SHBA: Ja si të emigroni dhe udhëtoni në Amerikë

3230
Sigal

Ambasada e Shteteve të Bashkuara sqaron qytetarët rreth procedurës së Bashkimit Familjar de kategoritë e personave që mund të përfitojnë. Llojet e vizave emigruese dhe jo-emigruese, kur rinovohen e refuzohen ato, dhe afatet e qëndrimit në Amerikë. Ja hapat e aplikimit për vizën turistike

Bashkimi Familjar dhe kategoria e personave që mund ta përfitojnë. Llojet e vizave emigruese e jo-emigruese, rinovimi dhe refuzimi i tyre. Afatet e udhëtimit dhe qëndrimit në SH.B.A. Ja hapat e aplikimit për vizën turistike

Ambasada Amerikane: Kohëzgjatja e procedurës së Bashkimit Familjar dhe pajisja me vizë turistike

Ekspertët e Ambasadës Amerikane në Tiranë u përgjigjen pyetjeve të qytetarëve shqiptarë duke i sqaruar në lidhje me procedurën dhe kushtet e bashkimit familjar, pajisjen me vizë turistike dhe rastet dhe arsyet e refuzimit të vizave emigruese dhe jo-emigruese. Gjithashtu ekspertët e ambasadës rendisin dhe hapat e aplikimit për vizën turistike dhe procesin e rinovimit të një vize që është në prag skadimi. Për të informuar të gjithë të interesuarit për çështjet që kanë t bëjnë me emigrimin dhe udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gazeta “Telegraf” rendit më poshtë pyetjet e qytetarëve dhe përgjigjet e ekspertëve të ambasadës së SH.B.A-ve.

Aplikimi për vizë nga një vend jashtë Shqipërisë

Pyetje: Përshëndetje! Nqs aplikoj për vizë në një ambasadë në Itali, viza është po 3-vjeçare apo duhet aplikuar në Tiranë për vizë 3 vjeçare?

Përgjigje Ambasada Amerikane: Përshëndetje! Për shtetasit shqiptarë kudo që të aplikojnë, nëse kualifikohen për vizë jo-emigruese do të marrin një vizë maksimumi 3 vjeçare.

Pyetje:Përshëndetje. Do doja të dija a mund të digjet viza turistike në rast se për arsye personale nuk shkon në Amerikë që vitin e parë të marrjes së vizës, por më vonë?

Përgjigje: Jo. Ne e kuptojmë që për arsye të ndryshme, ju nuk udhëtuat dot gjatë vlefshmërisë së vizës.

Pyetje: A lejohet të aplikojë për vizë turistike një shtetas shqiptar, por që jeton në një vend tjetër të Evropës ku punon dhe jeton ?!

Përgjigje: Normalisht ju duhet të aplikoni në shtetin ku jetoni.

Pyetje: Doja të pyesja rreth KCC. Një fitues me Case Number 29*** a mund t’i dorëzojë dokumentet për intervistë në KCC, edhe pse nuk ka marrë ende një njoftim me email?

Përgjigje: Jo. Lutemi prisni për emailin nga KCC.

Rinovimi i Vizës dhe i pasaportës

Pyetje: Më ka përfunduar viza 3-mujore turistike në tetor. Vizitova një javë New York-un. Dua të aplikoj përsëri që të ri-vizitoj Shtetet e Bashkuara në verë. A është e domosdoshme që të kaloj procesin e intervistës përsëri apo mund të postoj pasaportën për në ambasadë?

Përgjigje: Nëse ju po rinovoni një vizë që ka skaduar brenda 12 muajve, dhe kjo vizë ishte lëshuar në Tiranë, si dhe ju po aplikoni për të njëjtën kategori vize për të cilën kishit aplikuar edhe në vizën e fundit, si dhe i përgjigjeni saktë pyetjeve të rinovimit të vizës, ju mund të mos paraqiteni në Ambasadë për intervistë. Nëse pas pagesës, ju del mesazhi që duhet të dërgoni dokumentet me korrier, ju i jeni përgjigjur saktë pyetjeve dhe do të printoni Certifikatën e autorizimit për DHL-në ku do të dërgoni dokumentet tuaja për në Konsulaltë. Nëse ju del kalendari i takimeve, ju duhet të caktoni një takim për t’u paraqitur në Ambasadë, pasi nuk jeni gjendur i kualifikuar për rinovim vize. 

