Shteti shpartallon turizmin, punimet në Tiranë-Durrës do kryhen në kulmin e sezonit veror

542
Sigal

Punimet në Tiranë-Durrës, turist-operatorët: Skandaloze që nisin në sezon, do të dëmtohet turizmi, shumica janë në Golem!

Shteti i jep goditjen e rëndë bizneseve dhe turizmit

Shteti shumë herë “punon” kundër interesave ekonomike të biznesit e në veçanti kundër turizmit. Në vitet paraardhëse kemi parë, që në sezonin e turizmit, gjatë periudhës qershor – shtator, në qytetet bregdetare dhe turistike kryhen shumë punime, në mirëmbajtjen e rrugëve, të shesheve, duke bllokuar, penguar lëvizjen e dyndur të turistëve, thua se qeveria e bën qëllimisht, pikërisht në muajt e turizmit, thua se nuk ka kohë që këto punime të kryhen në muajt e tjerë të vitit, kur ka mbaruar sezoni turistik. Nuk dihet, nëse kjo është e qëllimshme, apo cili dhe cilët kanë interesa që të largojnë turistët nga Shqipëria dhe t’i orientojnë në vendet fqinje, pasi në ato vende në qytetet turistike askush nuk guxon të pengojë rrugë e sheshe të qyteteve, kur ka dyndje turistësh.

Bllokohet autostrada Tiranë –Durrës deri në fund korriku

Autoriteti Rrugor Shqiptar do të bllokojë një drejtim të autostradës Tiranë – Durrës pikërisht në muajt e sezonit turistik, sikurse bëri edhe në vitin e shkuar, e pikërisht në këtë periudhë turistike. Punimet e njoftuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në autostradën Tiranë-Durrës në funksion të sistemit të ndriçimit pritet të bëhen një tjetër dhimbje koke për të paktën 100 mijë mjete që kalojnë çdo ditë në të. Ato do të zgjasin nga maji në korrik dhe duket se do të kthehen në shqetësim edhe për turoperatorët. Kjo autostradë përshkohet nga turistët që mbërrijnë nga aeroporti i Tiranës në Golem apo edhe në Jug të vendit. Agjencitë turistike, që janë në pritje të turistëve të parë, e cilësojnë skandaloze çeljen e punimeve në fillim të sezonit. Rrahman Kasa, menaxher i agjencisë “Happy Tours”, është në pritje të turistëve të huaj që mbërrijnë nëpërmjet charter-ave. Për të mbërritur drejt plazhit ato duhet të kalojnë pikërisht nga autostrada. Duke marrë në konsideratë fluksin e trafikut që ka rruga, ai parashikon se pritja në trafik do të shkojë 3-4 orë. Turistët e parë kanë ardhur që me datë 4 maj, ndërkohë që pritet të vijnë 3 chartera të tjerë brenda kësaj javë. Në pikun e sezonin pritet të vijnë edhe 20 charter në muaj. Rezervimet e tyre nisin nga maji dhe mbyllen deri nga java e parë e tetorit. Golemi është destinacion kryesor për pushime për turistët e huaj, për shkak të distancës së shkurtër që ka me Aeroportin e Rinasit, si dhe për hir të strukturave akomoduese me kushte të mira dhe me kapacitete të larta. Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se prej kësaj të mërkure do të realizohen punime në Autostradën Tiranë-Durrës, në segmentin rrugor: ish Dogana-Qafë Kashar-Vorë. ARRSH ka sqaruar se qarkullimi i mjeteve në pjesën ku do të kryhen punimet do të jetë me shpejtësi të reduktuar, lëvizja e mjeteve do të drejtohet në 1 korsi (Punimet kryhen vetëm gjatë njërit drejtim të rrugës) dhe do të realizohet në përputhje me sinjalistikën e vendosur sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të miratuar. E njëjta situatë ndodhi edhe sezonin e mëparshëm, ku u vendos riparimi i autostradës Tiranë-Durrës. Operatorët shprehen të pakënaqur me çeljen e punimeve të cilat nisin njëkohësisht ose përgjatë sezonit turistik.

Përplasjet dhe protestat

Një tjetër problematikë e këtij sezoni turistik kanë qenë edhe protestat e opozitës. Kasa tha se ka negociuar me opozitën që të shtyjë protestën e radhës, e cila përkonte edhe me mbërritjen e charter-ave me turistë të huaj. Situata politike në vend ka qenë një nga shqetësimet e turoperatorëve, pasi te grupet që vijnë për ture kulturore gjatë kësaj kohe ka pasur anulime. Të paktën 13 grupe nga Gjermania, Austria, Italia, që kishin planifikuar ture kulturore në vend, kanë anuluar rezervimet e tyre drejt Shqipërisë, për shkak se situata e trazuar politike që, në lajmet e ndërkombëtarëve duket edhe më dramatike.