Të gënjesh me altoparlant

1352
Sigal

Nga Petrit Brahollari

S’është fjala për ata që shesin rrugëve e sokakëve, mjaltë, që s’ka lidhje me bletët. As për ata të shesheve dhe skutave, që vajin e ullirit, ta japin të pa shtrydhur nga ullinjtë. Për qumështin, që shitet në trotuar, por që s’milet nga blegtoria, jo e jo. Këto, e shumë të tjera produkte bujqësore e blegtorale, konsumatori i gëlltit çdo ditë. Ajo çka do trajtojmë është uji i pijshëm, që tregtohet me autobote nëpër lagjet e Tiranës. E veçanta është se, shpërndarja e tij, bëhet me ndihmësen e altoparlantit, në formë hinke metalike, në majë të kabinës së automjetit. Altoparlantët përçojnë fuqishëm zërin e incizuar “Erdhi uji i Selitës”, “Hajde, se uji po mbaron”, etj., etj., gënjeshtra në mes të ditës dhe jo me zë të ulët, por të lartë e kumbues, aq sa gënjeshtra merr dhenë. Nëse doni ta vërtetoni, a është ujë Selite, mos më besoni mua, por ndiqni zërin e altoparlantit dhe iu çon te origjina. Altoparlanti është udhërrëfyes i palodhur. Ai të çon dhe ku ka ujë pusi dhe Boville. Ku ka ujë për t’u larë dhe ujë për t’u pirë. Të çon te rrjedha e përrenjve, që zbret nga Dajti, poshtë gurores, në terren të hapur, në shoqërinë e plehrave të blegtorisë, por mos e lodh mendjen të mendosh për derdhjet e mbetjeve nga lokalet, në mesin e malit.

Altoparlantët të çojnë në shtatë çezma dhe s’të japin ujë. Ata të japin ujë vetëm në një çezmë, në çezmën e dëgjuar te Gurra e Selitës së Madhe. Populli tashmë është ndërgjegjësuar, di çfarë ha dhe di çfarë pi. Ngaqë nuk është qibar dhe ushqehet bollshëm, po e konsumon dhe gënjeshtrën, me altoparlantë reklamuar “Ujë Selite”. Më tepër se çdokush janë të kënaqura institucionet përgjegjëse, ku altoparlanti është muzikë dhe vals i bukur për t’u kërcyer me notat e indiferentizmit. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, autoriteti më kompetent, ku populli beson shpirtin, e ka të lehtë t’i bëjë analizat ujit dhe t’u kërkojë llogari biznesmenëve trima, që guxojnë të gënjejnë me altoparlantë. E lehtë, shumë e lehtë, inspektorët në terren, të ndjekin zërin e altoparlantit dhe do mësojnë origjinën e ujit. Analizat do ta shpëtonin konsumatorin, e do të vinin përpara përgjegjësisë ligjore, mashtruesit e zëshëm. Njëherë e përgjithmonë, humbiste zëri i altoparlantit. Hetimi tatimor, nëse e ka sadopak ndjenjën e përgjegjësisë – t’i afrohet akustikës mashtruese dhe aty do mësojë mbi deklarimin e biznesit, kartën fiskale, a kanë faturë shoqërimi botet apo mjetet të modifikuara për ujin, kuponi tatimor apo çfarë tjetër, që vetë inspektorët e kanë të qartë. Beteja me mashtruesit altoparlantë, është e fituar. Vetëm, pak motiv për punë. Për ndotjen akustike që po konsiderohet si muzikë gjumi apo dëmin që shkaktohet te qytetari për cilësinë gënjeshtër, çuditërisht shikojmë indiferentizmin e policisë. Altoparlantët trima, i përplasin valët te patrullat e policisë e deri te muret e komisariateve. Për fëmijët e shkollave nuk pyeten a shqetësohen gjatë studimit. Nuk pyeten qytetarët e lodhur nga punët, a i shqetëson zëri i altoparlantit, të sëmurë, e rekomanduar për qetësi nga mjeku, mesa duket e kanë ilaç shtesë dhe falas nga biznesmenët e ujit, zhurmën e çmendur të altoparlantëve. Policia nuk përgjigjet vetëm për ndotjen akustike, por edhe sigurinë e ushqimit. Po ta ndjekin zërin e altoparlantit problemi është i kapur në flagrancë dhe hetohet fakti që rrezikojnë shëndetin e qytetarit. Në forumet e policisë me qytetarët në rrethe, dëgjojmë ligjërata drejtuesish se detyra e policisë është dhe siguria e qytetarit te ushqimet dhe uji. E kundërta po ndodh, ujin gënjeshtar dhe pa origjinë, konsumatori e pi me grykën e altoparlantit. Policia ka objektiv dhe interes të përbashkët me qytetarin, kontratë e firmosur nga të dyja palët. Bashkërendimi AKU, tatime e polici nuk mbaron duke ia lënë në prehër njëra-tjetrës. Kur ndodh kështu, punët nuk bëhen, jeta normale është e tronditur dhe legjitimiteti me qytetarin është i humbur. Operativiteti dhe marrja e masave në kohë ndaj gënjeshtrës me altoparlantë nga toka do mënjanonte përmasat e saj me dron nga ajri. “Sa të rrojmë, të mësojmë”, thotë populli. E mësuam dhe gënjeshtrën me altoparlantë.