Sokol Mati: Mirënjohje, punës shkencore të prof. Menella Hido

1744
Sigal

Mirënjohje punës dhe trashëgimisë shkencore të Prof. Menella Hido!

 

Nga Prof. Dr. Sokol Mati

 

Këto ditë u zhvillua në Shqipëri, (23-26 Maj 2019), Kongresi i 18-të Ballkanik i Pasurimit të Mineraleve, i zhvilluar në memorie të punës dhe trashëgimisë shkencore të Prof. Menella Hido.

Në këtë konventë shkencore të specialistëve të sektorit të përpunimit të mineraleve të rajonit të Ballkanit, u kujtua me mirënjohje puna e palodhur e Profesor Menella Hido, që njihet si themeluesi i shkencës shqiptare të pasurimit të mineraleve.

Falë këmbënguljes, seriozitetit në punë, kreativitetit, nivelit të lartë shkencor, kërkesës për përsosmëri deri në detaje, integritetit dhe papajtueshmërisë së tij me dështimin që se njifte për koncept, u bë e mundur që në vitin 1980, të hapej pranë fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave dega e pasurimit të mineraleve, e cila përgjatë viteve ka përgatitur me qindra inxhinierë të sektorit të përpunimit të mineraleve, që me kontributin e tyre janë bërë pjesë e asaj armate të madhe specialishtesh të sektorit minerar.

Puna e tij në përgatitjen e kurrikulës, teksteve dhe një pjese të madhe punimesh shkencore për fushën e përpunimit të mineraleve janë sot një trashëgimi e paçmuar shkencore në këtë fushë, e cila ka shërbyer dhe do të shërbejë për shumë kohë sektorit të përpunimit të mineraleve. Ai hartoi tekstet e parë për seri lëndësh bazë të kursit të pasurimit të mineraleve.

Përpunimi i mineraleve megjithëse një prej objektivave strategjike të sektorit minerar, kërkon mbështetje reale nga institucionet shtetërore, incentivat fiskale që lidhen me pagesën pjesore të rentes minerare për rastet e produkteve minerare që rezultojnë nga përpunimi, është i pamjaftueshëm. Institucionet shtetërore duhet të asistojnë subjektet minerare në lehtësimin e procedurave për pajisjen me lejet zhvillimore për ndërtimin e objekteve përpunuese të mineraleve, në mbështetjen për furnizmin e këtyre objekteve me energji e ujë dhe zhvillimin e infrastrukturës mbështetëse me rrugë për të krijur mundësi që produktet tona minerare që tani po kërkojnë trajtimin e mineraleve gjithmonë e më të varfëra të mund të jenë efektivë dhe kompetitive në rajon dhe globalisht.

Duke uruar, me besimin se kjo konvente shkencore, do të jetë një shtysë për ekspertët tanë për një punë më të thelluar shkencore në fushën e përpunimit të mineraleve, ashtu siç do e shpresonte dhe doemos do e kërkonte Profesor Menella, shpresoj se me këtë memorium shpreh mirënjohjen kolektive pa kufi, të të gjithë studentëve të degës së pasurimit të mineraleve për punën, trashëgiminë shkencore të paçmuar që Profesor Menella Hido la pas dhe për kontributin e madh që dha në sektorin e përpunimit të mineraleve në Shqipëri. Mirënjohje Profesor Menella!