Sigal

Nga Mustafa Faja

Duhet ditur, me sa kam dëgjuar, me sa kam lexuar e ecur në këmbë, qyteti im, i Shijakut, nuk është prapa nga lashtësia, që nga emërtimi apo dhe nga gjetjet arkeologjike nëntokësore. E Shijaku I ndodhur në mes të Durrësit dhe Tiranës ka vlera, ndoshta dhe territoriale apo hapësinore, si nga toponimia, mikrotoponimia, a onomastika me prejardhje ku dëshmitë e gjalla janë: Emërtimi i qytetit nga “Shën Jak”, varrezat e vjetra në fshatra Eminas i Vogël dhe disa dynymë me varre te ish-kryeqendra “Kuç” të para 2-3 mijë vjetëve, Kodra e Burgut, Kroi i Conit të Begut, Bodinoku, Breg Gjeta, Kodra e Bollgurit me ujin që nuk ndalonte kurrë poshtë të cilit ishte dislokuar ushtria e Jul Çezarit, Përroi i Gjyshit me Herakliun, apo Romanati a Preza në largësi, Peqinsen, Skurajt, pa harruar dhe kodrën e Vishkullit ku jetonin Deliallisët (Pashabejtë) që jetonin këtu që nga viti 1470, dhe mos të harrojmë toponiminë e vjetër a të re të krijuar nga sistemi në sistem duke plotësuar toponiminë e dy-krahshme.

Qyteti i Shijakut

Qyteti i Shijakut kufizohet nga lindja me fshatin Metallaj dhe fshatin Shahinie pakërisht, nga jugu me fshatin Gjepale e Terzie, nga perëndimi me Katër Rrugët e Balliasin e fshatit Rreth, nga veriu me Koxhasin e Boraken; ku prej vitesh banojnë Kruetanët, Keçtë, Dervishsultë, Kërtajtë, Kastë, Jevgjitët, si dhe Çamët. Toponimia, pra dhe mikrotoponimia, duke pasur një studim të plotë, me të cilin jam marrë prej shumë vitesh, si gjuhëtar, ka rëndësinë e vet për shumë probleme. E këto të bindin për shumë probleme të tjera në zhvillim. E më vonë në qytetin e Shijakut, të formuar nga tri lagjet: “Popullore”, më e madhja, “Kodra”, ku banorët e saj të parë u dislokuan në kodër dhe lagja “Erzen” e cila u banua nga Kruetanët të ardhur këtu para 100 e ca vitesh. Ndërsa në lagjen “Popullore” banonin Deliallisët si fisi më themelues i qytetit, që nga vitit 1880, e populluar më vonë nga fisi “Keçi”, “Dervishsuli”, “Vezi”, “Shahini”; lagja “Kodra” me Arbanët, Jevgjitët te “Përroi i Gjyshit”, Kastë e Kërtajt, dhe Domtë te Xhamia etj. Por, siç thamë në fillim, toponimia filloi të lindë në pellgun e Shijakut shumë, shumë herët me banorët e parë, që kur ishte kisha e “Shën Jakut”, e cila i dha dhe emrin qytetit. Që pas themelimit të Durrësit në vitin 627 p.e.s, Shijaku në këtë kohë kishte zhvillim të madh, sepse shtrihej përgjatë rrugës “Durracium-Lissus”.Megjithatë dy janë variantet e toponimit “Shijak”. Në variantin e parë, qyteti e ka marrë prej kishës së “Shën Jakut”, e ngritur këtu në periudhën e Mesjetës, pranë depozitës së ujit të pijshëm të qytetit. Për këtë dëshmojnë rrasat e gjetura nga banorët. Bile thuhet se kjo kishë u shkatërrua nga Sundimi turk, si kudo në Shqipëri. Nga të dhënat e Defterit të regjistrimit të vitit 1431-32, Shijaku bënte pjesë në Timarin e fisit të “Skurajve”, ku del i regjistruar si pjesë e Sanxhakut të Shqipërisë, që në kohën e Mehmetit I, po me emrin toponimik “Shën Jak”, ku merr ndryshimet që e çon në “Shijak” këtë emërtim toponimik. E duke ndjekur ndryshimet morfologjike dhe gjeotopografike në kërkim të prejardhjes gjuhësore historike të emrit, kalojmë nga “Shën Jak”, “Shënjak”, e duke hequr bashkëtingëlloren tingëlluese “-nj”, ku zanorja “-ë” kthehet në “-i” kemi toponimin e sotëm “Shijak”; ku më vonë pas rënies së “-n”-së hundore fjala “Shënjak” bëhet “Shijak”, toponim ky që e mban sot qyteti im (jonë), ku banori i këtij qytetit quhet “shijakas”. Që nga sundimi turk, nga Lezha e poshtë, në Shqipërinë e Mesme, sidomos në fushat e Tiranës, Durrësit e Shijakut, shtriheshin tokat e Toptanasve e të Bejlerëve, duke ia marrë popullit me anë të ligjeve grabitqare të nxjerra nga qeveritë për të formuar çifligjet e tyre në këto prona në fund të shek. XVIII e në fillim të shek. XIX, siç ishin “Alltunët” e Kavajës – shkruan studiuesi Ligor Mile për Konferencën Albanologjike 1969 të hedhur në volumin e dyte, faqia 75.

Në vitin 1915 tokat e Shijakut e të Kavajës, do s’do u futën në Sanxhakun e Durrësit.

Toponimia e qytetit të Shijakut, sipas lagjeve apo banorëve, a ndërtimeve, ka rëndësinë e saj popullore gjuhësore. P.sh.: në lindje të qytetit kemi kodrën e Vishkullit, emër ky që i dha toponimin vendit, një vishkull i madh që u pre nga austriakët gjatë sundimit të tyre pas vitit 1512. Kodër e pikës ushtarake nga sundimi në sundim, me pamje drejt Durrësit, ku më vonë ky toponim zëvendësohet me toponimin “Kodra e Pashabejve”, ku banon këtu Ali Pasha me të birin, Pashin, me prona të mëdha që nga viti 1470, të shtrira që nga fshati Bodinok deri te ura e Dajlanit e Mali i Robit në Kavajë. Më vonë kjo kodër quhet dhe “Ke Deliallisët”, të cilët pasi themeluan qytetin e tyre patën dhe lagjen e tyre të vogël, që quhej “Lagja e Pashabejve”; popullatë e vogël me përbërje intelektuale, kur i thonë: të cilët ishin në punë të vet dhe dashurues të ndershëm të qytetit të tyre. Pra, jetonin këtu nën hijen e 300 e ca rrënjëve ullinj, që i preu më vonë “ish-kooperativa” sipas reformës “grabitqare” diktatoriale. Më vonë, pas kësaj kodre e mes përmes saj, mbi banorët e Fisit Deliallisi, në vitet 1914-18, në kohën e Austrisë, kalonte Dekovili nga Tirana për në Durrës, që u prish po me ikjen e sundimit austriak. Toponimi “Ke Keçtë” u formuar nga fisi “Keçi”, i ardhur këtu nga fshati Terzie, ku edhe këto të ardhur nga Malësitë e Tiranës, që para afro 200 vjetësh. Apo dhe toponimi “Dervishsultë”, të ardhur nga Ndroqi, siç kemi dhe në lagjen “Kodra” Kërtajtë e Jevgjitët, të ardhur te Përroi i Gjyshit. Toponimi “Dervishsultë” i formuar nga bashkimi i emrave të dy vëllezërve Dervish dhe Sulë që u shkrinë si mbiemër në kohën e Zogut te fisi “Keçi”. Pas toponimit fisnor “Keçi”, kemi në veri-perëndim toponimet “Baxhja”, “Stonorja”, “Bëlbuca”(tokë moçalore me shumë xunktha), “Arat e Malokut” e një pronari të ardhur këtu nga Shëngjergji i Tiranës. “Çerdhja” si toponim pranë fisit “Vezi”, që ishte plot gjineshtër, shkurre e ferra. E më tej “Përroi i Ukut”, ku shumë vite më parë, buzë rrugës, sot, që shkon për në fshatin Terzie, ky vend me pyje e shkurre ishte vendkalim i ujqërve, pra vend i frikshëm për të kaluar, madje edhe ditën. “Dushku” si toponim, ku banojnë sot çamërit e Shijakut, e mori këtë emërtim nga druri i shumtë i “dushkut”. “Gjymkët” ose tubat që ishin vendosur përgjatë rrugës së Luginës së sotme, ishin në formë gjymi (lloj ene mbartëse e ujit). Ndërsa “Çajra e Aliagëve”, quhej vendi ku jetonte fisi Aliaga, që u zëvendësua më vonë me toponimin e ri e të bukur “Ke Shkolla”. “Mëhalla e Bejlerëve”, që ishte një bark i fisit Deliallisi të ardhur këtu nga fshati Shahinaj, u zëvëndësua më vonë me toponimet “Te Fabrika” apo “Te Komunalja”. Kurse toponimi “Te Laknortë” u zëvëndësua më vonë me emërtimin “Te Kinemaja”, “Te Policia”, “Te Sahati” etj. Kështu filluan të dalin toponime e mikrotoponime të reja, apo “Te Shtrazjonët”, që ishin banorë të ardhur këtu nga fshati Shtrazë. Në lagjen Kodra banorët që jetojnë në Kodër kanë toponiminë e vet, si “Kodra e Topit”, ku ishte më parë Kisha e Shën Jakut, mbi depozitë, ky emërtim toponimik fetar më shumë u krijua nga muaji Ramazan, ku fëmijët këndonin të gëzuar kur fillonte iftari:

