Shoqata shqiptare e personave të paaftë, prej 6 vitesh e nëpërkëmbur nga qeveria

1408
Sigal

Maksim RUSHI*

Ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”

Kërkojmë ndihmën e organizmave ndërkombëtare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara!

“Që nga dita e parë e krijimit të saj e deri më sot, për 6 vjet me radhë, Shoqata Shqiptare e Personave të Paftë vijon të jetë e nëpërkëmbur nga qeveria, madje pa asnjë lloj arsye. Për më tepër,  nuk ekziston asnjë shpresë, që gjendja mund të ndryshojë. Të gjendur në këto rrethana nuk dimë ku të ankohemi”, – thotë kryetari i Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë, Maksim Rushi. “Mendojmë se do të ishte e arsyeshme edhe ndihma e organizmave ndërkombëtare, pasi bëhet fjalë për shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, por ky do të jetë një hap tjetër në vijim të punës tonë. Deri më sot, kemi vënë në dijeni të gjitha institucionet shqiptare që kanë lidhje me aftësinë e kufizuar, por përgjigje pozitive nuk kemi pasur në asnjë rast, përveçse anashkalim të çështjes.”

Ç’kategori personash me aftësi të kufizuar mbulon shoqata juaj?

Në këtë shoqatë bëjnë pjesë personat me dëmtim fizik e pluri-defekt, kryesisht të pambuluar nga skema e sigurimeve shoqërore, pasi këta individë, ose kanë lindur të tillë, ose janë aksidentuar gjatë jetës. Kjo kategori qytetarësh ka qenë më e shpërfillura gjatë gjithë viteve të demokracisë. Për këtë arsye, më 4 dhjetor të vitit 2012, me vendim të Gjykatës së Tiranës krijuam Shoqatën Shqiptare të Personave të Paaftë. Që nga ajo ditë kanë kaluar 6 vjet; kemi bërë shumë përpjekje për ndërgjegjësimin e institucioneve shtetërore, për të drejtat që na jep ligji dhe konventat përkatëse, por zvarritjet kanë qenë të pafundme; gjashtë vite nuk janë pak. Mbi të gjitha bëhet fjalë për një shoqatë të mirë organizuar, me forume drejtuese në të gjithë vendin. Por edhe pse realiteti është ky, vijojmë të jemi të nëpërkëmbur. Përgjigje pozitive nuk kemi gjetur as nga portali “Shqipëria që duam”, e trumbetuar si krijesa më e aftë  qeveritare për zgjidhjen e halleve të qytetarëve.

Cili është dallimi mes shoqatës suaj me shoqatat e tjera: e të verbërve, e para dhe tetraplegjikëve, invalidëve të punës ose luftës?

Nuk ka asnjë dallim. Sipas nenit 3 të ligjit nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesushmërinë e personave me aftësi të kufizuara, pika 9: “Persona me aftësi të kufizuara; janë individët që kanë dëmtime afatgjata fizike, mendore, intelektuale ose ndijore, dëmtime të cilat, në bashkëveprim me pengesat e ndryshme, përfshirë ato mjedisore dhe të qëndrimit, mund të pengojnë pjesëmarrjen e plotë dhe efikase të këtyre personave në shoqëri, në kushte të barabarta me të tjerët”.  Ashtu si gjithë personat e tjerë me aftësi të kufizuar edhe anëtarët e shoqatës sonë janë të  pajisur me vërtetim KMCAP. Vlerësimi i aftësisë së kufizuar realizohet nga të njëjtat komisione multidisiplinare. Ky vlerësim bëhet bazuar në Klasifikimin Ndërkombëtar për Funksionimin e Aftësive të Kufizuara dhe Shëndetin (ICF) të Organizatës Botërore të Shëndetit…”. Atëherë përse diskriminohemi?

