“Takohemi në fb”, estrada e të rinjve të qytetit të Vlorës

752
Sigal

“Takohemi në FB” – Estrada e të Rinjve të Vlorës

 

Duket se në Vlorë ka marrë udhë një Estradë e re, me djem e vajza të reja, që do të çojnë më tej traditën e bukur të humorit vlonjat. Qyteti i Vlorës ka përjetuar një ngjarje artistike që pritej dhe dëshirohej prej vitesh. Për tre net me radhë, në datat 24, 25 e 26 maj, Estrada e të Rinjve të qytetit ka dhënë shfaqjen “Takohemi në FB”. Artdashësit e Vlorës e kanë mbushur plot e përplot sallën e teatrit “Petro Marko” duke ju dhuruar aktorëve të rinj duartrokitje dhe urime të shumta.
Libreti i shkruar nga gazetari dhe shkrimtari i qytetit bregdetar Ergys Alushi me regji të Mjeshtrit të Madh, Afrim Agalliu e muzikë të Viktor Rapushit ka ngjitur në skenë një grup të rinjsh, të cilët premtojnë shumë për të ardhmen. 8 skeçe, 5 parodi, 3 monologë bashkë me 5 këngë e dy numra kërcimi, të prezantuara me mjeshtëri nga gjimnazistja Greta Canaj, ka qenë repertori i shfaqjes që është plotësuar me skenografinë e punuar thjeshtë e bukur nga piktori i teatrit Petraq Stefani e ndriçim të Saimir Sadikaj. Natën e parë të premierës, në përfundim të shfaqjes janë ngjitur në skenë dhe 4 Parodistët e Vlorës, 4 mjeshtrat e Mëdhenj, Agron Hamo, Muhamet Liko, Mane Lumani e Afrim Agalliu. Ata i kanë uruar të rinjtë për shfaqjen, duke i nxitur e këshilluar që të punojnë shumë për të vazhduar traditën e bukur të humorit e parodisë vlonjate, kjo e fundit prej dekadash ka qenë ekskluzivitet i 4 parodistëve të Vlorës. Libretisti i shfaqjes së parë të Estradës të të rinjve, Ergys Alushi, thotë për gazetën “Telegraf”, se gjithçka filloi me një parodizim të këngës “Komshija” të grupit “West Side Family”, që kishin ardhur në Vlorë në verën e vitit 2018 dhe dy të rinjtë Gentian Këllçiu e Anteo Salikaj kërkuan t’ju bënin një surprizë. Pas kësaj me dy të rinjtë u bashkuan edhe Eduard Ismaili e Blero Çipi, duke plotësuar katërshen në ngjashmëri me katërshen e njohur në të gjithë vendin të parodistëve të Vlorës. Gjatë përgatitjes së shfaqjes së parë, grupit iu afruan dhe studentja e vitit të tretë në universitetin e Vlorës, Adriana Leka, e cila në shfaqje ishte pjesë e parodisë “Meshkujt e trotuarëve”dhe Albano Merkaj.
Gazetari Alushi falënderon bashkinë e Vlorës që financoi shfaqjen duke uruar që ky financim të vazhdojë për të siguruar vazhdimësinë e grupit dhe të shfaqjeve të tjera në muajt në vazhdim. “Kryetari i bashkisë, Dritan Leli na ka siguruar se do të na mbështesë dhe se e ka sfidë ripërtëritjen e Estradës së Vlorës me elementë të rinj”. Ai siguroi se bashkë me të rinjtë ka nisur nga puna për një shfaqje të re, me materiale krejtësisht të reja, që do të jetë gati në muajin tetor.