Sigal

Prof. Dr. Agron F. Fico HC

Eposi heroik shqiptar, apo siç njihet edhe “Këngët e kreshnikëve”, është një krijimtari e lashtë artistike-kulturore e kombit shqiptar , që jeton gjallërisht ende në ditët tona në mjaft vise shqiptare. Këngët e kreshnikëve këndohen dhe shoqërohen me një vegël muzikore që quhet Lahutë. Kjo vegël muzikore u bë mjaft e njohur në masmediat shqiptare edhe për faktin se UNESCO, me një vendim të veçantë, ia dhuroi Serbisë ose, më saktë, autorësinë e lahutës ia njohu Serbisë me emrin Gusla. Në masmediat në Tiranë përveç njoftimit pati edhe ndonjë shkrim të gjatë, që theksin e vinte te shkaqet burokratikë-administrative, që dy ministritë, në Tiranë dhe në Prishtinë, nuk u morën vesh. Në një emision të veçantë nga Marin Mema kushtuar Lahutës dhe vendimit të UNESCO-s pati mjaft mendime të ndryshme, por kryesor ishte mendimi i Marin Memës se “Ky skandal nuk duhet të shkojë në heshtje”. Lexuesi dhe qytetari, që paguan rregullisht taksat, ka të drejtë të pyesë: “Si ndodh që dikush i fal Serbisë Skënderbeun, kur thotë se nëna e Heroit tonë Kombëtar është sllave; ndërsa të tjerë i dhurojnë Lahutën serbëve dhe askush nuk mban përgjegjësi?”

Ata që kanë dhe duhet të mbajnë përgjegjësi janë: Akademitë e shkencave në Tiranë dhe në Prishtinë, ata studiues të tyre që janë marrë me këtë fushë studimi.

Shkaku kryesor qëndron, jo te koha, por te bajraktarizmi, mungesa e një kodi moral të ndershëm dhe të hapur midis intelektualëve të këtyre dy institucioneve.

Në mars të vitit 1996 me ftesë të zonjës Mary Lord, bashkëshortja e Albert B. Lordit, u ftova si mik dhe pata mundësinë të punoj rreth 3 javë në arkivat në Bibliotekën Widener të Harvardit, ku ruheshin koleksione të ekspeditave të Milman Parry-t dhe Lordit në disa krahina të ish-Jugosllavisë në vitet 1930-1937. Në një dhomë të veçantë ruhej edhe koleksioni i materialeve të Lordit, mbledhur në Shqipërinë e Veriut më 1937. (Agron F. Fico, Zbulimi i Eposit Shqiptar në Harvard – Albert B. Lord, Nju Jork, Tiranë, 2016, 207 faqe.) Në librin e përmendur dokumentohet gjerësisht e gjithë puna e bërë, sillen fotokopje të fletoreve, dorëshkrimeve, fotografi, e mbi të gjitha një letërkëmbim i gjerë me zonjën Lord, si dhe mirënjohja ime për mundësinë që m’u krijua. Ky ishte një zbulim me rëndësi historike dhe që bëhej për herë të parë. Pas kthimit në Tiranë shkrova një artikull të gjatë me titull “Baladat shqiptare në arkivat e Harvardit” (Dorëshkrim me Këngë të Kreshnikëve në bibliotekën e Universitetit të famshëm. A la recherche du temps perdu…), që e botova në gazetën “Koha Jonë”, 10 maj 1996, f. 19. Njoftimi pati jehonë dhe u përshëndet nga Prof. Dhimitër Shuteriqi, Fatos Arapi, Dalan Shapllo e të tjerë. Ndërsa për Diasporën shqiptare në Amerikë këtë zbulim e bëra të njohur te gazeta “Albanian Herald”. Lahuta është e pazgjidhshme nga vetë Këngët e Kreshnikëve dhe shoqëruese e tyre. Ajo në duart e rapsodëve është zbukuruar herë me kokë dhie e herë me figurën e gjarpërit, që ka qenë totem i familjeve shqiptare. Fragmenti i parë i këngëve të kreshnikëve është botuar nga albanologu i njohur Gustav Meyer më 1897 në Vjenë. Meyer-i botoi fragmentin e ciklit të Mujit e Halilit, “Tha, dritë ka dalë e dielli nuk ka ra”, të cilin e kam transliteruar dhe është botuar tek vëllimi Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar (1631-1912), Tiranë 1961, nr. 4, f. 503.

Historia e studimeve të këngëve të kreshikëve është e gjerë, ndërsa studimet shqiptare për to janë të diskutueshme, sepse vihen re dy qëndrime të kundërta: Njëra palë që i quan ato me prejardhje shqiptare dhe tjetra me prejardhje serbo-kroate.

Cikli i Kreshnikëve me sa duket është krijuar në një kohë shumë të gjatë. Brenda tij kanë ndodhur ndryshime dhe riformime në procesin e ekzekutimit të këngëve, ku rapsodi është njëherazi këndues, kompozitor dhe transmetues gojor. Prejardhja e këtij cikli duket tepër e lashtë, që nga shoqëria pa autoritet shtetëror, ku sundonte ligji i gjakut, të gjithë anëtarët e fisit ishin të një gjaku dhe nuk mund të martoheshin mes tyre. Këtë e mësojmë nga vetë Halili, para martesës së tij:

Kah kam vlla e kah kam motër,

Deksha para, n’u martosha!

Se gjithë gratë e krahinës, ku janë,

Se gjithë vashat e Jutbinës, ku janë,

Bash si motra po më duken.

(Instituti i Shkencave, Këngë popullore legjendare, Tiranë 1955, f. 154.)

“Mbishtesa e koloritit mysliman të periudhës turke sipër tij s’është veçse një ndryshk i sipërfaqshëm, i cili mund të kruhet lehtësisht, dhe duhet të kruhet, në mënyrë që cikli të shkëlqejë me pamjen e tij të vërtetë. Ai vjen drejt e nga një taban i vjetër shqiptaro-ballkanik, një brumë autokton.” (Ismail Kadare, Autobiografia e popullit në vargje, Tiranë 1980, f. 108.)

“Studimi i etikës së eposit heroik shqiptar do të sillte një këndvështrim të ri për të nxjerrë në dukje atë të veçantën, shqiptaren, në ballafaqimin me variantin serbo-kroat. “Në një shoqëi pa autoritet shtetëror -thotë studiuesi japonez Kazuhiko Yamamoto- marrëdhënia e gjakut është lidhja më e rëndësishme, e cila bën të mundur grupimin intim të njerëzve.” (Kazuhiko Yamamoto, Struktura etike e së drejtës zakonore shqiptare, Tiranë 2008, f. 203.)

Struktura etike e kanunit (fjala është për kanunin e Lekë Dukagjinit), e përbërë prej gjashtë konceptesh: besa, nderi, miku, buka, gjaku dhe hakmarrja, përbën një aparat kulturor, i cili përfaqëson moralin dhe rendin shoqëror në një shoqëri pa autoritet shtetëror. (Po aty, f. 202.)

Poemat e epikës gojore shqiptare, të njohura si Këngët e Kreshnikëve, apo Cikli i Kreshnikëve, thuhet se janë krijuar në malet e Shqipërisë së Veriut. Jetesa në zona të veçuara e të izoluara, si dhe kodi zakonor i Kanunit, që orientonte jetesën e tyre, ushtronin ndikim të madh mes tyre. Në Këngët e Kreshnikëve duket qartë se ka shumë tema të lidhura me strukturën etike të Kanunit. Po sjellim disa elemente të këtyre koncepteve etike që mishërohen edhe në poezinë epike gojore shqiptare.

BESA

Tek “Kënga e Dhoqinës” dhe varianti i saj geg për Halil Garinë bëhet fjalë për mbajtjen e fjalës, besën. Një nënë kishte nëntë djem dhe një vajzë, që u martua larg, shumë larg. Vetëm vëllai i vogël nuk ishte kundër. Të gjithë vëllezërit u vranë në luftë dhe nëna kishte dëshirë të shihte vajzën. Për këtë arsye i kërkoi Konstandinit të mbante fjalën e dhënë, sipas së cilës ai ishte betuar se “edhe nëse vritem, edhe nëse copëtohem, unë do ta sjell Dhoqinën në shtëpi”. Me ta pyetur Konstandinin e vdekur se “Ku është besa që më dhe?!”, ky i fundit u ngrit nga varri, guri i të cilit iu bë kalë. Ai i hipi kalit dhe kapërceu shtatë male, për të sjellë motrën tek e ëma në shtëpi, nga toka e huaj.

NDERI

Tek kënga “Gjergj Elez Alia” thuhet se një bajloz i zi ka dalë nga deti dhe “i ka qitë dheut një rreng të randë”. Ai kërkon derë më derë nga një dash të pjekur, natë për natë nga një kreshnik për ta prerë. I vjen radha edhe trimit të trimave, Gjergj Elez Alisë, i cili kishte plot nëntë vjet që dergjej në shtrat me nëntë plagë të rënda, e motra e vetme kujdesej për të. Gjergj Elez Alia ngrihet prej shtratit e përballet me bajlozin, të cilit i drejtohet ashpër dhe prerë.

Sa mirë trimi i ka përgjegjë bajlozit:

M’ke lypë motrën para se mejdanin,

M’ke lypë berret para se çobanin,

E jam derdhë n’kët’ log për me t’kallzue,

Se ne të parët një kanu na kanë lanë,

Armët me dhanë përpara e mandej gjanë!

Kurrë bajlozit motrën mos me ia dhanë,

Për pa u pre n’atë fush t’mejdanit.

(Këngë popullore legjendare, Tiranë 1955, f. 126.)

Të pafundme janë në këtë epos këngët me motivin e nderit.

MIKU

Te “Kënga Omeri i Mujit”, Muji donte të dinte nëse Omeri ishte apo jo i biri. Ndaj ai kapi dy binjakë dhe u përpoq t’i vriste me shpatë, që të bënte dyluftim. Atëherë djaloshi Omer u ngrit në këmbë dhe e sfidoi Mujin, që ta ndalonte të dëmtonte një mysafir në shtëpi. Tek “Martesa e Halilit”, një djalë i ri, i cili e mori fjalën i pari në kuvendin e burrave, tha: “Atë që tradhton mikun e pret vdekja. Vdekja i pret ata që thyejnë besën.”

Tek cikli “Muji dhe Halili”, Muji i tha të vëllait, Halilit, se shkjatë nuk ishin prej gjakut të tyre. Muji i tha Halilit se Vuku kishte qenë vëlla me gjak me të dhe i kërkoi t’i çonte të fala.

BUKA

Te kënga e “Betejës së Kosovës e vitit 1389”, para betejës sulltan Murati tha se nuk donte t’i merrte me vete ata që kishin ngrënë ushqim të ndaluar nga feja dhe që nuk ishin falur pesë herë në ditë. Atëherë trupat iu përgjigjën sulltan Muratit se nuk kishin ngrënë ushqim të ndaluar dhe se kishin kryer ritet fetare siç duhet.

Te “Martesa e Halilit”, Halili përpara se të ekzekutohej prej duave të krajlit foli e tha se “Vdekja të vjen kur të mungon një kafshatë buke për mysafirin”.

HAKMARRJA

Te “Muji pas vdekjes”, një qyqe po qante mbi varrin e Bojiçin Alias. Kur e ëma e pyeti Alian e vdekur, nëse gjerësia dhe pesha e varrit e rëndonin ose dheu i binte në sy, ai i tha së ëmës të shkojë në Kladushë dhe t’i thotë Mujit të dalë në fushë të duelit për t’u hakmarrë. Dhe e ëma ashtu veproi. Shkoi në Kladushë dhe i tha Mujit, se Alia ju dërgon lajm dhe kërkon të hakmerreni për të rënët.

Halili hakmerret për Mujin, kur e pyet Mujin e vdekur se kush e vrau, se Halili donte ta mësonte këtë fakt me qëllim që të hakmerrej për të.

Shqyrtimi në këtë ese vetëm i pak koncepteve etike në Këngët e Kreshnikëve është si parathënie e domosdoshmërisë për të ndërmarrë studime më të gjera. Konceptet etike në Eposin Shqiptar janë një dëshmi e fortë e autorësisë dhe lashtësisë së eposit ilir-arbëresh-shqiptar, që i bën nder kulturës shqiptare.