SHQIPTARËT, TË GJITHË DREJT GJERMANISË

1094
Sigal

Lulëzon biznesi i kurseve të gjuhëve të huaja, të gjithë drejt gjermanishtes

Vetëm në kryeqytet numërohen mbi 150 qendra kursesh të gjuhëve të huaja apo të mësimdhënies së lëndëve specifike, ndërsa në Durrës, me dhjetëra të tilla. Ky ekspansion i bizneseve të përçimit të dijes tregon për kërkesat në rritje të mësimit të veçuar nga institucionet arsimore. Vendin e parë në hierarki e mban mësimi i gjuhës gjermane, trendi i së cilës mbështetet nga kërkesat për shkollim apo punësim në Gjermani…

Nga Deada Hyka

Gjermania, mbetet një nga vendet më tërheqëse, për të rinjtë shqiptarë, ku mund të kryejnë studimet për arsye të cilësisë së formimit arsimor dhe tarifave relativisht të ulëta të studimit në krahasim me vendet e tjera perëndimore,. Për grupe të ndryshme profesionesh si p.sh. mjekë, infermierë, inxhinierë, informaticienë etj., Gjermania ofron mundësi joshëse punësimi. Në këtë drejtim kërkohen si kusht njohuritë e gjuhës gjermane. Sipas drejtueses së Qendrës Goethe në Tiranë, këto dy arsye të ndryshme kanë nxitur rritjen e kërkesave për të mësuar gjuhën gjermane. Trendi, sipas saj, tregon për një rritje 30% çdo vit. “Numri i kurseve të gjermanishtes në Qendrën Goethe në Tiranë gjatë dy viteve të fundit 2017-2018 është rritur mbi 30%. Çdo vit kjo qendër numëron rreth 370 grupe me një rreth mesatarisht nxënësish, që mësojnë gjermanishten, ku një pjesë e konsiderueshme janë nga mosha 12 deri në 15 vjeç”, – thotë znj. Alketa Kuka. Një arsye tjetër pse zgjidhet gjuha gjermane vitet e fundit? Një student duhet të ketë aftësi të mira të gjuhës gjermane për të studiuar në një universitet në Gjermani. Aplikuesit e huaj, në rastin konkret shqiptarët, duhet t’i nënshtrohen një testi të gjuhës para se të mund të regjistrohen në një program shkollor.

Gjuha gjermane si profesion

Sipas të dhënave të ofruara nga Departamenti i Gjuhës Gjermane, pranë Universitetit të Tiranës, në ciklin e parë të studimeve bachelor, kuota përfshin 490 studentë për gjuhën gjermane, ndërsa në ciklin e dytë të studimeve master mbi 60 të tillë.
Sipas prof. Mihallaq Zileshiu, profesor i gjuhës gjermane prej më shumë se dy dekadash pranë Departamentit të Gjermanishtes në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, numri i studentëve që zgjedhin këtë degë studimi është në rritje. Tendenca ndër vite, sipas profesorëve në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ka qenë drejt anglishtes dhe italishtes. “Kuotat u shtuan para tre viteve, duke marrë në konsideratë kërkesat në rritje të aplikimeve për gjuhë gjermane. Është e thjeshtë, gjuha gjermane bëhet më shumë në shkolla të mesme, qoftë publike apo private; qendrat e gjuhës janë përhapur me shpejtësi, apo të rinjtë synojnë të punojnë edhe në Gjermani. Të gjitha këto arsye e kanë shndërruar gjuhën gjermane në zgjedhje të mirë si profesion”, – thotë prof. Zileshiu.

Thirrjet për punësim nxisin kurset private

Alisa D. është mësuese e gjuhës gjermane prej 7 vitesh në Tiranë, në një qendër private kursesh. Sipas saj, në 7 vite shihet një rritje e ndjeshme e interesit për gjuhën gjermane dhe për të gjitha shtetet gjermanofolëse. “Para shumë vitesh, tendenca më e dukshme ka qenë ajo e njerëzve që për bashkime familjar kërkonin të mësonin gjuhën gjermane fillimisht në Shqipëri. Ose edhe e të rinjve për studime në këto shtete. Ndërsa në 4 vitet e fundit, vihet re se kërkesat për të marrë mësime gjuhe është rritur shumë, gjë që përkon me thirrjen publike të shtetit gjerman për nevojën shtetërore për inxhinierë, mjekë, infermierë etj.”,- thotë Alisa. Sipas saj, edhe çmimet kanë shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit. “Grupmosha që kryeson për ndjekjen e kurseve është 25-40 vjeç, pra të rinjtë për studime, ose familjarët për bashkime familjare. Por nuk përjashtohen edhe mosha më të vogla”, – pohon Alisa. Sa u përket niveleve të gjuhës që ndjekin shqiptarët, ajo thotë se kryesisht ata që duan të vijojnë studime pasuniversitare në një shtet gjermanishtfolës ndjekin të gjithë nivelet, pjesa tjetër kryejnë vetëm një nivel që është i mjaftueshëm për dokumentacionet e nevojshme.

