Shqiptarët arratisen jashtë, daljet kapin shifrën 4.9 milionë deri në fund të tetorit

762
Sigal

Teksa rritja e të huajve që vizitojnë Shqipërinë ka ruajtur një trend rritës gjatë 10 muajve të këtij viti si efekt i turizmit, ajo që bie në sy është tendenca e shqiptarëve për të lënë vendin. Rritja e daljeve të këtyre të fundit jashtë territorit është më e lartë sesa rritja e të huajve që kanë hyrë në Shqipëri. Shifrat e fundit mbi lëvizjen e shtetasve të publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga vendi, gjatë muajit Tetor 2019, janë 888.218 duke shënuar një rritje me 12,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.“Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Tetor 2019, janë 495.089. Krahasuar me Tetor 2018, ky numër është rritur 5,0 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Tetor 2019, janë 393.129. Krahasuar me Tetor 2018, ky numër është rritur 23,1 %. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë përgjatë dhjetë muajve të 2019, është 4.956.344 duke u rritur 9,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare” thuhet në publikimin e INSTAT.

Lidhur me hyrjet shifrat tregojnë se në muajin tetor 2019 në territorin shqiptar hynë 866.121 shqiptarë dhe të huaj.“Krahasuar me Tetor 2018, ky tregues rezulton me rritje 10,2 %. Në Tetor 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 387.152. Krahasuar me Tetor 2018, ky numër është rritur me 14,7 %. Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë përgjatë dhjetë muajve të 2019 është 5.849.154, duke u rritur me 8,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Në Tetor 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 62,4 %, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Polonia me 4,5 %.Përgjatë dhjetë muajve të 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Zvicra ka pasur rritjen më të madhe me 19,9 % ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Polonia me 14,2 %” vlerëson INSTAT.