Shqiptarët mbeten “dyerve” të Europës – Rritet numri i azilkërkuesve, 8% më shumë se një vit më parë

588
Sigal

Azilkërkuesit nga Shqipëria vijojnë të trokasin në dyert e vendeve të Bashkimit Europian. Të dhënat më të fundit të zyrës europiane për mbështetjen e azilkërkuesve, dhe që i referohen muajit Prill, tregojnë qartë se, numri i shqiptarëve që kërkojnë mbrojtje në Europë është ende mjaft i lartë, pranë 2000 kërkesave në muaj.

Shifra e saktë fiksohet në 1946, dhe është 10% poshtë nivelit të muajit të kaluar, por 8% mbi nivelin e muajit Prill të vitit 2018. Kjo do të thotë se, krahasuar me një vit më parë, tendenca e shqiptarëve për të aplikuar për azil në një prej vendeve të Bashkimit Europian është rritur ndjeshëm, paçka se, do të duhej të kishte ndodhur e kundërta. Përgjatë këtij viti, shifra mbetet më e ulta, por sërish mbi  nivelet e muajve të 2018-ës.

Së fundmi, duke filluar që prej verës dhe vjeshtës së vitit të kaluar, shifrat e azilkërkuesve shqiptarë nëpër Europë janë rritur në mënyrë të papritur. Janë rreth 11649 shqiptarët që sipas autoriteteve europiane presin nëpër dyert e Europës që t`iu pranohet kërkesa për azil. Vendimi më i fundit i Holandës për të rikthyer regjimin e vizave me Shqipërinë lidhet pikërisht edhe me numrin e lartë të azilkërkuesve dhe emigrantëve nga Shqipëria.

Sipas Parlamentit dhe qeverisë holandeze, shqiptarët e kanë keqpërdorur regjimin e liberalizimit të vizave.