Shqipëria po plaket, në 5 vitet e fundit popullata mbi 65 vjeç u rrit me 12%

240

“Shqipëria po plaket dhe emigracioni paraqet rrezik për të ardhmen” ky është alarmi i ngritur së fundmi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), që rikthen dhe njëherë vëmendjen te ndryshimet e të dhënave demokrafike.

Në vitin 1989 mosha mesatare në Shqipëri ishte 23 vjeç. Tridhjetë vite më vonë kjo statistikë është shtuar me 12 vite duke arritur mesataren 35.4 vjeç.

Në pesë vitet e fundit popullatës 65-69 vjeç, i janë shtuar 27,648 vetë ndërsa popullata e të rinjve 15-19 vjeç është zvogëluar me 49,362 vetë.

Në këtë periudhë kohore, numri i njerëzve në moshë mbi 65-vjeç në vendin tonë është rritur me mbi 12 për qind.

Nga këto shifra kuptohet se në Shqipëri po tkurret vazhdimisht krahu i punës dhe po shtohen pensionistët.

FMN ka parashikuar në raportin e fundit të saj se “forca e punës në Shqipëri, parashikohet të ulet ndjeshëm gjatë tre dhjetëvjeçarëve të ardhshëm”. Sipas FMN-ës “popullsia në moshë pune tashmë ka filluar të bjerë, me 0.6 për qind, gjatë viteve 2015-2019”.

Faktorët që po ndikojnë në këtë situatë janë të shumtë, por ndër më kryesorët janë ulja e lindshmërive dhe sidomos emigrimi i punonjësve të rinj dhe të kualifikuar.

FMN paralajmëron se në të ardhmen Shqipëria mund të përballet me një problematikë për sa i përket pensioneve, pasi “plakja e popullsisë mund të rrisë kërkesat për kujdes shëndetësor dhe nevojat për burime ekonomike për pensione”.

Por nëse kjo duket një problematikë afatgjate, në planin afatshkurtër rreziku që i kanoset Shqipërisë është së paku përkeqësimi i prodhimit vendas, kjo pasi “plakja e fuqisë punëtore dhe emigrimi i trurit” sipas FMN-ës mund të ndikojë në ekonomi në cilësinë dhe sasinë e prodhimit mesatar të vendit.