Pyetje: Kam marrë një vizë Turistike. Por në Janar të 2019-s nxora një pasaportë të re, sepse pasaporta ku kisha vizën turistike amerikane u mbush plot me viza dhe vula. Për këtë arsye aplikova për pasaportë të re. Te lutem më informoni sepse gjatë pushimeve të verës do shkoj në USA, dhe dua të di nëse mund të shkoj me të dyja pasaportat?
Përgjigje: Po, ju mund të udhëtoni me të dyja pasaportat: me pasaportën e vjetër që ka vizë të vlefshme dhe me pasaportën e re, me kushtin që viza të jetë e padëmtuar, dhe po udhëtoni për të njëjtin qëllim për të cilin ju është lëshuar viza, dhe emri dhe mbiemri juaj të mos ketë ndryshuar. Të dyja pasaportat duhet të jenë lëshuar nga i njëjti shtet, si dhe lloji i pasaportës të jetë i njëjtë. Zyrtari i Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit do të vulosë pasaportën tuaj me “VIOPP” (viza tek pasaporta tjetër). Mos u përpiqni të hiqni vizën nga pasaporta e vjetër dhe ta vendosni tek e reja, pasi viza nuk do të jetë më e vlefshme.

Kushtet dhe dokumentet e nevojshme e aplikimit për viza turistike

Pyetje: Përshëndetje, jam i interesuar për të aplikuar për vizë turistike për në USA, dua të shkoj bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët e mi. Jam administrator i një biznesi të vogël prej dy vitesh, kam ndonjë shans për të fituar vizën një mujore?

Përgjigje: Kini parasysh që nëse ju dëshironi të aplikoni ju mund ta bëni atë duke ndjekur hapat këtuhttps://ais.usvisa-info.com/sq-al/niv/information/niv. Për vizë vizitori B1/B2 ju duhet të paraqisni vetëm pasaportën tuaj, një kopje të printuar të fletës së konfirmimit të aplikimit elektronik DS-160 dhe një foto me ngjyra 5cm X 5cm të nxjerrë kohët e fundit, e cila duhet të përmbushë të gjitha kërkesat. Nuk nevojitet një ftesë dhe ju lutemi mos sillni letra nga banka dhe dokumente të tjera që nuk janë kërkuar. Ato nuk do të shqyrtohen. Vetëm oficeri konsullor që ju merr në intervistë pasi të ketë shqyrtuar çështjen tuaj dhe t’ju ketë intervistuar, ai do të marrë vendimin nëse gjendeni ose jo i kualifikueshëm. Gjithsesi, mbani parasysh që secili aplikant i vizës turistike duhet të tejkalojë prezumimin e qëllimit imigrues të aplikantit, pra që të dëshmojë që nuk është një imigrant i mundshëm, dhe që ka lidhje të forta ekonomike e familjare me Shqipërinë dhe që do të kthehet në Shqipëri pas një qëndrimi të shkurtër në SHBA. Aty ku ne dalim në përfundimin që një person ka lidhje të forta (punë, sociale, lidhje të tjera ekonomike, etj.), dhe që tejkalon prezumimin e qëllimit imigrues – të cilin ne jemi të detyruar me ligj që ta prezumojmë për çdo aplikant të kategorive jo-imigruese, atëherë ne jemi të lumtur dhe krenarë të lëshojmë këto viza, shpejt dhe me respekt. Për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, gjithçka varet posaçërisht nga situata juaj. Cilat janë qëllimet tuaja në SHBA? Sa kohë keni ndërmend të qëndroni? A do të punoni në SHBA? A keni lidhje të forta në Shqipëri dhe a keni në plan të ktheheni? Ju duhet të siguroheni që t’ia bëni vetes tuaj me ndershmëri këto pyetje (përpara se ju të aplikoni për vizë) dhe pastaj t’u përgjigjeni me sinqeritet gjatë intervistës tuaj, nëse ju aplikoni. 
Dhe, mbani mend që refuzimet në Seksionin 214b të AIN nuk janë të përhershme. Lidhjet tuaja jashtë Shteteve të Bashkuara, si dhe kriteret e tjera për kualifikim për vizat jo-imigruese ndryshojnë përgjatë kohës, pasi edhe vetë jetët tona evoluojnë. Sigurisht, kjo lyp edhe pyetjen: “Kur mund të riaplikoj unë?” nëse dhe kur të aplikoni është tërësisht në zgjedhjen tuaj, por është e dobishme të mbani mend që nëse juve ju është refuzuar viza bazuar në lidhje jo të forta jashtë Shteteve të Bashkuara, do të ishte më e udhës që të prisni derisa situata juaj të ndryshojë përpara se të aplikoni përsëri për vizë, ose t’i evidentoni sa më qartë këto lidhje dhe fakte tek formulari juaj i aplikimit DS-160. 
Këshilla jonë më e mirë mbetet që të tregoheni të sinqertë dhe të vërtetë përpara oficerit konsullor rreth qëllimeve dhe kualifikimeve tuaja në sportelin e intervistës. Personat që duan të aplikojnë ta dinë që nuk na duhen të shikojmë gjithë ato dokumente – unë dua të bëj një bashkëbisedim me aplikantin e vizës në sportel, pa dokumente. Paçi fat!

