Shifrat alarmante, çdo tre ditë një fëmijë humbet në Shqipëri!

659
Sigal

Shifra alarmante, në 3 vitet e fundit kanë humbur 365 fëmijë, 258 vajza dhe 107 djem

Çdo tre ditë një fëmijë humbet në Shqipëri!

Rreth 120 fëmijë raportohen çdo vit në Shqipëri të humbur dhe të zhdukur prej familjeve të tyre. Çdo ditë një fëmijë mendon të largohet apo është larguar nga shtëpia. Këto shifra janë një kambanë alarmi, jo vetëm për prindërit por mbi të gjitha për institucionet shtetërore, publike dhe shoqërinë tonë. Qendra Kombëtare e Fëmijëve të Humbur në Shqipëri, nën moton globale për fëmijët e humbur “Mos na harroni”, së bashku me prindër, aktivistë dhe organizata partnere, krijuan në datën 17 maj një zinxhir njerëzor përpara zyrave të Qeverisë Shqiptare, për të ndërgjegjësuar Qeverinë për rrezikun në të cilin ndodhen fëmijët. Sot në vendin tonë, janë shumë fëmijë të humbur dhe të pagjetur. Familjet e tyre janë në pritje të rikthimit të tyre në shtëpi. Humbja e fëmijëve nuk është vetëm një çështje komplekse por dhe një problem ndaj të cilit asnjë shtet nuk gëzon imunitet! Në 3 vitet e fundit sipas të dhënave të Policisë së Shtetit 365 fëmijë kanë humbur, prej të cilëve 258 vajza dhe 107 djem. Ndërkohë që 353 prej tyre janë rikthyer pranë familjeve, pjesa tjetër vijojnë ende të jenë të pagjetur. Linja Kombëtare për Fëmijët e Humbur në Shqipëri (ALO 116-000) raporton se çdo ditë në vendin tonë, një fëmijë mendon të largohet apo është larguar nga shtëpia në Shqipëri. Disa prej fëmijëve rrëmbehen nga njerëzit e tyre më të besuar, një pjesëtar i familjes apo një prind, ndërsa të tjerë largohen nga familjet e tyre për shkak të neglizhencës, diskriminimit, dhunës dhe abuzimit. Të gjithë këta fëmijë, shpesh janë pre e grupeve kriminale apo grabitqarëve seksualë. Në 3 vitet e fundit sipas raportimeve të Policisë së Shtetit, numri i fëmijëve të trafikuar është 50, prej tyre 34 janë vajza dhe 16 djem. CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ALO 116, risjellin në kujtesë rastet ende të pazgjidhura të fëmijëve që janë larguar nga familjet e tyre dhe që konsiderohen të humbur: Bleona Mata, Marteo Bejaj, Juljan Çela, Isa dhe Mirjeta Matmuja. Ata janë ende të pagjetur! “Ky Zinxhir Njerëzor vjen përpara Qeverisë dhe Kuvendit për t’ju kërkuar atyre publikisht që të mos harrojnë fëmijët e humbur! Fëmijët në Shqipëri vazhdojnë të jenë pre e pasigurisë, trafikimit, abuzimit dhe rrëmbimeve nga grabitqarët seksualë! Qeveria dhe Kuvendi duhet të miratojnë urgjentisht ndryshimet në Kodin Penal për mbrojtjen e fëmijëve.“ –tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri. Qendra Kombëtare e Fëmijëve të Humbur në Shqipëri, i kërkon të gjitha agjencive ligj-zbatuese në vend që të rihapin çështjet e pazgjidhura të fëmijëve të humbur në Shqipëri. Çdo vit, më tepër se 850.000 fëmijë në botë raportohen të humbur.