Sejmen Gjokoli: Për Akademikun Bulo, që bulëzonte mjaltë

    425
    Mund të ikte direkt për në Përmet, për aty ku ishte nisur, për aktivitetin e organizuar nga bashkia e qytetit për Dritëroin tonë.
    Për Dritëro Agollin do të shkonte të fliste në veprimtarinë që përmetarët kishin organizuar në atë mbasdite të 25 tetorit 2015.
    Me Vaso Tolen, (kolegun e Profesorit e mikun tonë të përbashkët) qëlloi të ishin në të njëjtin magjistral; veç aty për më në jug, në Gjirokastër, ndërsa Profesori aty pranë ujit të Ftohtë do të merrte udhën majtas, për nga lindja.
    Në të hyrë të Gjirokastrës, aty ku rruga fillon ngjitjen drejt qendrës së qytetit, dëgjova Vason që nga telefoni ti thoshte: …mund të vish Profesor, koha është e mjaftë edhe për këtu, edhe për Përmet.
    Ishte Profesor Jorgo Bulo, – më thotë Vaso,- është diku afër Levanit, është nisur për një aktivitet për Dritëroin në Përmet, por meqë aktiviteti është mbasdite do vijë të përcjellë edhe aktivitetin në Gjirokastër.
    U gëzova shumë mbasi do kisha rastin të takoja një njeri të dashur dhe shumë të admirueshëm, mes miqve të mi të tjerë.
    Përpara pak vitesh do të njihesha nga afër me profesorin, pikërisht në Përmet, kur bashkia e qytetit dhe “Toena” organizonin promovimin e botimeve të Tij për Naimin e Çajupin.
    Pastaj do të ishim bashkë edhe në vizitën në Frashër, në shtëpinë e Frashëllinjve të dëgjuar.
    Një vit më pas, do t’i propozoja për ta pasur President Nderi te ‘Aulona Inter Folk Festival’, propozim që e priti me dëshirë e gëzim të papërshkruar.
    Një frakturë në këmbë do ta pengonte të vinte fizikisht në Vlorë, por përshëndetja e dërguar për festivalin u përcollë me shumë emocion e duartrokitje.
    …Këto mendoja kur mora vesh, se Profesor Jorgo Bulo do të vinte e do takoheshim në Gjirokastër, në aktivitetin që bashkia e qytetit organizonte në ditën e 10-vjetorit të shpalljes së Iso-polifonisë nga UNESCO ” Kryevepër të trashëgimisë shpirtërore…”.
    As koha e keqe e as shiu i vazhdueshëm litar nuk e ndali Profesorin për të mbërritur në qytetin e gurtë të kulturës botërore. Por njëherësh edhe vendlindja e tij e dashur.
    Profesor Bulo është nga Sheperi i Zagorisë, aty ku Çajupi ka lindur, po edhe ku urtësia, mençuria e kultura maten me botën.
    Organizatorët e aktivitetit e vlerësuan shumë prezencën e Profesorit dhe të pranishmit shpërthyen në duartrokitje, kur dëgjuan prezencën e tij në sallë.
    Të pranishmit nuk i kursyen duartrokitjet, as kur moderatori i aktivitetit do ta ftonte në skenë për t’i dorëzuar një vlerësim nderi dhënë nga Bashkia e qytetit grupit të njohur të valleve të Lunxhërisë.
    Ishte momenti për të adresuar pak fjalë për Gjirokastrën e tij të dashur, për traditat dhe këngën e tabanit, por edhe për një nga kolegët e miqtë e tij të afërt Vaso Tole, të cilin atë ditë qyteti do ta certifikonte “Qytetar Nderi”.
    Po ku ta dinim, se kjo dalje në skenë e ato fjalë të dala prej gojës së tij do të ishin të fundit dhe po për herë të fundit edhe për t’u parë me Gjirokastrën, qytetin dhe vendlindjen e tij të dashur.
    Nga restorant “Kodra”, aty në kodrën e njohur si pika, ku Kalanë dhe malin e Çajupit i ke në sy, Profesori u nis drejt Përmetit ku e priste aktiviteti tjetër për një shqiptar të madh të letrave shqip.
    Kurrsesi s’mund ta dinim, se ky do të ishte edhe takimi ynë i fundit me Akademikun Jorgo Bulo.
    Si duket, prej pikës së Kodrës panoramike, aty pas dreke, zgjodhi të përshëndetet për herën të fundit me Gjirokastrën, me Kalanë e Argjirosë, por edhe me Çajupin e vendlindjes së tij të dashur!
    Ngushëllim!
    Gazeta “Telegraf” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Akademikut Jorgo Bulo. Për gazetën “Telegraf”, ai ishte një mik i mirë, një intelektual që ka dhënë ndihmë të vazhdueshme për mbarëvajtjen e gazetës. Shkrimet dhe intervistat me të mbeten ndër më të veçantat në faqet e gazetës sonë. Lamtumirë, Profesori ynë! 
    Sigal