Turistët e huaj braktisin Shqipërinë. Në jug, çmimi deri në 300 euro nata, ndërkohë në Greqi e Turqi paguan sa gjysma

1406
Sigal

Bie numri i pushuesve në plazhet e vendit, ndërkohë çmimet mbeten në “stratosferë”. Ja pse ikin turistët nga Shqipëria

 

Turistët e huaj po braktisin Shqipërinë, në jug duhet të paguash deri në 300 euro nata

 

Jala dhe Dhërmiu me çmimet më të “kripura”, Velipoja më e lira. Të huajt preferojnë Turqinë dhe Greqinë

 

Sektori i turizmit ka marrë një hov të konsiderueshëm vitet e fundit, i ndihmuar nga investimet infratstrukturore e menaxheriale. Nëse vite më përpara kishim një sezon veror të çekuilibruar, të pastrukturuar e kryesisht informal, tashmë në Shqipëri po aplikohen modele të huazuara nga vende të njohura për turizëm. Një rast i tillë janë resortet që po ndërtohen në qytetin e Durrësit, apo Shëngjinit ku tashmë prej disa vitesh ofrohen paketat turistike all-inclusive, njësoj si Turqia. Gjithashtu është investuar në infrastrukturë rrugore, duke i bërë plazhet e Shqipërisë më të akeseueshme. Të gjithë këto zhvillime kanë bërë që të rritet ndjeshëm interesi i pushuesve të huaj për vendin tonë, të paktën kështu vlerësojnë statistikat. Sipas Institutit të Statistikave, gjatë vitit 2018, Shqipërinë e vizituan rreth 6 milionë turistë, me një rritje prej 15.8 % nga viti paraardhës. Teksa kryeministri pretendoi disa muaj më parë se, në 5 vjet numri i turistëve në Shqipëri, është dyfishuar. Ndërsa gjithnjë sipas INSTAT, në 4-muajt e parë të vitit u futën në vend rreth 1 milion e 86 mijë të huaj me një rritje 5,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këto shifra janë përdorur nga qeveria për ta shitur si sukses të madh bumin e turistëve të huaj por dhe zhvillimin e sektorit në përgjithësi. Megjithatë, pavarësisht përmirësimit infrastrukturor e menaxherial dhe pas “fasadës” të një turizmi në rritje e sipër e në dukje të shëndetshëm, ka disa problematika të rëndësishme që po shtyjnë të huajt drejt “braktisjes” së Shqipërisë , në favor të vendeve si Greqia e Turqia.

Përse po ikin turistët nga Shqipëria?