Work and Study

Gjithnjë e më shumë të rinj duan të studiojnë, si dhe të punojnë jashtë. Një pjesë e mirë e tyre zgjedhin Gjermaninë, sepse është një ndër ekonomitë më dinamike dhe operon në tregun ndërkombëtar, gjë e cila mundëson një rrjet të pasur punësimi për të huajt. Sipas Ermal Jaurit, administratori i “Europa Agency”, numri i studentëve shqiptarë që kanë kërkuar të studiojnë në Gjermani ka shënuar rritje në tre vitet e fundit. Po në të njëjtin trend, edhe kërkesat për punësim jashtë. Z. Jauri pohon për “Monitor” se vitet e fundit ka pasur interes të lartë për studime në Gjermani, ose edhe për punësim. Një tjetër program i kërkuar është ai ‘Work and Study’ dhe Gjermania zgjidhet për shkak se pagesat e universiteteve nuk janë aq të kripura sa në universitete të tjera në Evropën Perëndimore ose SHBA. Sipas z. Jauri, vetë Gjermania ka ofruar vitet e fundit vende pune të shumta, sidomos në fushën e mjekësisë, infermierisë dhe të shumtë kanë qenë të rinjtë që janë joshur të largohen: pagesa më të mira, akomodim falas dhe të tjera përfitime. Fushat që kërkohen më tepër nga të rinjtë janë në mjekësi, inxhinieri dhe shkenca kompjuterike

Kërkesa për punë dhe procedura të thjeshtuara

Një ndër faktorët që nxisin një pjesë të madhe të të rinjve por jo vetëm që të punojnë në Gjermani, është edhe lehtësimi i procedurave e dokumentacioneve nga Ministria e Jashtme Gjermane. Duke nisur nga shkurti i këtij viti, vetëm 14 ditë zgjat i gjithë procesi, i cili para viteve 2016 ishte një kalvar i tërë aplikimesh. Sipas udhëzimit, kandidati duhet të paraqesë në Ambasadën e Gjermanisë të gjitha dokumentet e nevojshme, duke përfshirë edhe vërtetimin nga punëdhënësi. Pasi të jenë dorëzuar dokumentet në konsullatë, kontrollohen nga autoritetet përkatëse në Gjermani, e nëse kushtet plotësohen, atëherë jepet edhe viza. Një prej verifikimeve të bëra është nëse ka ndonjë shtetas gjerman ose evropian me të njëjtin kualifikim që ka aplikuar për të njëjtin vend pune, për këtë arsye dokumentet u dërgohen edhe zyrave të punës. Verifikimi, normalisht nuk zgjat më shumë se 14 ditë. Nëse ka vonesa, atëherë kjo lidhet me rrethanat individuale të aplikuesit. Kushtet që duhen plotësuar për marrjen e vizës së punës kanë mbetur të njëjtat: punësimi në ndërtim ose gastronomi nuk kërkon as njohuri gjuhe e as njohuri profesionale. Vetëm për infermierët ose kujdestarët mjekësorë, kërkohen njohuri gjuhe dhe dëshmi licencimi, ose diploma të shkollës profesionale.

Sa kushton shkolla dhe jetesa në Gjermani

Gjermania me 190 000 studentë të huaj në vit, zë vendin e tretë në botë për sa u përket studentëve që vijnë nga vendet e ndryshme të botës, shifër kjo, e cila është në rritje. Edhe shumë studentëve shqiptarë u janë hapur dyert në Universitetet më të njohura gjermane. Ata janë kryesisht të orientuar në qytetet kryesore, Berlin, Hamburg, Mynih, Shtutgart, Dyseldorf etj. Informacione nga Ambasada Gjermane të orientojnë për koston e studimeve dhe jetesës atje. Sipas tyre, pagesa e një programi studimi, varet nga vendi dhe universiteti. Secili land mund të vendosë vetë për këtë. Në vendet si Bayern, Hamburg, Niedersachsen dhe Nordrhein-Westfalen, ende aplikohen taksat për student. Kjo vlen për shumicën e studentëve dhe është në shumën e përafërt 500 euro për semestër. Të gjitha landet e tjera nuk parashohin taksa për student apo në ndonjë rast vetëm pas zgjatjeve të studimeve apo për studim dytësor. Ata që janë të interesuar për një studim privat në shkolla të larta profesionale, do të duhej të llogarisin taksa shumë më të larta. Ky është nga shkaku që shkollat e larta profesionale financohen vetëm nga taksat e studentëve dhe për këtë, edhe janë më të larta. Krahas taksave për student në Gjermani është edhe pagesa për semestër. Kjo përcaktohet nga secili student dhe mbulon shpenzimet administrative, si dhe financimi i mensës, ambienteve sportive dhe banimin. Sa i përket jetesës, ekspertët dhe përvoja e atyre që jetojnë atje, kanë treguar se 6’500 euro në vit janë të mjaftueshme për një jetë modeste të një studenti. Pra, nga çdo aplikues për një vizë studimi, Ambasada Gjermane kërkon garancinë që ai ose ajo është në gjendje të mbajë veten, minimumi është 6500 euro, si dhe vlefshmërinë e diplomave. Monitor