Totozani raport në Kuvend: Të shqyrtohen sa më shpejt kërkesat e pronarëve

    353
    Avokati i Popullit ka dorëzuar në Kuvend një Raport të Veçantë “Mbi problematikat që lidhen me të drejtën e pronës”. Në këtë Raport të Veçantë janë evidentuar një sërë problematikash të konstatuara në vite, për shmangien e të cilave janë dhënë një numër rekomandimesh, të cilat do të duhet të gjejnë pasqyrim në projektligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompesimit të pronave”.
    Ndërsa dje pas insistimit të Avokatit të Popullit u realizua edhe një dëgjesë e grupeve të interesit me përfaqsuesit e Komisionit Parlamentar të Ligjeve për projektligjin e ri të pronave.
    Rekomandimet e dhëna, në Raportin e veçantë për çështjen e pronave kanë të bëjnë me;
    1. Marrjen e masave të menjëhershme të cilat mundësojnë shqyrtimin në një afat sa më të shpejt të kërkesave të administruara për njohjen me të drejtë kthimi apo kompesimi të pasurive të paluajtshme.
    2. “Miratimin sa më parë të jetë e mundur i listës së pronave që vihen në dispozicion fizikë, sipas shkronjave “a” dhe “b” të nenit 11 të Ligjit Nr.9583, datë 17.07.2006, si dhe mënyrat e vendosjes së këtij fondi në dispozicion të AKKP”.
    3. “Marrja e masave sa më parë të jetë e mundur për evidentimin e të gjithë vendimeve administrative dhe gjyqësore të dhëna prej Vitit 1990, e deri më sot, sipas të cilave është vendosur për njohjen, fitimin e të drejtës së pronësisë së paluajtshme apo një të drejte reale mbi atë, si dhe dërgimin e tyre për regjistrim pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme përkatëse”.
    a) Për pronat e paluajtshme të zëna me objekte shtetërore, ka ndodhur që subjekteve të shpronësuara nuk u është dhënë mundësia e ushtrimit të së drejtës së parablerjes mbi këto objekte kur ato janë privatizuar.
    b) Lidhur me krijimin e një mekanizimi të ri efikas për kompesimin e subjekteve të shpronesuara gjatë regjimit komunist, si dhe transformimit dhe rolit të AKKP-së, në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave pronarëve të shpronësuar
    4. Nxjerrjen rregullisht të aktit nënligjor për kompesimin financiar të të shpronësuarve për çdo vit në bazë të Ligjit nr.10 239, datë 25.02.2010 “Për krijimin e fondit special të kompesimit të pronave’’
    5. Bërjen publike të fondit të kompesimit fizik sipas V.K.M. nr. 1077, datë 18.06.2008 “Për krijimin e fondit të kompesimit fizik nga fondi pyjor dhe kullosor’’.
    6. Bërjen publike të fondit të kompesimit fizik sipas V.K.M. nr. 868, datë 18.06.2008 “Për krijimin e fondit të kompesimit fizik nga fondi i tokës bujqësore’’.
    7. Krijimi i databases dhe pozicionimit hartografik të pronave për të cilat disponohen nga AQSH, Kadastrat, (sot – ZAMT) në Qarqe, Hipotekat (sot – ZVRPP), të dhëna pronësie para zbatimit të Ligjit “Mbi reformën agrare”, Viti 1946.
    8. Përfundimin e procesit të regjistrimit fillestar sistematik të pronave ne ato zona kadastrale ku është vendosur per njohjen dhe kthimin/kompesimin e pasurive të paluajtshme. (Pasi pengohet pajisja me kartele pasurie si dhe harte treguese e pasurise së paluajtshme e të interesuarve qe kane përfituar sipas Ligjit “Për kthimin dhe kompesimin e pronës”).
    9. Rritjen e shkallës së koordinimit midis institucioneve që trajtojnë çështjet e pronësisë
    10. Përfundimin e proçesit të kthimit dhe kompesimit të pronave, proçesit të legalizimit dhe atij të vlerësimit të titujve të pronësisë brenda afateve ligjore.
    11. Përfundimin sa më pare të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme dhe dixhitalizimin e të dhënave.
    12. Futjen në sistemin e regjistrimit të tokave të ndara në pronësi familjeve bujqësore në shumë zona të vendit, nëpërmjet sigurimit të fondeve financiare dhe burimeve njerëzore për Zyrën Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
    13. Ngritja e komisioneve të veçanta dhe nxjerrja e akteve ligjore dhe nënligjore për zgjidhjen përfundimtare të pronësisë se tokës bujqësore, të marrë në përdorim nga subjektet përfituese, si ish punonjës të Kooperativave dhe Ndëmarrjeve Bujqësore.
    14. Rishikimin e modaliteteve për kompesimin në mënyrë që të reflektojnë udhëzimet e dhëna nga GJEDNJ për çështjet e pronësisë.
    15. Kompesimi, siç parashikohet nga Ligji nr.9235, datë 29.07.12004, “Për kthimin dhe kompesimin e pronës”, të ndryshuar, të mos kryhet kryesisht në të holla, por të shihet me përparësi përdorimin e metodave alternative të kompesimit.
    16. Llogaritjen e numrit të përgjithshëm të vendimeve administrative që njohin të drejtën e pronësisë, me të drejtë kompesimi, me qëllim llogaritjen e shumës së përgjithshme të kompesimit.
    Sigal