Sigal

Pensioni i plotë pleqërie, pensioni i pjesshëm, pensioni social, kushtet për të përfituar pension invaliditeti dhe pensioni i posaçëm

 Përfitimet e punonjësve të shëndetësisë nga sigurimet shoqërore

 Punonjësit e shëndetësisë, në qendra shëndetësore, ambulanca, spitale, dikastere dhe institucione të tjera shëndetësore shtetërore dhe private gjatë vitit 2018, për të përfituar pension pleqërie duhet të plotësojnë këto kushte:

Pension të plotë pleqërie

-Gratë moshën 60 vjeçe e 8 muaj dhe burrat 65 vjeç kur secili ka 36 vjet e 4 muaj punë e më shumë të siguruara në vendin tonë nga mosha 16 vjeç. Vite pune për pension pleqërie për femrat deri në fund të vitit 2032 do t’u njihet edhe periudha e studimeve të larta ditën brenda ose jashtë vendit me ose pa bursë deri në 6 vjet e vërtetuar me kopjen e diplomës së noterizuar. Gratë që plotësojnë moshën e pensionit nga 1 janari i vitit 2032 e në vazhdim nuk do tu njihet periudha e studimeve të larta ditën për pension. Burrave për pension u njihet vjetërsi pune koha që kanë qenë ushtar, sipas vërtetimit të marrë nga dega ushtarake. Nga data 1 janar 2015, masa e pensionit nuk ka tavan, por varet nga shuma e viteve të punës të siguruara dhe paga mesatare mujore bruto për të gjithë periudhat e siguruara të punës.

Pension të pjesshëm pleqërie

-Personat që plotësojnë moshën e pensionit dhe kanë 15 deri 36 vjet e 4 muaj punë të siguruara në vendin tonë përfitojnë pension të pjesshëm pleqërie që llogaritet duke pjesëtuar vitet e punës që ka me 36 e 4 muaj punë të siguruara. Për shembull, një person pavarësisht nga gjinia që plotëson moshën e mësipërme, por ka 18 vjet e 2 muaj punë të siguruara përfiton pension të pjesshëm në masën 50% të pensionit të plotë. Para moshës së pensionit të interesuarit që nuk i kanë vitet e punës për pension të plotë, mund të bëjnë sigurime vullnetare ose si të vetëpunësuar në bujqësi. Për një vit pagesa e sigurimeve vullnetare është 62.208 lekë dhe për një muaj 5.184 lekë, ndërsa për të vetëpunësuarit në bujqësi është më e ulët. Për çdo vit të siguruar pensioni shtohet rreth 2,7% (100% : 36,4 vjet).

 

Pension të reduktuar

-Personat të cilët plotësojnë këtë vit 36 vjet e 4 muaj punë të siguruara, por janë pa punë, apo dëshirojnë të largohen nga puna, u ka mbaruar asistenca, u del lotaria për Amerikë, etj. me dëshirën e tyre kur nuk janë punëdhënës, të vetëpunësuar dhe nuk kanë tokë sipas ligjit, kanë të drejtë të kërkojnë të dalin në pension të reduktuar deri 3 vjet para plotësimit të moshës për pension të plotë, pra deri në fund të këtij viti, gratë 57 vjeçe e 8 muaj dhe burrat 62 vjeç. Pensioni i reduktuar për çdo muaj që merret para pensionit të plotë ulet me 0,6%, baras me 7,2% kur e merr një vit para plotësimit të moshës, po të jenë këtë vit gratë 59 vjeçe e 8 muaj dhe burrat 64 vjeç. Ato që dëshirojnë të dalin 2 vjet para, kur janë 58 vjeçe e 8 muaj pensioni i reduktuar ulet 14,4% (24 muaj x 0,6%) në krahasim me pensionin e plotë dhe kur merret 3 vjet para ulet 21,6% (36 muaj x 0,6%). Ky lloj pensioni shtohet sa herë rriten apo indeksohen pensionet por mbetet i reduktuar për gjithë kohën e pensionit.

 

Pension social

-Sipas nenit 5/1 të ligjit nr.104/2014, personat që plotësojnë këtë vit moshën e mësipërme të pensionit por, kanë më pak se 15 vjet punë të siguruara në vendin tonë dhe nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni, përfitojnë pension social në moshën 70 vjeç nëse është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën pesë vitet e fundit. Masa e pensionit social deri në fund të qershorit të këtij viti është 7.064 lekë në muaj dhe nga data 1 korrik rritet me 2,8% siç rriten gjithë pensionet e tjera në vendin tonë me vendim Qeverie.

Ripunësimi i pensionistëve

-Personat që plotësojnë moshën e pensionit dhe vazhdojnë të punojnë duke paguar kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, mbështetur në nenin 19 të ligjit nr.104/2014, datë 31.7.2014, për çdo muaj që punojnë mbi moshë e vitet e punës për pension të plotë përfitojnë shtesë 0,5% në muaj, baras me 6% në vit.

-Pensionistët të cilët mbasi dalin në pension, ripunësohen në sektor privat përfitojnë njëkohësisht pensionin e shtesat apo indeksimet dhe shpërblimin e vitit të ri që bëhen me vendime Qeverie dhe të ardhurat nga sektori privat, por janë të detyruar të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, njëlloj sikur s’kanë dalë në pension.

-Pensionistët që kanë tokë sipas ligjit dhe merren me aktivitet bujqësor, blegtoral nuk paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, pavarësisht nga të ardhurat që realizojnë, pra marrin njëkohësisht pensionin e të ardhurat nga puna e tyre.

-Në rastet kur ministria e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, mjekët specialist në pensioni dërgon me kontratë në rrethe që kanë nevojë i ndërpritet pensioni sepse në sektor shtetëror nuk mund të marrin njëkohësisht pension dhe pagë dhe gjatë ripunësimit paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, mbas lënies së punës, për çdo muaj të punuar marrin shtesë pensioni 0,5%.

-Nënat që kanë lindur 6 e më shumë fëmijë dhe i kanë rritur mbi 8 vjeç, me dëshirë i lind e drejta të përfitojnë pension të plotë pleqërie në moshën 55 vjeçe, kur kanë gjithsej 30 vjet punë të siguruara në vendin tonë.

Kushtet për të përfituar pensione invaliditeti

-Personat të cilët kanë punuar të siguruar dhe bëhen të paaftë për punë nga sëmundje të përgjithshme u lind e drejta të përfitojnë pension invaliditeti të plotë ose të pjesshëm, mbasi kanë konsumuar 6 muaj raporte mjekësore, janë shtruar në spitale dhe janë pajisur me “Fletë drejtimi për KMCAP” në sigurimet shoqërore. Për të përfituar pension invaliditeti i sëmuri duhet të plotësoj njëkohësisht këto dy kushte: së pari, të ketë punuari siguruar këto vite pune që llogariten sipas kësaj formule: mosha e të sëmurit minus 20, shumëzuar më ¾. Për shembull, nëse një i sëmurë (pavarësisht nga gjinia) është 50 vjeçe, për pension të plotë invaliditeti i duhen këto vite pune të siguruara në vendin tonë: (50 – 20) x ¾, baras me 22 vjet e 6 muaj dhe po të ketë më pak përfiton pension të pjesshëm invaliditeti dhe kushti i dytë është : 5 vitet e fundit para shtrimit në spital të ketë të paktën 12 muaj punë të siguruar gjithsej në Shqipëri në sektor shtetëror, privat, të ketë bërë sigurime vullnetare,i vetëpunësuar në bujqësi përfshi dhe kohën e asistencës. Pensioni invaliditetit në këtë rast llogaritet nga sigurimet shoqërore njëlloj si pensioni i pleqërisë.

-E ardhura për invaliditet të përhershëm në punë paguhet me 80% e pagës mesatare neto të vitit të fundit. Invalidi që ka nevojë për përkujdesje nga një person tjetër,i jepet një pagesë shtesë 15% të pagës së mësipërme dhe kur ka në ngarkim fëmijë deri në 25 vjeç kur studiojnë përfiton shtesë 5% të pensionit për çdo fëmijë por jo më shumë se 30%.

-Në rastet kur invalidi, nuk është dakord me vendimin e KMCAP të sigurimeve shoqërore ka të drejtë të bëjë ankesë me shkrim, Komisionit Epror të Caktimit të Aftësive për Punë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, vendimi i të cilit është përfundimtar dhe i formës së prerë. Personat që marrin pension të plotë invaliditeti, përfitojnë nga bashkia edhe 3.300 lekë në muaj, kur marrin pension të pjesshëm 2.200 lekë në muaj.

Pensionet e personave me tituj shkencorë

-Mjekët me titull shkencor “Profesor” sipas nenit 65 të ligjit të arsimit të lartë dalin në pension 68 vjeç pavarësisht nga gjinia, dhe mbas daljes në pension mund të vazhdojnë të punojnë me kontratë me qendrën e punës, ndërsa mjekët me titull shkencor “Asistent profesor”, dalin në pension 65 vjeç femra dhe meshkuj me të drejtë ripunësimi me kontratë si më sipër.

-Mbështetur në ligjin nr.10139, datë 15.5.2009,”Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjithë institucioneve të tjera kërkimore publike në vendin tonë”,i cili ka hyrë në fuqi nga 1 janari i vitit 2010, mbasi dalin në pension pleqërie përfitojnë pension suplementar: “Profesorët” dhe “Drejtuesit e kërkimeve shkencore” 1,3% të pagës mesatare referuese mujore për çdo vit të punuar me titullin e mësipërm ndërsa “Asistent profesorët” dhe “Mjeshtrat e kërkimeve shkencore” 1,1% të pagës së mësipërme, mbasi nga data 1 janar 2010, çdo muaj ata kanë paguar edhe kontribute suplementare të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

-Profesorët me titull “Akademik” sipas nenit 8 të ligjit nr.9853, datë 26.12.2007, dalin në pension 75 vjeç pavarësisht nga gjinia.

Pensionet për periudhat që kanë kryer detyra kushtetuese

-Punonjësit e zgjedhur deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, apo kanë kryer detyrë kushtetuese si ministra, zëvendësministra, kryetarë bashkish, deri inspektorë në dikastere, e institucione qendrore nga data 1 prill 1991 e në vazhdim kur dalin në pension pleqërie përfitojnë edhe pension suplementar sipas ligjit nr.8097, 21.3.1996 përfshi dhe ndryshimet e mëvonshme me ligjin nr.27, datë 26.3.2015:”Për personat që kryejnë funksione kushtetuese” mbasi për kohën që kanë punuar në funksionet e mësipërme kanë paguar çdo muaj kontribute shtesë të sigurimeve shoqërore e shëndetësore 4 deri 5% të pagës bruto mujore.

-Qendrat e punës, punonjësin që del në pension duhet ta njoftojë deri 3 muaj para plotësimit të moshës, dhe ajo ose ai duhet të dorëzojnë me dokumente të rregullta dokumentacionin, vlerat materiale e monetare që ka në ngarkim.

-Personat që punojnë në institucionet buxhetore kur dalin në pension pleqërie, bazuar në vendimin e Qeverisë nr.493 datë 6.7.2011, para daljes në pension përfitojnë nga titullari i institucionit deri një rrogë mujore shpërblim, ndërsa për personat që punojnë në institucione jo buxhetore shpërblimi është kompetencë e titullarit sipas kontratës së punës.

-Dokumentet që duhen plotësuar e dorëzuar për pension pleqërie në agjencinë e sigurimeve shoqërore janë: kërkesa për pension që është e gatshme, libreza e punës, fotokopje e kartës së identitetit, vërtetimi pagës bruto nga 1 janari i vitit 1994 deri ditën që personi ka ndërprerë marrëdhëniet financiare me qendrën e punës, certifikatën e gjendjes familjare, dhe femrat certifikatën e martesës e fotokopjen e noterizuar të diplomës së shkollës së lartë, burrat vërtetimin e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Personat që kanë kryer funksione kushtetuese edhe vërtetimin e pagës nga Kuvendi i Shqipërisë për deputetët, dikasteri përkatës kur kanë kryer detyrën e ministrit, zëvendësministrit, inspektorëve, etj.

Afatet e dorëzimit pagesa e pensioneve e ankimimet

-Dokumentet e mësipërme mund të dorëzohen edhe brenda 12 muajve kalendarike nga dita e plotësimit të moshës së pensionit dhe pensioni paguhet nga dita e lindjes të së drejtës. Kujdes, nëse dokumentet e pensionit dorëzohen në agjencitë e sigurimeve shoqërore, mbas 12 muajve që personit i ka lindur e drejta për pension, pensioni paguhet nga dita e paraqitjes së dokumenteve në sigurimet shoqërore duke humbur të drejtën e pensionit për periudhën e kaluar. Ky rregulli përcaktuar në nenin 62 të ligjit të sigurimeve shoqërore është i vlefshëm edhe për emigrantët të cilat kanë punuar të siguruar në vendin tonë dhe i takon pension.