Kur mund të bëhet procedura e bashkimit familjar

Pyetje: Prindërit e mi kanë vizë turistike 3 vjeçare. Unë aktualisht kam Green Card. A mund të bëj procedura të bashkimit familjar me prindërit, kur dhe sa zgjate kjo procedurë?

Përgjigje: Ju mund të bëni bashkim familjar me prindërit, vetëm pasi të keni marrë nënshtetësinë. Kur ju të bëheni shtetas amerikan atëherë mund të filloni procedurën për prindërit për bashkim familjar. Ata mund t’ju vizitojnë një herë në vit me vizë jo-emigruese që disponojnë dhe duhet të respektojnë afatin kohor të qëndrimit që kanë deklaruar në formularin për vizë. Ditë të mbarë!

Pyetje: jam i internuar, sa zgjat bashkimi familjar. Nusja dhe vajza ndodhen në SH.B.A, pasi bashkëshortja ime është me green card. Kam 6 muaj që e kam dorëzuar dosjen për bashkimin familjar. Sa mund të vonojë kjo kërkesë?

Përgjigje: Kategoria juaj është F2A – bashkëshort/e i Banorit të Përhershëm të Ligjshëm, ose bir/bijë nën 21 vjeç i pamartuar i Banorit të Përhershëm të Ligjshëm, dhe dhe aktualisht koha e pritjes është rreth 2 vite (por që ndryshon). Për muajin mars 2019 janë aktuale çështjet/peticionet e dorëzuara tek USCIS përpara datës 08 janar 2017. Data që peticioneri në SHBA ka dorëzuar peticionin tek USCIS quhet data juaj prioritare. Ju duhet të ndiqni buletinin e vizave mbi ndryshimin e datave aktuale për kategorinë tuaj. Lexoni mbi vizat që përfitohen nga familja: https://al.usembassy.gov/…/family-based-immigration-sq/. Buletini i vizave ndryshon çdo muaj dhe e gjeni këtu: https://travel.state.gov/…/en/law-and-policy/bulletin.html. Shikoni datën në kolonën “All Chargeability Areas Except Those Listed” për kategorinë e vizës suaj. Të gjitha peticionet e dorëzuara përpara asaj date janë aktuale për t’u shqyrtuar.
Qendra Kombëtare e Vizave (NVC) fillon procedurën e mbledhjes së dokumentacionit të nevojshëm disa muaj përpara se cështja juaj të jetë aktuale, në mënyrë që ju të mos humbisni kohë me këtë procedurë dhe cështja juaj të jetë gati sapo ajo të jetë aktualeB

Si të aplikoni për vizë turistike

1. HAPI I PARË: Plotësoni Aplikimin Online
– Secili aplikant, pavarësisht moshës, duhet të plotësojë formularin e aplikimit për vizë jo-imigrimi DS-160 online tek https://ceac.state.gov/genniv/.

– Gjatë aplikimit, ju do të ngarkoni edhe një fotografi digjitale që i përmbush standardet e Departamentit Amerikan të Shtetit, Byrosë së Çështjeve Konsullore.

