Deri kur njihet periudhë pune koha e studimeve të larta. Marrja e dy pensioneve për emigrantët. Si veprohet kur ka mospërputhje të datës së lindjes në kartën e identitetit dhe librezën e punës. Pensioni i invaliditetit

Përfitimi i shtesës së pensionit kur vazhdon punën mbi moshë dhe procedura për të bërë sigurime vullnetare

 

Llogaritja e pensionit për punonjësit e ish-kooperativave bujqësore

Pyetje

Lexuesi i gazetës “Telegraf”, zoti Sotiraq Sota nga Vlora shkruan: Jam i datëlindjes 23.04.1955 dhe kam punuar në ish-kooperativë bujqësore duke realizuar sipas viteve këto ditë pune:

1972=143 ditë pune/1976=295 ditë pune/1978=407 ditë pune

1973=188 ditë pune/1977=251 ditë pune/1979=188 ditë pune

Vitet e tjera që kam punuar në kooperativë nuk gjenden në arkivin e Vlorës.

-Në vitet 1985-1991, kam punuar në fabrikën e tullave në Vlorë, por nga këto 6 vjet gjenden vetëm 3 muaj punë në vitin 1989. Dy vjet kam qenë ushtar dhe e kam vërtetimin përkatës nga dega ushtarake. Pyes kur dal në pension, sa vite pune të siguruara duhen dhe si veprohet në këto raste?

Përgjigje

Për kohën që keni punuar në kooperativë bujqësore, një vit i plotë punë për pension quhet kur keni realizuar 280 ditë pune në një vit kalendarik, ose 24 ditë pune në muaj. Specialisti Fadil Kepi shpjegon se, për vitet 1976 dhe 1978 që keni bërë përkatësisht 295 dhe 407 ditë pune, njihet nga një vit pune i plotë dhe ditët e punës mbi 280 përkatësisht, 15 ditë në vitin 1976 dhe 27 ditë në vitin 1978, nuk merren parasysh. 1972( 143 ditë pune24 = 6 muaj punë), 1973(1888 muaj punë), 1977(25124=10 muaj punë) dhe 1979(18824=8 muaj punë). Gjithsej në kooperativë bujqësore ju njihen për pension 4 vite e 8 muaj punë + 3 muaj në fabrikën e tullave dhe 2 vjet ushtar. Gjithsej 6 vjet e 11 muaj punë. Për çdo vit pune që keni punuar në ish-kooperativë bujqësore, paga mujore llogaritet me 14.182 lekë në muaj, pavarësisht sa jeni paguar në kooperativë bujqësore. Për njohjen e periudhës 6-vjeçare që keni punuar në fabrikën e tullave duhet t’i drejtoheni gjykatës me dëshmitarë. Ju do të dilni në pension 65-vjeç më 23.04.2020 dhe për pension do t’ju kërkohen 15 deri 27 vjet punë të siguruara. Për të plotësuar minimumin prej 15 vjet punë është e domosdoshme të bëni sigurime vullnetare, ose si fermer nëse keni tokë sipas ligjit. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Vlorë.

Pensioni i invaliditetit

Pyetje

Pensionisti Anesti Çaushi në letrën e tij, pasi falënderon gazetën “Telegraf” për sqarimet në vazhdimësi që na jep për pyetjet tona lidhur me pensionet, shkruan: kam dalë në pension të plotë pleqërie në moshën 60-vjeç në vitin 2001. Aktualisht vuaj nga shikimi. Pyes a mund të përfitoj pension invaliditeti dhe cila është procedura që duhet të ndjek?

Përgjigje

Duke ju uruar shërim të shpejtë dhe shëndet të përmirësuar sqaroj: dy pensione njëkohësisht nuk mund të merrni, ndërsa për sa i përket kujdestares për të cilën keni nevojë për t’ju shërbyer, ju në spitalin ku jeni shtruar duhet të merrni një fletë drejtimi për KMCAP Vlorë. Nëse nuk bindeni me përgjigjen zyrtare që do të merrni është e drejta e juaj t’i drejtoheni me shkrim KMCAP epror në Institutin e Sigurimeve Shoqërore Tiranë.

 

Vazhdimi i punës pas daljes në pension

Pyetje

Ferdinand Kallajxhia, nga Tirana në mesazhin që na ka dërguar sqaron: Jam i datëlindjes 6 shtator 1954, dhe aktualisht kam rreth 31 vjet punë të siguruara përfshirë dhe 2 vjet që kam qenë ushtar, pyes, kur plotësoj moshën dhe sa vite pune duhen për pension të plotë. Meqenëse punoj në sektor privat, a mund të vazhdoj punën mbas daljes në pension?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension 65 vjeç më 6.9.2019 dhe për pension të plotë do t’ju kërkohen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara në Shqipëri nga mosha 16 vjeç, përfshirë dhe periudhën që keni qenë ushtar. Me vitet e punës të siguruara që keni, ju do të përfitoni pension të pjesshëm në masën 84% të pensionit të plotë. Po të dëshironi të merrni pension më të lartë, para moshës së pensionit mund të bëni sigurime vullnetare duke paguar 62.208 lekë në vit dhe pensioni shtohet 2,7%. Mbas daljes në pension keni të drejtë të punoni në sektor privat duke përfituar njëkohësisht pensionin dhe rrogën, por jeni i detyruar të vazhdoni të paguani kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

 

Procedura për të bërë sigurime vullnetare

Pyetje

Albert Hamdiu nga Tirana në mesazhin që na ka dërguar trajton këtë problem: Jam i datëlindjes 18 mars 1953 dhe kam punuar i siguruar 21 vjet, 2 vjet kam qenë ushtar dhe një vit në asistencë. Aktualisht jam pa punë dhe pagesa e papunësisë më ka mbaruar. Pyes, kur i plotësoj kushtet për pension, sa vite pune duhen për pension të plotë, a mund të bëj sigurime vullnetare, sa lekë duhet të paguaj dhe cilat janë procedurat që duhet të ndjek?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit të pleqërisë e plotësoni më 18. 3.2019, ditën që do të bëheni 65 vjeç dhe për pension të plotë do t’ju kërkohen 36 vjet e 8 muaj të siguruara në vëndin tonë nga mosha 16 vjeç, përfshirë dhe periudhën dyvjeçare që keni qenë ushtar dhe një vit pagesë papunësie ose asistencë. Me vitet e punës që keni do të merrni rreth 66% të pensionit të plotë i cili llogaritet duke pjestuar 24 vjet punë gjithsej që keni me 36 vjet e 8 muaj që duhen për pension të plotë. Nëse i keni mundësitë financiare, para plotësimit të moshës së pensionit keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare duke paguar rreth 62.208 lekë në vit ose 5.184 lekë në muaj. Për çdo vit pune që mund të siguroheni pensioni ju shtohet 2,7%. Fadil Kepi sqaron se, procedura për të bërë sigurime vullnetare është kjo: fillimisht duhet të paraqiteni në agjencinë e sigurimeve shoqërore në Tiranë, të bëni një aktmarrëveshje për periudhat që nuk keni punuar i siguruar, pastaj paraqiteni në një bankë të nivelit të dytë e cila mbasi të bëni pagesën ju pajis me një kopje të mandatit ndërsa një kopje tjetër ia dërgon sigurimeve shoqërore Tiranë.

Për më tepër lexoni “Telegraf”