-Bazuar ne ligjin nr.104/2014, shuma e pensionit të zakonshëm të pleqërisë duke filluar nga data 1 janar 2015 e në vazhdim nuk ka tavan, por varet nga shuma e viteve të punës dhe paga mesatare bruto e të gjithë periudhave të siguruara.

-Mbas daljes në pension, kryefamiljari kur janë dy pensionistë ka të drejtë të aplikojë në agjencinë e sigurimeve shoqërore për të përfituar kompensim të energjisë elektrike duke paraqitur dokumentet përkatëse si librezën e pagesës së konsumit të energjisë elektrike, etj.

-Sigurimet shoqërore mbasi i verifikojnë dokumentet e paraqitur nga të interesuarit mbas 42 deri 60 ditë kalendarike e pajisin pensionistin me librezë pensioni. Në rastet kur pensionisti nuk bindet me shumë e pensionit mujor, vitet e punës të siguruara, datën e fillimit, etj, sipas nenit 86 të ligjit të sigurimeve shoqërore ka të drejtë ti drejtojë ankesë me shkrim duke parashtruar pretendimet përkatëse, së pari Komisionit të Ankimit në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore. Nëse nuk bindet me përgjigjen e marrë,i bën ankesë tjetër me shkrim me postë rekomande Komisionit Qendror të Ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe së fundi mund ti drejtohet Gjykatës Administrative.

-Pensioni paguhet një herë në muaj në lekë dhe vetëm në Shqipëri. Pensionet e pa tërhequra mund të merren në çdo kohë por jo më shumë se 3 vjet. Për shembull nëse, një pensionist në emigracion vjen në vendin tonë mbas 37 muajve për të marrë pensionin, atij i paguhen vetëm 36 muajt e fundit të pensionit dhe po të vij mbas 4 vjetësh, tërheq vetëm pensionin e 3 viteve të fundit. Për të mos ndodhur kjo pensionistët kanë të drejtë që të autorizojnë sigurimet shoqërore t’ia depozitojë çdo muaj pensionin në një nga bankat e nivelit të dytë, ose të autorizoj një person tjetër në vendin tonë për ta tërhequr pensionin çdo muaj me afat 6 mujor, dhe mbasi t’ia konvertojë në një monedhë tjetër të konvertueshme t’ia dërgojë në vendin ku jeton pensionisti.

-Sa herë shtohen apo indeksohen pensionet, rriten edhe pensionet e emigrantëve pa qenë e nevojshme të paraqesin dokumente shtesë.

 

Pensionet e posaçme

-Mbas daljes në pension, personat që kanë arritur rezultate të dallueshme në punë mbështetur në nenin 5 të ligjit të sigurimeve shoqërore nr.7703, datë 11.5.1993, “Për pensionet e posaçme” kanë të drejtë ti bëjnë kërkesë me shkrin Këshillit të Qarkut ku banojnë që mbasi e shqyrton dhe e miraton ia dërgon Këshillit të Ministrave, i cili ka në kompetencë. Masa e pensionit të posaçëm është 28 mijë lekë mbi pensionin e pleqërisë. Pensioni i posaçëm është personal shtohet sa herë rriten pensionet e zakonshme dhe nuk i trashëgohet prestarëve të tjerë të familjes. Ja disa mjekë të nderuar që kanë përfituar pensione të posaçme: Josif Adhami, Afërdita Gusho, Shyqyri Basha, Selaudin Bekteshi, Bajram Preza, Koço Glozheni, Sheqet Ndroqi, Fadil Spahia, Fred Paparisto, Mantho Nakuçi, Ciril Pistoli, Pandeli Çino, Zenel Kokomiri, Flamur Tartari, Alfred Sereqi dhe Panajot Boga.

-Në vendin tonë mesatarisht dalin në pension 100 veta në ditë. Krahas rritjes së jetëgjatësisë së popullsisë është shtuar edhe periudha mesatare e gëzimit të pensionit. Në regjistrimin e fundit kishte rreth 1.500 pensionistë nga 95 deri 100 vjeç dhe 402 mbi 100 vjeç nga të cilët 321 gra dhe 81 burra. Gruaja më e moshuar në Shqipëri është Hava Ruda nga fshati Shushice në Elbasan e cila jetuar 123 vjeçe (1880-2003), Qerime Bardhi nga fshati Letëm i Librazhdit ka jetuar 117 vjeçe, etj. Ashtu si në shumë vende të botës edhe në vendin tonë femrat jetojnë 6-8 vjet më shumë se meshkujt. Uroj që pensionistët të jetojnë gjatë e me shëndet të mirë.