– Pasi të keni plotësuar formularin DS-160, printoni fletën e konfirmimit që mban barkodin e aplikimit tuaj. Ju duhet ta sillni këtë fletë konfirmimi kur ju të paraqiteni në Ambasadën Amerikane në Tiranë për intervistën tuaj për vizë.
– Plotësoni të gjithë informacionin me saktësi në formularin DS-160. Nëse keni përdorur emër ose mbiemër tjetër për shkak të martesës apo për arsye të tjera, ju duhet të vendosni tek DS-160 të gjithë emrat dhe mbiemrat e mëparshëm. Nëse nuk vendosni informacionin e saktë, do të krijohen vonesa në shqyrtimin e aplikimit tuaj për vizë. Formulari duhet plotësuar në Anglisht.
2. HAPI I DYTË: Paguani Tarifën e Vizës
– Secili aplikant, pavarësisht moshës, duhet të hyjë te llogaria ose krijojë llogarinë e tij ose saj duke pёrdorur njё nga mënyrat e mëposhtme për të paguar tarifën e vizës:
• Në internet: https://ais.usvisa-info.com/sq-al/niv 
• Me telefonon nё numrin: +355-045-302-222; ose 703-520-2498 nga SHBA;
• Me shёrbimin Skype nёn emrin usvisaalbania.
– Pasi të keni hyrë tek llogaria juaj, lart në kahun e djathtë keni një ikonë me tre njerëz, që kur klikoni ju del “Grupet”. Klikoni mbi të dhe klikoni përsëri mbi “Grup i ri”. Kryeni regjistrimin e përgjigjuni saktë pyetjeve të rinovimit të vizës. Kjo ka shumë rëndësi në kualfikimin për rinovim, apo në caktimin për intervistë.

– Nëse ju po rinovoni një vizë që ka skaduar brenda 12 muajve, dhe kjo vizë ishte lëshuar në Tiranë, si dhe ju po aplikoni për të njëjtën kategori vize për të cilën kishit aplikuar edhe në vizën e fundit, si dhe i përgjigjeni saktë pyetjeve të rinovimit të vizës, ju mund të mos paraqiteni në Ambasadë për intervistë.

– Nëse pas pagesës, ju del mesazhi që duhet të dërgoni dokumentet me korrier, ju i jeni përgjigjur saktë pyetjeve dhe do të printoni Certifikatën e autorizimit për DHL-në ku do të dërgoni dokumentet tuaja për në Konsulaltë. Nëse ju del kalendari i takimeve, ju duhet të caktoni një takim për t’u paraqitur në Ambasadë, pasi nuk jeni gjendur i kualifikuar për rinovim vize. 
3. HAPI I TRETË: Përgatituni për Intervistën Tuaj
– Ju duhet të dërgoni dokumentacionin me postën DHL nëse jeni gjendur i/e kualifikuar për rinovim vize me postë: 
• Pasaportën tuaj; 
• Fletën e konfirmimit të formularit DS-160 që përmban barkodin dhe fotografinë tuaj; 
• Një fotografi me përmasa 5×5 cm; 
• Fletën e takimit për intervistë që printuat nga https://ais.usvisa-info.com/sq-al/niv. 
– Nëse aplikimi miratohet për rinovim pa nevojë paraqitjeje: Kini parasysh që i gjithë procesi – nga data e marrjes se pasaportës deri në dorëzimin tek DHL, zgjat rreth tre javë. 
– Nëse kërkohet intervistim i aplikantit: Në disa raste, oficeri konsullor mund të kërkojë të paraqiteni për intervistë. Në këto raste pasaporta kthehet me DHL dhe aplikanti autorizohet që të caktojë një takim në sistemin e takimeve. Lutemi mos caktoni takim pa marrë pasaportën nga DHL.B

Refuzimi i vizës

– Nëse një aplikuesit i është refuzuar viza, zyrtari konsullor do t’i japë aplikuesit një letër në të cilën do të shpjegohet pse i është refuzuar viza. Nëse letra e refuzimit ka të shënuar 214(b), do të shpjegojë në përgjithësi se aplikimi nuk kualifikohet për një vizë në ndjekje të ligjeve të imigracionit të SHBA-së.

– Nëse aplikuesi zgjedh të aplikojë sërish, ai duhet të paraqesë një aplikim të ri, të paguajë një pagesë të re për vizën dhe duhet të japë informacion se si kanë ndryshuar rrethanat që nga aplikimi i mëparshëm për vizë. Nëse letra e refuzimit ka të shënuar 221(g), në përgjithësi do të përfshijë veprime shtesë që duhet të kryejë aplikuesi për të vazhduar me aplikimin e tyre për vizë. Letra do të ketë edhe udhëzime se si të kryhen hapat shtesë të kërkuar. Aplikuesit nuk do t’i duhet ta paguajë përsëri tarifën e aplikimit për vizë.

– Në disa raste aplikimet kërkojnë shqyrtim të mëtejshëm administrativ, që mund ta vonojë gjykimin për vizë. Në rast se shqyrtimi administrativ kërkohet, letra po ashtu do të ketë të shënuar 221(g) dhe do të jepen udhëzime shtesë.