Takim brezash në Vërmik

1260
Sigal

Komuniteti Vërmikas në rrugën 15 vjeçare të një tradite

Seri Tushi

Komuniteti Vërmikas në rrugën 15 vjeçare të një tradite, tashmë të konsoliduar, kanë ditur të organizojnë dhe të festojnë ashtu si dikur në vendin e të parëve të tij, nën drejtimin e shoqatës Atdhetare-kulturore-Vërmiku dhe pleqësisë së fshatit. Tradita ka gjurmët e veta, në ecurinë kohore të këtij komuniteti. Vlera dhe virtytet më të mira po hedhin rrënjë, ato janë sa shprehëse dhe motivuese për të ardhmen, ato lartësohen çdo ditë brenda traditës, aty gjejnë vetveten dhe flasin shtruar me tabanin që i dëgjon dhe vlerëson aq shumë. Tri vetitë shpirtërore të njeriut janë,qëndresa, shpresa dhe besimi. Qëndresa lidhet me këmbënguljen, shpresa cilësohet si ndjenjë për të ardhmen, e cila quhet e nesërmja,sepse kjo është mundësia e dytë që të ofron jeta, besimi quhet çdo gjë që i ngre moralin njeriut lartë. Të tria këto veti së bashku konsiderohen si një lloj feje e re që e udhëheq njeriun në jetë. Jemi krenar për vlera të tilla ku bijtë tanë Vërmikas i kanë pasur dhe evidentuar gjatë gjithë kohës. Shohim breza që gjenerojnë vlera të tilla, shkëndija të një tradite që nuk shuhet lehtë. Vlera të tilla të lartësojnë, ato janë shprehje e sakrificës njerëzore. Lëvizjet demografike të pa orientuara mirë dhe me vizion jo të qartë ishin një plagë që prekën pothuajse gjithë shoqërinë Shqiptare. Për komunitetin Vërmikas çoi në një realitet të dhimbshëm, në tkurrjen e pranisë njerëzore, prandaj vlera e ringritjes shpirtërore është një domosdoshmëri. Plaga e shkaktuar prej zhgënjimeve të realitetit po shërben si një motiv më shumë për një ringritje. Të nxitur nga trishtimi që na shfaq realiteti, e gjejmë shpesh veten në përqafimin e ngrohtë dhe të sinqertë të ëndrrës sonë të përbashkët, në të cilën nuk do të donim të largoheshim kurrë. Edhe kur faktorë të ndryshëm si për ironi të fatit të bëjnë të ndihesh i vogël, sa pikëza e ujit, gjejë madhështinë tek ëndrrat e tua. Ato male të larta, që pa drejtësisht duket sikur flasin me harresën presin nga bijtë e tij shpresën, dhe sot më shumë se kurrë bëjnë thirrje: Harresën nuk e pranojmë dot, jemi mësuar në shekuj me praninë tuaj. Natyra e atij vendi, aq sa bujare për njerëz , aq edhe krenare me vlerat e saj , në një farë mënyre dhe imponuese po e ndjen çdo ditë dhe më shumë vetminë. Festa “Takim Brezash” në çdo vit, datë 22 Qershor e sivjet më 1 Korrik 2018, nderet dhe lezetet e atij vendi, që di t’i bëjë Vërmikasi, nuk pajtohen me hiret e kësaj natyre kryeneçe, ajo zbehet dhe bëhet e pafuqishme përballë kësaj zemre të madhe njerëzore, ku thellë në brendësi ka nostalgjinë e së kaluarës, dhe reflekton njëkohësisht dhimbjen për atë , ç’ka këta njerëz meritojnë për më shumë. Jeta nuk jetohet në mënyrë perfektë, por afrohet drejtë perfeksionit, ajo është një e vetme, prandaj e thënë thjesht: Jeto jetën që do. Veprimtaria festive “Takim Brezash” , tashmë është kthyer në traditë qysh në Qershor të vitit 2003, ku çdo vit , nga ky komunitet, krahas takimeve dhe çmalljeve me njëri-tjetrin, në shumë raste shuajnë dhe nostalgjinë që është më se normale, për njerëzit që kanë një shpirt të madh, ku për kënaqësinë e tyre , është realizuar një detyrim moral, ai i ruajtjes së traditës të komunitetit që ne përfaqësojmë, Vërmikut të Kurveleshit dhe ja fryti i parë. Aty ku gurgullon uji që zbret nga mali ku tretet bora, aty ajri është i freskët dhe i mbushur me oksigjen , aty ku gumëzhit zhurma e lumit që zbret neper katarakte të vogla me ujin e kristaltë që merr nga burimet e shumta afërsisht 100 të tillë, aty ku gjelbërimi është gjithë vjetor, aty mbin edhe lulet e para ( shtëpitë e reja ) të mbjella e të ndërtuara nga djemtë Vermikas si vëllezërit Tushi, Gjergji Bleta, Aleksandër Alimuci dhe vëllezërit Lloi e bijtë të tjerë Vërmikas do të vazhdojnë rindërtimin e shtëpive të tyre. Një tjetër familje Vërmikase që bën investime ne Vërmik e zonë janë djemtë e Sinan Mizurit: Eduart, Loro e Kastriot Mëzuri. Në këtë takim “brezash” që komiteti Vërmikas dhe dashamirës të Vërmikut dhanë një kontribut të madh për ribërjen e rrugës automobilistike e cila nga kushtet e motit dhe pasojat e tërmetit te cilat e dëmtuan tre herë, por Vermikasit e bënë të mundur dhe e ribënë rrugën 3 herë deri sa realizuan takimin e tyre më 1 korrik 2018. Përveç Vermikasve në këtë takim na nderuan me ardhjen e tyre deputeti i zonës Z.Vullnet Sina, i cili erdhi familjarisht në këtë takim. Ai ne bisedë ndërmjet të tjerave tha: Mua më konsideroni Vërmikas. Në këtë takim brezash na nderoi me pjesëmarrjen e tij biri Vermikas Agim Çiraku me familjen dhe dy nipërit e tij. Fisi Çirakaj një fis i vogël në Vërmik por ka nxjerrë burra e gra të fjalës e të kuvendit, të pushkës e të penës, të sofrës e të muhabetit si Kolo, Faslli, Avduraham, Xhule, Hamet, Qemal dhe Ladife Çiraku, me emër ne Vërmik në Vlorë e më gjerë. Në biseda e muhabete tavolinash Agimi mësoi shumë gjëra për fshatin, historinë e këtij fshati dhe për fisin e stërgjyshërit e tij. Ai u shpreh ndërmjet të tjerave: Unë në këtë takim mësova shumë, më shumë për Vërmikun dhe Vërmikasit, të cilët kanë pas ndërtuar një fshat model këtu në mes të dy maleve Kendrevicës dhe Çipinit, largohem me shumë njohuri dhe mbresa, për Vërmikun, për Vërmikasit dhe për brezat në çdo periudhë historike. Pas një dreke të shijshme në një ambient ku dëgjohej shushurima e ujit që zbriste në formë ujëvare, dhe aty tek tavolinat vinte ajri që freskohej nga kjo ujëvarë. Kaluan 7-8 orë me biseda e kuvende me vlera historike e shoqërore. U ndamë duke përqafuar njëri tjetrin, por me një premtim: “Mirë u takofshim vitin tjetër në takim brezash në Vërmik!”

 


Takim Brezash, 1 Korrik 2018