Për sa i përket pushuesve të huaj në vendin tonë, vihet re një fenomen shqetësues, që vë në pikëpyetje cilësinë e shërbimeve. Tendenca e të huajve që kalojnë pushimet në Shqipëri është që të mos kthehen sërish. Kjo shpjegohet me faktin se të huajt nuk mbeten të kënaqur me cilësinë e shërbimit që ofrohet në hotelet, resortet e restorantet ku kanë paguar për të kaluar pushimet. Nga ata vlerësohet se çmimi (gjithnjë e në rritje) nuk justifikohet nga sjellja apo ofrimi i shërbimeve nga punonjësit e hoteleve. Një problem tjetër është infrastruktura rrugore dhe cilësia e plazheve. Të dyja këto së bashku lidhen me pastërtinë e nivelin e ndotjes, që në plazhet tona lë për të dëshiruar. Çmimet e kripura që ndryshojnë vit pas viti duket se ka shtyrë turistët që jo vetëm të mos kthehen për herë të dytë, por të zgjedhin shtetet afër Shqipërisë, të cilët ofrojnë jo vetëm çmim më të lirë, por edhe shërbim më cilësor. Në fakt në jugun e Shqipërisë mund të gjesh sot çmime të çmendura për dhoma që shkojnë deri në 300 euro nata. Të shumta kanë qenë rastet që janë bërë publike në media apo rrjete sociale, fatura restorantesh për të vënë duart në kokë. Një rast i tillë ishte ai i një restoranti në bregdet ku sipas faturës, fileto e viçit kushton 2500 lekë, ose çmimi i një shezlongu në Durrës që paguhej 50 euro. Durrësi është sot për sot bregdeti më i frekuentuar, kjo falë kontratave të parapaguara që agjencitë e huaja kanë me disa struktura akomoduese. Hyrja në treg e disa hoteleve të reja ka rritur mesatarisht çmimet me 1-2 euro në këtë zonë gjatë këtij viti. Durrësi, falë numrit të madh të të huajve, që vijnë nëpërmjet agjencive, po përjeton vitet e fundit shkëlqimin e tij, pas viteve të tëra braktisje. Nëse do të kërkoni rezervimin e një dhome në fundjavë praktikisht do ta keni të pamundur. Një dhomë standarde për tre veta, me mëngjes, është pothuajse e pamundur të gjendet gjatë kësaj periudhe në disa hotele që konsiderohen me 3 apo 4 yje, ndërkohë që tek ato që mund të gjesh të lira çmimi varion nga 80 euro me mëngjesin të përfshirë, në 70 euro personi (210 euro dhoma) me katër vakte të përfshira në të. Polakët, çekët, gjermanët, nordikët kanë vite që pushojnë në zonën e Golemit, nga maji e deri në fund të shtatorit me kontrata të parapaguara nga agjencitë, çka i ka rritur vlerën zonës, ka nxitur investime të reja në struktura akomoduese dhe si rrjedhojë ka sjellë edhe rritje graduale të çmimeve.

Kriza politike dhe protestat “trembën” të huajt

 

Arbër Shahu, ortak pranë “Sandy Beach Resort”, u shpreh për revistën Monitor se pavarësisht fluksit që e karakterizon Durrësin vitet e fundit, 2019-a pati një lloj luhatje për shkak të politikës dhe situatës së rënduar të protestave. Lidhur me rënien e polakëve, gjë që u konfirmua edhe nga shifrat zyrtare të lëvizjes së shtetasve, ai shprehet se kjo ka ardhur për shkak të rritjes së menjëhershme që u bë në vitet e para dhe kur tregu shqiptar nuk ishte ende gati. “Vihet re rënie e numrit të turistëve polakë dhe kjo ishte e pritshme, sepse ky treg u rrit në mënyrë të menjëhershme por ne nuk ishim gati. Nga ai ‘bum’ turistësh i pak viteve më parë biznesi është nxitur që të bëjë investimet dhe të krijojë përvojë në këtë lloj turizmi, përfshi paketat. Vihet re rritja e lehtë e çmimeve për zonën e Durrësit, kryesisht Golemit, që vjen si efekt i hyrjes në treg të strukturave të reja akomoduese. “Janë biznese të reja që po hyjnë në treg. Një pjesë e tyre kanë rritur çmimet mesatarisht me 1 apo 2 euro për dhomë pasi kanë bërë investime të mëdha.

Plazhet e Vlorës të zbrazura, çmimet mbeten të larta

Ndryshe nga Durrës, Vlora nuk duket se po kalon një verë të mbarë këtë sezon. Në krahasim me një vit më parë, situata e turizmit paraqitet disi më e dobët. Janë të shumta plazhet ende bosh dhe jo vetëm në Vlorë. Një prej ndikimeve ka qenë dhe situata politike ku ka pasur anulime, pikërisht për shkak se flitej për përplasje të ashpra. Për sa i përket çmimeve, pavarësisht mungesës së pushuesve, pronarët e hoteleve nuk i kanë ulur vlerat e pagesave për ushqim e akomodim. Ndërkohë që një prej problemeve më shqetësuese në Vlorë është trafiku i rënduar. Pavarësisht se shumë zgjedhin rrugën dytësore për të lëvizur drejt Ujit të Ftohtë dhe anasjelltas, kjo situatë ende nuk ka një zgjidhje. Të dielën e dytë të korrikut, e cila shënon dhe nisjen e fluksit, për të përshkuar 17 kilometra nga Orikumi në drejtim të Vlorës, drejtuesve të automjeteve iu duhej më shumë se 1 orë e gjysmë për shkak të trafikut.