“Ra, ra topi mun ke sopi (bregu),

Ra, ra lodra mun ke kodra”.

Matanë rrugës për te Kërtajtë e Kastë apo Xhaftë, ishte “Përroi i Gjyshit”, ku ky vend toponimik e mori këtë emërtim ngaqë banonte këtu një gjysh mbi 100 vjeç në një shtëpi qerpiçi me origjinë nga fshati Metallaj. Brigjeve të këtij përroi banorët e kësaj mëhalle që ne e quajmë “Mëhalla e Jevgjëve”, që janë njerëz punëtorë me duar të arta për transformimin e hekurit në vegla pune, të ardhur nga Ndroqi.

Pak histori

Toponimi “Bregu i Erzeni”. Sipas gjurmimeve te mia lumi i Erzenit është mbi 92km i gjatë. Rrjedh nga Mali me Gropa, pranë Shëngjergjit të Tiranës, ku kam parë në Tetor të vitit 1983 edhe ariun duke pirë ujë këtu. Në Iliri Erzeni quhej “Argentarium” (lat.) – Shqip: Argjend, Ergjend. Ujësjellësi i vjetër i Durrësit i ndërtuar, në vitin 117, e merrte ujin nga Ululeusi (Erzeni) në Romanat, ku ndërtesën e ndërton në Arapaj. Duke qenë se Romanati ekzistonte si qendër e madhe që nga lindja e Dyrrahut. (Këtë ma ka thënë arkeologu më me emër, studiuesi i paharruar, Vangjel Toçi, në vitin 1982, në zyrën e të cilin kam çuar disa gjetje me vlera të rralla nga zona e Likeshit, prej vendit toponimik Peqinsja, siç e kam thënë dhe më parë në një tjetër shkrim). Kronistja bizantine, Ana Komnena, duke përshkruar luftimet e Durrësit, në vitet 1081, lumin Erzen e quan “Harzan”; ndërsa Ambasadori Venedikas Bernardo në relacionet e vitit 1509 e përmend lumin me emrin “Arzenta”. Kurse shkrimtari patriot shqiptar Mihal Grameno, në vitin 1907, te gazeta “Kombi” Erzenin e shkruan me trajtën dialektore “Arzen”. E ky emër, që formoi toponimin “Bregu i Erzenit”, kaloi nëpër këto trajta gjuhësore sipas ndryshimeve morfologjike: “Harzani”, “Harzanes”, “Erzenda”, “Arzenta”, “Arzenza”, “Arxhendaro”, “Arzen”, dhe më së fundi, sot, “Erzen”. E kur inxhinieri francez, pasi ndërtoi urën e qytetit të Shijakut me urdhër të Ahmet Zogut në vitin 1926, kur i lindi e shoqja vajzë në Paris, i vendosi të bijës emrin e lumit, “Arzenta”. Ç’krenari për ne!. Ah, ç’emra të bukur ka vendi ynë! E kjo urë, edhe pse u shemb nga shqiptarët në 39-n, historia, toponimi mbetet. Lum ne shijakasit që e kemi këtë breg lumi! Na jep ajrin e pastër që na zgjat jetën. Patjetër, e mbron qytetin tonë edhe nga përmbytjet. Është lumi më i bukur në Shqipërinë e Mesme, i cili kalon mes përmes Shijakut.