Shpëtim Zinxhiria: Samit në diaspore apo Kongres Partie?

633
Sigal

Një turp që i bëhet përsëri komunitetit shqiptar në Greqi. Një turp që mban firmën dhe vulën e vetë Ministrit te Shtetit dhe Diasporës në bashkëpunim me ambasadoren në Greqi zonjën Hobdari. Një turp që ende shfaqet pas tri dekadash në emigracion ku vendoset partia mbi të gjitha, duke anashkaluar parimet demokratike se emigracioni nuk i përket vetëm Rilindjes. Por…! Faktet flasin vetë edhe për ata që kanë sy dhe që nuk kanë mundësi të shikojnë por edhe për ata qe kanë veshë dhe bëjnë sikur nuk dëgjojnë. Ministri i Shtetit dhe i Diasporës me propozimin e Hobdarit ka vendosur katër koordinatorë për emigracionin shqiptar në Greqi dhe të katërt të partisë Rilindja, tre nga këta me detyra partie (kryetar) strukturash në Athinë dhe tepër aktiv, ndërsa e katërta ish-kandidate për kryetare të PS në Greqi dhe kushërirë e vetë kryeministrit, por që nuk ka aktivitet në emigracion, si dhe pjesëmarrëse edhe ne Samitin e Parë.  Por një nga këta të katërt nuk ka fare lidhje me emigracionin, sot ai ka ndërruar emrin dhe mbiemrin jeton dhe punon në Tiranë, vëllai ish-drejtorit të Portit të Durrësit. Ky Samit i Rilindjes tregoi edhe njëherë se edhe emigracioni mund të merret peng nga politika. E them këtë se nga biseda me kryetarë shoqatash mësohet se nuk janë bërë fare kontakte, por janë anashkaluar si gjithmonë. Por si ka mundësi që ministri i Shtetit dhe i Diasporës të anashkalojë vlerat e atyre emigrantëve, te drejtuesve të shoqatave, Federatës së Lidhjes së Shoqatave Shqiptare, të anashkalojë ato nëna mësuese që për orë të tëra u mësojnë fëmijëve tanë gjuhën shqipe, të anashkalojë intelektualë, doktorë shkencash apo profesorë të nderuar dhe të emërojë njerëz partiakë? Çfarë problemesh mund të ngrenë këta për emigracionin…? Kur do të bëhemi njerëz për të kuptuar se emigracioni nuk është partiak por mbarëkombëtar. Në mbyllje po i bej një pyetje ministrit, si ka mundësi që emigracioni në Greqi me 600 mijë shqiptarë të ketë katër koordinatorë partiakë dhe emigracioni shqiptar në Kanada 19? Nuk do jetë e largët ajo ditë kur vetë emigrantët do të ndërgjegjësohen dhe të bëjnë vetë Samitin e tyre ashtu si e meritojnë larg çdo politike.