Pse diskriminoheni? Këtë duhet të na i thoni ju…

Fatkeqësisht ne nuk kemi një përgjigje të saktë, sepse nga ana e qeverisë nuk na është dhënë asnjë arsye, ndaj të ndodhur në këto rrethana, dyshojmë se gjithçka bëhet që edhe fondet e personave me aftësi të kufizuar të investohen në kompani offshore, ku klane të caktuara  të mbushin xhepat, ose ata që shërbejnë në institucione  të shtetit janë të paaftë, në rastin më të mirë, dhe mohues të të drejtave të invalidëve ne rastin më të keq. Gjithsesi, këtë shpjegim e presim nga qeveria, pasi e çfarëdo lloji të jetë arsyeja, emrin e ka korrupsion. Sipas Ligjit Nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe akseset e personave me aftësi të kufizuar”, nën kategorinë e personave të paaftë përfshin invalidët e punës dhe të luftës, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, personat që nuk dëgjojnë dhe nuk shikojnë dhe çdo kategori tjetër e personave me aftësi të kufizuar, përfshi këtu edhe personat që kanë lindur të tillë ose janë aksidentuar gjatë jetës së tyre.

Nëse  anëtarët e shoqatës tuaj nuk përfitojnë nga ato çfarë iu ofron ligji, si munden ta përballojnë jetën?

Të jetosh me një person me aftësi të kufizuar në Shqipëri do të thotë të kapërcesh pengesa pa kufij. Sipas dëshmive të vetë personave me AK, kjo do të thotë të të vijë zor të dalësh nga shtëpia, të mos jesh në gjendje të shprehësh mendimet dhe idetë e tua, të mos kesh mundësi të ndërveprosh me të tjerët, të jesh i përjashtuar fizikisht, të përballesh me shpenzimet e jashtëzakonshme shëndetësore, të mos jesh në gjendje të kapërcesh rrugën.

Nëse sërish nuk do të ketë reagim nga ana e qeverisë, cilat do të jenë hapat tuaj të mëtejshëm?

Ne nuk do të ndalemi për asnjë çast për kërkimin dhe plotësimin e të drejtave tona, sigurisht, në vijim do të kërkojmë edhe ndihmë e organizatave ndërkombëtare që kanë lidhje me personat me aftësi të kufizuar. Ndërkaq, do të kërkojmë plotësimin e kërkesave mbi disa lehtësi që na i siguron ligji:

  1. Të përjashtohemi nga taksa e aparatit të televizorit, ku në mjaft rrethe shërbimi ndaj klientit ua njeh përjashtimin nga kjo taksë, kurse në shumë rrethe të tjera jo.
  2. Të përjashtohemi nga taksa e kontrollit të automjeteve, ku gjithashtu, në mjaft drejtori rajonale kjo taksë përjashtohet për këtë kategori personash, kurse në mjaft drejtori të tjera rajonale të Kontrollit të Automjeteve, jo.
  3. T’u sigurohet udhëtimit urban falas dhe  interurban me 50 %  të biletës.
  4. Të përjashtohen nga tarifa e shkollës së lartë në universitete publike të vendit për  personat studentë me aftësi të kufizuara ose ata që kanë në familje një prind apo person me aftësi të  kufizuar. Të përcaktohet minimum jetik për këtë kategori qytetarësh në përqasje të vazhdueshëm me rritjen ekonomike të vendit
  5. Të bëhet unifikimi i librezës së personave me aftësi të kufizuara dhe fotokopjoja e librezës së personave me aftësi të kufizuar të jetë pjesë e dosjeve në bashkitë e vendit ku jetojnë
  1. Pagesat e paaftësisë të bëhen në një datë fikse të çdo muaji, pasi çdo vonesë sjell problem në jetën e personave me aftësi të kufizuar
  1. Kërkojmë që pranë KMCAP-it në rrethe të asistojë një përfaqësues i shoqatës sonë me qëllim zgjidhjen e drejtë të çdo shqetësimi.
  1. Kërkojmë mundësi punësimi të paktën për një prej anëtarëve të familjes së këtyre personave.

Deri më sot kemi vijuar të vuajmë diskriminimin e hapur që u bëhet anëtarëve të shoqatës tonë në raport me kategoritë e tjera të invalidëve, gjë që bie në kundërshtim flagrant me kushtetutën e vendit dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar. Shpresojmë të kemi një reagim nga qeveria.

Kryetari Kombëtar i Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë