë preparatet e tjera që përdoren në kombinimin e tyre për kimioterapinë, duke detyruar kështu pacientët, që të blejnë nga xhepi i tyre ato preparate që QSUT-ja ua vonon qëllimisht nga koha e duhur e terapisë.

Rritja e vdekshmërisë

Sipas Institutit të Statistikave, tumoret janë vrasësit e dytë më të mëdhenj të shqiptarëve. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se vetëm në vitin 2017 në Shqipëri kishte 7 mijë persona të prekur nga tumoret, ndërkohë që sëmundjet malinje fajësohen për 3645 vdekje.

Zyrtarisht Shqipëria renditet ndër vendet që ka një numër të lartë të prekjes me kancer gjiri. “Incidenca e standardizuar, sipas moshës për kancerin e gjirit është 53/100.000 banorë, një shifër kjo më e ulët se vendet mesdhetare të BE-së (80/100.000), por shumë më e lartë se vendet e Mesdheut Lindor (41/100.000),” shkruan ISHP. Sipas të dhënave të ISHP-së, e cila që prej vitit 2015 po përpiqet të ngrejë edhe regjistrin e kancerit, kurba e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit ka pësuar një rritje konstante dhe shqetësuese gjatë dy dekadave të fundit. Më konkretisht, nëse në vitin 2002 vdekshmëria ishte 6.8 vdekje për 100 mijë banorë, në vitin 2017 ajo e ka kapërcyer dyfishimin, duke shënuar plot 16 vdekje për 100 mijë banorë. E përkthyer në shifra, nëse në 2002 humbën jetën nga kanceri i gjirit 204 persona (duke iu referuar popullsisë në vitin 2001 që ishte 3 milionë banorë), në 2017-ën ishin plot 448 persona që ndërruan jetë si pasojë e kësaj sëmundjeje.

Fatmir Prifti, drejtor ekzekutiv i “Ryder Albania”, një organizatë jofitimprurëse, e cila prej vitit 1993 ofron shërbim shëndetësor falas në shtëpi për të sëmurët terminalë me kancer që janë në fund të jetës, shprehet se kanceri i gjirit është një sëmundje me vdekshmëri të lartë. “Unë di të të them që në gamën e të gjithë të sëmurëve, kanceri i gjirit zë vendin e dytë të rasteve që na vijnë ne, që në fakt është reflektim edhe i llojeve të kancereve që prekin popullatën shqiptare. I pari është kanceri i mushkërisë me 26% të rasteve, i dyti që marrin kujdes paliativ nga ne është kanceri i gjirit me 20% të rasteve,” tha Prifti. Kjo vdekshmëri e lartë fajësohet mbi stadin e vonë në të cilat diagnostikohet sëmundja në Shqipëri, çfarë është përcaktues për mbijetesën. Nëse vendet e BE-së, vetëm 20% e kapin në stade të avancuara, në Shqipëri, pavarësisht përmirësimeve, ende 45% e rasteve paraqiten në stade të avancuara. Sipas Priftit, por edhe kolegut të tij Ali Xhixha, fajtor për vdekshmërinë e lartë është edhe sistemi shëndetësor dhe keqmenaxhimi tij. “Nëse ne kemi 7 mijë raste të reja me kancer në vit, atëherë me disa rezerva mund të themi se 50% – 60 % e tyre bëhen paliativë. Dhe kjo ka të bëjë me zhvillimin e mjekësisë së një vendi, pasi nuk funksionojnë shumë hallka,” tha Xhixha.

Ndryshe nga “Ryder Albania”, Ilir Qefalia nga Shërbimi Onkologjik në Banesë – struktura shtetërore që ofron përkujdesje shëndetësore në banesë edhe për të sëmurët terminalë, jep një shifër më të ulët për prevalencën e rasteve paliative me kancer. “Vitin e kaluar, Shërbimi Onkologjik në Banesë u ka dhënë ndihmë mjekësore në shtëpi 941 pacientëve. Ka nga ata që janë terminalë, por edhe pacientë që kalojnë në komisionet e Mjekësisë Ligjore. Të sëmurët terminalë me kancer gjiri kanë përbërë vetëm 7% të rasteve,” tha ai. “Rreth 35% e rasteve të reja janë në stad të avancuar ose shumë të avancuar, ku mbijetesa është shumë e shkurtër. Në këtë situatë ku ndodhemi nëse bota diagnostikon rreth 20 % në stad të avancuar, ne e kemi 35%, kjo falë edhe një edukate më të mirë shëndetësore,” shtoi ai.

Përtej shifrave, mjekët specialistë shprehen se ka një ndërgjegjësim në rritje të grave dhe vajzave për këtë sëmundje. “Tani janë më të ndërgjegjësuara dhe sa prekin një gjë të dyshimtë vijnë direkt, por ka pasur raste që na kanë ardhur kur gjiri u kishte zënë krimba,” shprehet Silva Çeliku, presidente e shoqatës së Onkologëve Shqiptarë. “Si raste dhe si numër rastesh të reja kemi dyfishim, krahasuar me vitet ’90. Ajo që bie në sy është ulja e moshës mesatare. Mosha dominante ka qenë ajo 45-55 vjeç, por tani shohim shumë më shpesh edhe vajza të reja 20- vjeçare,” shtoi Çeliku.

Edhe kolegia e saj, Dhurata Tarifa, e cila e ushtron këtë profesion prej 36 vitesh shprehet se ndërgjegjësimi ka ndihmuar në diagnostikim më të hershëm, çfarë sjell dhe shanse më të larta për ta luftuar kancerin. “Kur kam nisur punë shikonim shumë stade III dhe IV, ndërsa tani dominojnë stadet I dhe II, sidomos stadet II që kanë nevojë vetëm për kirurgji e jo kimioterapi. Mortaliteti është ulur,” tha ajo.

Rritjen e numrit të të prekurve me kancer gjiri, Instituti i Shëndetit Publik ia atribuon rritjes së moshës mesatare të popullsisë, ndryshimit të sjelljes riprodhuese dhe ushqimit. Dr. Çeliku rreshton dhe trajtimet hormonale, stresin dhe trashëgiminë midis faktorëve ndikues. “Shumë fajësojnë trajtimet hormonale, që i marrin pa u konsultuar me mjekun. Stresi është një tjetër faktor. Duke u martuar herët, kanë probleme ekonomike, sociale, bashkëshortore. Shumë nga këto gra janë në nivele shumë të vështira ekonomike. Tek rastet e reja, faktor tjetër është edhe trashëgimia,” shpjegoi ajo.

Shqipëria, i vetmi vend në Rajon që nuk ka raporte të sakta për sëmundjen e kancerit

Çdo ministër shëndetësie në 20 vitet e fundit e ka premtuar, por Shqipëria nuk ka ende një regjistër kombëtar të kancerit, duke u bërë kështu i vetmi vend i rajonit që nuk e di dhe nuk raporton me saktësi të dhëna të rëndësishme për këtë sëmundje. Si pasojë, spitalet shkojnë me hamendje, pasi nuk ka të dhëna të sakta as për incidencën – që tregon rastet e reja që preken çdo vit nga sëmundja, as për prevalencën – që është bashkësia e të gjitha rasteve ekzistente në një moment të caktuar në një popullatë të caktuar. Për ironi, Shqipëria e ka ndërtuar regjistrin e parë të kancerit me ndihmën e OBSH-së që në vitin 1986, dhe ishte pjesë e të gjitha strukturave shëndetësore globale, ku raportonte çdo të dhënë të detajuar. Por ky proces u përfshi nga amullia dhe u prish në fillim të viteve ‘90. Pas një beteje thuajse 25 vjeçare mes specialistëve, në 2015 u vendos përfundimisht që regjistri i kancerit të ndërtohet nga ISHP dhe tashmë ka nisur për herë të parë grumbullimi i të dhënave nga spitalet publike, private dhe pacientët që kurohen jashtë. Por procesi nuk ka ecur me shpejtësinë e pritur. Vetë ISHP, ndërsa referon të dhënat për numrin total të të prekurve me kancer gjiri për periudhën 2010-2016 vendos shënimin që një pjesë e tyre janë ende në proces verifikimi. Ndërkohë, në një tabelë të dytë, ku vë në dispozicion rastet me kancer gjiri të diagnostikuara në QSUT, Instituti i Shëndetit Publik, sqaron se mungojnë të dhënat për periudhën 2015 dhe 2016, duke e bërë akoma edhe më të paqartë panoramën e kancerit të gjirit në vendin tonë, pasi rastet më të shumta janë ata që trajtohen në QSUT. Megjithatë, ajo që vihet re nga të dhëna e ofruara nga ISHP është se konstatohet një rritje drastike e rasteve të reja, por edhe të të prekurve në total me kancer gjiri.

Në vitin 2016, numri i të prekurve me kancer gjiri u rrit me thuajse 1500 të prekur më shumë krahasuar me vitin 2010. I njëjti trend rritës vihet re edhe në rastet e reja të diagnostikuara në QSUT. Numri më i lartë i diagnostikime është shënuar në vitin 2014 me 531 raste të reja. Në vitin 2015, pranë spitalit Onkologjik në QSUT janë diagnostikuar 256 raste të reja. Piku i rasteve të reja të raportuara nga QSUT ka ngecur edhe punën e ISHP-së për plotësimin e panoramës së kancerit në vend.

“Çdo vit në QSUT janë paraqitur mesatarisht 350 raste të reja me një prirje të lehtë rritjeje dhe me një pik prej 433 rastesh në vitin 2013. Ndërkohë që vazhdon puna për verifikimin individual të rasteve për 2014-ën, këtë vit janë grumbulluar edhe raste të reja të raportuara nga spitalet private dhe rajonale. Pas raportimit të rasteve të reja individuale edhe nga QSUT për 2015 do të mund të vlerësohet një shifër edhe më afër reales për këtë indikator,” sqaron ISHP, duke shtuar se duke filluar që nga viti 2015, INSTAT nuk e raporton kancerin e gjirit si nozologji më vete në raportimet mbi vdekshmërinë, çfarë e bën edhe më të vështirë plotësimin e panoramës.