Si u krijua Shkolla e Lartë e Bashkuar e Oficerëve, 74 vjet më parë

3858
Sigal

Ing. Myfit Guxholli

Oficerët ushtarake shqiptarë kanë qenë dhe janë krenaria dhe dinjiteti i kombit tonë

Lufta ende nuk kishte mbaruar, por pjesa më e madhe e qytetarëve të vendit ishin çliruar nga okupatori. Në qytetin historik të çliruar të Përmetit janë mbledhur përfaqësues te popullit dhe UANÇl për të vendosur formën e qeverisjes. Nga kjo mbledhje doli Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar, i cili me atributet e tij, krijoi qeverinë demokratike me autoritet provizor. Kjo qeveri menjëherë mori shumë vendime dhe një nga këto ishte dhe hapja e shkollës së oficerëve për përgatitjen e efektivave pjesëmarrës në LANÇl, më 8 Nëntor 1944. Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar urdhëroi Shtabin e Përgjithshëm të lajmëronte të gjithë repartet e oficerëve pjesëmarrës të paraqiteshin pranë shkollës së përgatitjes së oficerëve. Me çlirimin e vendit kjo shkollë u transferua në Tiranë tek ndërtesat e repartit te xhenios së ndërtuar nga ushtria italiane, sot Shkolla e Bashkuar, me hyrje kryesore në të djathtë dhe ku më pas u vendos dhe komanda e shkollës. Si fillim Akademia Ushtarake mori emrin “Mehmet Shehu” dhe me pas ky emër u hoq dhe ajo u quajt Akademia Ushtarake “Spiro Moisiu”, e pas kësaj u quajt Akademia Ushtarake e Shtabit të Përgjithshëm. Komandanti i parë i kësaj shkolle ishte N/Kolonel Irfan Peshtani dhe komisar u emërua N/Kolonel Sadik Boçaj. Shef i degës mësimore u caktua Major Qazim Kapysizi, shef i grupeve te armëve dhe shërbimeve N/Kolonel Astrit Nishani. Në kurse merrnin pjesë nga të gjitha llojet e armëve dhe shërbimeve, artileri tokësore, artileri kundërajrore, këmbësori, zjarri xhenio, ndërlidhje, armatimi, prapavijë, shërbime dhe financë. Pas një periudhe shkolla u zhvendos tek ndërtesat e Repartit Ushtarak N. 1105 Tirane, sot në rrugën “Myslim Keta” ose ndryshe tek Rrapi Treshit, në të djathtë të tij. Pak më vonë, akademia dy-vjeçare u transferua tek ndërtesat e ish-shkollës “Skënderbej”. Disa nga kuadrot kryesore të akademisë dy-vjeçare kanë qenë: Shefi i Artilerisë Skënder Godo, Shefi i Xhenios Bexhet Guxholli etj. Ndërsa shkolla ushtarake përgatiste oficerë, me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore u hapën dhe dy shkolla të tjera: Shkolla e Bashkuar dhe Shkolla e Rezervistëve, që kishin mbaruar arsimin e lartë. Në këto momente Shkolla e Bashkuar e Oficerëve mori fizionominë e një shkolle ushtarake me organikë të plotë dhe me një program më cilësor, duke përfshirë në të, përveç lëndëve ushtarake dhe lëndët e formimit si gjuhë të huaj, histori, gjeografi, gjeomorfologji, pedagogji, psikologji, përgatitje fizike, etj. Në katedra u shtuan lëndë të reja, u shtuan kabinetet për çdo lloje arme e shërbimi, u shtuan kërkesa të reja që katedra si njësi shkencore të kishte plan të përgatitjes shkencore të katedrës, të bëheshin plane për kualifikimin pedagogjik dhe përgatitur për të marrë tituj pedagogjike dhe shkencore. Shtimi i kabineteve rriti nivelin e katedrave dhe studentëve, p.sh. katedra e Topografisë kishte tre kabinete: kabineti i gjeodezisë, i topografisë dhe fotogrametrisë, plus kabinetin e topografisë ushtarake. U krijuan plane për përgatitjen e literaturës së specialiteteve dhe për lëndët e përgjithshme ushtarake. U shtua në maksimum baza materiale dhe instrumentet përkatës për çdo lëndë. Gjithashtu u krijua lidhja e bashkëpunimit midis katedrave sipas lëndëve me Universitetin e Tiranës. Me vendim të Këshillit të Ministrave, shkolla nga dy-vjeçare kaloi në një sistem tre vjeçar dhe u quajt: Shkolla e Lartë e Bashkuar e Oficerëve “Enver Hoxha”. Shkolla pranonte studentë me arsim te mesëm që vinin nga shkolla ushtarake “Skënderbej” dhe nga rrethet e Shqipërisë. Gjate sistemit dy vjeçar shkolla nxirrte oficerë komandues (komandante toge), kurse me kalimin e saj ne sistem tre vjeçar te larte ajo filloi te nxirrte përveç oficerëve edhe shefa shërbimesh, që kalonin një deri në dy vjet në trupa. Për herë të parë në historinë e ushtrisë filluan studimin edhe grupi i vajzave. Me vendim të Këshillit të Ministrave, më 5 dhjetor 1966 shkolla kaloi në një sistem me organizim të ri me qëllim rritjen e proceseve mësimore dhe edukative në nivele bashkëkohore. Sistemi i ri konsistonte në kthimin e qendrave të vogla dhe cikleve në katedra mësimore. Organizata pësoi ndryshime të tilla ku mund të përmenden kthimi i Shefit të Stërvitjes së shkollës në Shef të Degës Mësimore, shtimi i Shefit të Stërvitjes dhe Sigurisë si një ndihmës i komandës së shkollës me përgjegjësi për sigurinë e shkollës. Shkolla e Bashkuar mori një vizion më të gjere arsimor në përgatitje. Komandanti i parë i shkollës ka qenë kapiteni i parë Mehmet Dermani, ndërsa ushtarakë të tjerë në komandë kanë qene: Komisar Major Dule Pashaj, zv. Komandant Major Vangjel Doga, shefi i stërvitjes Major Thomo Frashëri, etj. Stafit të shkollës iu shtuan dhe dy oficerë që kishin mbaruar shkollimin jashtë shtetit dhe këta ishin toger Mina Mishaxhi dhe N/toger Dashamir Ohri. Në fillim shkolla ishte e organizuar me kurse dhe studentët ishin të ndarë në batalione, si batalioni i këmbësorisë me komandant Major Dilaver Ruxhi, grupi i Artilerisë Tokësore dhe asaj Kundërajrore me komandant Ibrahim Spaho, batalioni i Specialiteteve me komandant Muharrem Terja. Shefi i degës, Enver Begeja i cili i shërbeu shkollës për më shumë se çerek shekulli, më vonë u bë komandant i saj. Me kalimin e kohës dhe kërkesave gjithmonë në rritje, u rrit dhe niveli i trupit pedagogjik ushtarak dhe civil. Shkolla e Bashkuar pati një rritje të madhe të proceseve mësimore, sepse edhe vetë modernizimi i ushtrisë kërkonte një nivel më të lartë të përgatitjes luftarake. Nga masat e marra, vlen të përmendim rreziqet që mund t’i vijnë vendit nga toka, ajri dhe deti. Pra komanda e shkollës në zbatim të kërkesave të kolegjiumit të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore mbi gjendjen e përgatitjes luftarake dhe detyrat për zbatimin e urdhrave mori një sërë masash, të cilat pasqyrohen në Urdhrin e mëposhtëm.