Jala dhe Dhërmiu me çmime në “stratosferë”, Velipoja më e lira

– Sipas operatorëve të tregut, Velipoja mbetet vija bregdetare më e lirë në gjithë vendin me struktura akomoduese që ofrojnë çmimet që nisin nga 2000 lekë deri në 4000 lekë për person.

– Shëngjini është pak më i shtrenjtë nga 10-20% më shumë se Velipoja. Fillimisht ai ishte destinacioni i parë i polakëve dhe çekëve, por së fundmi ka humbur këtë klientelë. Operatorët nënvizojnë se vetëm fundjavave ka gjallëri, ndërsa gjatë javës gjysma e shezlongëve janë bosh.

– Durrësi është një nga destinacionet e preferuara për të huaj, për shkak dhe të afërsisë me aeroportin. Turistët nordikë, polakë dhe gjermanë preferojnë të udhëtojnë me charter.

– Divjaka, ka nisur të ofrojë shërbimet all inclusive kundrejt paketave 50 euro personi ndërkohë që vetëm hoteli për një dhomë standarde dyshe luhatet mes 20 dhe 50 euro.

– Vlora. mbetet pothuajse në nivelet e vitit e kaluar në lidhje me çmimet, Zonat me çmime më të përballueshme janë Radhima dhe Orikumi ku mund të gjesh edhe dhoma me 30 euro.

– Saranda është e dyta pas Durrësit për turizmin e organizuar. Lidhur me strukturat akomoduese, çmimi mesatar minimal është 40 euro nata ndërsa ai mesatar maksimal, është 110 euro nata.

– Jali dhe Dhërmiu, ofrojnë dhe çmimet më të shtrenjta në, ku arrihet deri në 300 euro nata. Ndërkohë, përveç fjetjes, çmimet e kripura vihen re dhe te shërbimet e tjera si p.sh., shezlongu që në disa raste shkon edhe 10 mijë lekë të reja.

Polakët ia mbathin nga Shqipëria, zgjedhin Greqinë dhe Turqinë. Arsyet: Çmimet vetëm në rritje dhe plehrat

Numri i turistëve polakë ka rënë gjatë këtij viti. Shifrat zyrtare tregojnë se për periudhën janar-maj 2019 kanë hyrë në vend 13 mijë shtetas polakë, me rënie 4.2% me bazë vjetore. Tkurrja ishte më e lartë në maj, kohë që përkon me fillimin e sezonit turistik. Sipas INSTAT, në muajin maj polakët, shënuan rënie me gati 13% në raport me majin e kaluar, kjo për shkak të problemeve që ka Shqipëria me shërbimet, infrastrukturën. Pushuesit polakë kanë theksuar se një nga arsyet kryesore të largimit nga Shqipëria është rritja e herëpashershme e çmimeve. Polakët vlerësojnë se me të njëjtin çmim, mund të blejnë të njëjtat pushime në Greqi ose në Turqi, në hotele shumë më të mira. Shumë njerëz nga Polonia zgjedhin Greqinë dhe Turqinë, sepse kanë imazh më të konsoliduar turistik. Ndërsa në Shqipëri, opinioni që mbizotëron është ai i një vendi të ndotur, të mbushur me plehra dhe me mungesë koshash.

Çmimet e kripura që ndryshojnë vit pas viti duket se ka shtyrë turistët që jo vetëm të mos kthehen për herë të dytë, por të zgjedhin shtetet afër Shqipërisë, të cilët ofrojnë jo vetëm çmim më të lirë, por edhe shërbim më cilësor. Në fakt në jugun e Shqipërisë mund të gjesh sot çmime të çmendura për dhoma që shkojnë deri në 300 euro nata