Sigal

Simon MIRAKAJ

Të nderuar pjesëmarrës jemi sot së bashku në promovimin e librit në tre volume “Demokracia nuk pret” me autor Z. Fran Shkreli që është prezent sot bashkë më zonjën e tij. Këto volume janë përmbledhje e shkrimeve të z. Shkreli te gazeta e pavarur “Telegraf” ku ai ka qenë dhe është prezent me shkrimet e tij. Falënderimi për këtë botim mjaft cilësor shkon për stafin e kësaj gazete e në veçanti për presidentin e kësaj gazete, Z. Agim Çirakun dhe kryeredaktorin Z. Ëngjëll Musai. Frank Shkreli, ky personalitet i diasporës shqiptare mbas një periudhe të gjatë e të shkëlqyeshme prej 30 vjetësh te “Zëri i Amerikës” (VOA), na prezantohet sot para publikut me librin e tij “Demokracia nuk pret”. Në këtë libër përmblidhen të gjitha aspektet e shoqërisë shqiptare si ato ekonomike, historike e politike. Si gazetar profesionist ai është një mbrojtës i flaktë i fjalës dhe i shtypit të lirë. Autori i librit, edhe pse u edukua e u shkollua jashtë atdheut, edhe pse larg atdheut të izoluar nga bota e qytetëruar dhe e lirë, mendja e zemra nuk iu ndal së punuari për kombin shqiptar, të cilit i përket. Jetoi me problemet e tij duke e ndier veten krenar për sukseset e arritura si dhe dhimbje e trishtim për mos-arritjet. Librin e tij prej tre volumesh e përçon fryma patriotike, fryma kombëtare. Një vend të rëndësishëm në këtë vepër zënë edhe figurat madhore të kombit tonë si dhe vizitat historike si ajo e Presidentit të Shteteve të Bashkuara Z. Xhorxh W Bush, Sekretares së Shtetit të USA, znj. Hilary Klinton, Kancelares Merkel e atit të shenjtë Papa Françeskut. Prezenca e Franit sot më kthen prapa në vite duke më kujtuar vargjet e Nolit të madh “Mbaju nëno mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”. Janë këta djem si Frank Shkreli, Elez Biberaj, Idriz Lamaj, Astrit Lulushi etj., që na bënin që na masa të rrepta sigurie dëgjonim zërin e së vërtetës, zë që vinte nga bota e lirë, nga vendi simbol i demokracisë siç janë USA. Për ne që liria na ishte mohuar që në djep padrejtësisht e në mënyrë të dhunshme, zëri i këtyre djemve ishte zëri që na jepte pak dritë e shumë shpresë në atë pus të errët që na kishte zhytur diktatura komuniste apo siç thotë autori: “Një popull i zënë rob nga diktatura”. Unë besoj se “Zëri i Amerikës” në ato vite ishte zëri i shpresës, jo vetëm për ne, por për të gjithë ata që ëndërronin një Shqipëri të lirë e demokratike. Një vëmendje të veçantë i kushton në librin e tij edhe krimeve të ndodhura gjatë diktaturës komuniste, të cilat u pohuan edhe në vizitën që bëri Ati i Shenjtë ku deklaroi: “Se zgjodha Shqipërinë për ta vizituar si vendin e parë në Evropë, jo si vendin më të begatë, por si vendin që ka vuajtuar më shumë nga diktatura komuniste.” Në shkrimet e tij, Frani, denoncon dhunën që ushtrohej mbi klerin si atë mysliman, bektashian dhe, në veçanti, atë katolik. Autori, në librin e tij i kushton vëmendje Çështjes Çame e tragjedisë së saj dhe shkrimin për këtë tragjedi e titullon: “Kujto për të mos harruar”. Frani, bashkë me patriotë të tjerë që jetuan larg atdheut kanë një kontribut të madh në shembjen e komunizmit në Shqipëri, po ashtu edhe në Pavarësinë e Kosovës. Ai, edhe pse larg jeton me problemet e kombit të vet, i ndjek ato hap pas hapi e shpreh shqetësimin për plagët si korrupsioni e për drejtësinë e munguar por është optimist për të ardhmen. Duke u mbështetur në të dhëna zyrtare, ai i kundërvihet arsyeshëm përpjekjeve për të mohuar këto krime dhe citon thënien e nobelistit Nobelistit Elie Wiezel: “Mohimi i krimeve të historisë vret dinjitetin e atyre që shpëtuan nga këto krime dhe është një përpjeke për të zhdukur kujtesën e tyre”, megjithatë Autori është optimist për të ardhmen dhe shprehet së shqiptarët do të bëjnë zgjedhjen e duhur që Shqipëria të lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me familjet e e shoqërive demokratike Evropiane dhe shton se në Evropë nuk shkohet me dëshirë e as me fjalë, por me vepra. Ne, ish-të mbijetuarit e Kampit të Internimit të Tepelenës, por edhe gjithë të përndjekurit, të falënderojmë për mbështetjen morale që keni dhënë herë pas here për këtë shtresë dhe, së fundi, për mbështetjen e ngritjes së Memorialit Muze në ish-Kampin e internimit, Tepelenë. Përfundoj duke ju uruar jetë të gjatë e plot shëndet! Si anëtar i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të shtetit, më lejoni t’ju vë në dijeni z. Shkreli se kërkesa juaj është plotësuar sipas kritereve që kërkon ligji 45/2015 dhe shumë shpejt dosja e krijuar nga ish – Sigurimi i shtetit për ju, do ju vihet në dispozicion.