Sa prej 249 mijë zgjedhësve të Qarkut Korçë do të votojnë?

1459
Sigal

Zgjedhjet për pushtetin vendor përballë dilemave të mëdha

 

Qarku i Korçës me 249.038 votues, sa prej tyre do të votojnë?

 

Zgjedhjet për pushtetin vendor në qarkun e Korçës janë në përgatitjet e fundit. Ditën e shtunë fillon shpërndarja e materialeve zgjedhore në 401 qendra votimi. Burime të Policisë Vendore të Qarkut Korçë pohuan se janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Megjithatë mjaft pyetje janë ende pa përgjigje: A do ta ketë ky proces qetësinë e duhur; a do të ketë kontestime prej bashkive që drejtohen nga opozita për vendndodhjen e KZAZ-ve, sa do të jetë pjesëmarrja; a do të ketë njerëz që do të duan ta pengojnë procesin, si dhe shumë pyetje të tjera, pasi është hera e parë që opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet për pushtetin vendor. Gjithçka pritet të qartësohet gjatë ditës së sotme dhe të dielën. Megjithatë, duhet thënë se deri tani, në këtë qark, puna ka ecur normalisht, e konfirmuar kjo edhe nga burime zyrtare pranë KZAZ-ve. E njëjta gjë u pohua edhe nga KZAZ-të e bashkive Devoll dhe Pogradec, ku fillimisht ishin vërejtur kontestime. Gjithsesi, për t’u paraprirë të papriturave, ngjarjeve jo të dëshirueshme, për të mos lejuar përplasjet mes qytetarëve, qendrat e votimit (për raste të tilla) do të vendosen në ambiente private.

Cila do të jetë pjesëmarrja në votime?

 

Qarku i Korçës do të ketë 401 qendra votimi dhe 7 KZAZ; numri i votuesve shkon në 249,038 votues. Referuar bashkive, numri i votuesve është i tillë: Bashkia Korçë, 108 qendra votimi me 74,765 votues; Bashkia Kolonjë, 34 qendra votimi, 15,605 votues; Bashkia Devoll 54 qendra votimi, 33,566 votues; Bashkia Maliq, 81 qendra votimi, 48,981 votues; Bashkia Pogradec, 116 qendra votimi, 71,761 votues dhe Bashkia Pustec, 5 qendra votimi, 4,360 votues. Cila do të jetë pjesëmarrja në këto zgjedhje mbetet të shihet në përfundim të procesit, vetëm pas numërimit të votave. Shqetësimi se mund të ndodhin episode të të padëshirueshme, ndihet te mjaft banorë, por përballë këtij shqetësimi, burime zyrtare të Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës siguruan se janë marrë të gjitha masat për ruajtjen e 401 qendrave të votimit si dhe 7 KZAZ-ve në juglindje të vendit.

 

Garë për kryetar bashkie, pa kundërshtarë!

 

Në qarkun e Korçës do të këtë edhe bashki ku do të konkurrohet pa kundërshtarë përballë. Të tilla janë bashkia Pogradec dhe Bashkia Maliq, me kandidatët respektivë Ilir Xhakolli dhe Gëzim Topçiu, të cilët vijnë nga Partia Socialiste; kurse në Korçë, kryebashkiaku Sotiraq Filo, i Partisë Socialiste do të ketë rival Leonard Ollin e Bindjes Demokratike; edhe në këtë garim nuk pritet të ketë surpriza, pasi Olli vjen nga një parti e re, e cila ende është larg të qenit e konsoliduar, për rrjedhojë, edhe pse Olli është një figurë interesante dhe e njohur nga e mbështetësit e së djathtës, nuk mund të ketë mbështetës të mjaftueshëm për të dalë në krye. Gara duket më e fortë në Bashkinë e Devollit, ku kandidati i Partisë Socialiste Eduart Duro do të ketë përballë tre kandidatë: Ylli Cenkollin e Frymës së Re Demokratike, i cili deri në vitin 2015 ka qenë kryetar komunë në Hoçisht, një prej komunave më të mëdha të kësaj bashkie; Fejzi Shahollin që vjen si kandidat i pavarur, por i mbështetur nga Bindja Demokratike; dhe Artur Propollogun, i cili vjen nga Partia Socialiste, i cili në vitin 2014 ka qenë kandidat për deputet nga Partia Socialiste, por në garën për kryetar bashkie, vjen i mbështetur nga Bashkimi Liberaldemokrat. Me qenë se tre kandidatët janë të njohur prej qytetarëve të kësaj bashkie, mundet që kandidati i PS,-së të mos jetë fitues; kurse në Bashkinë Pustec konkurrojnë Pali Koleci i Partisë Socialiste dhe kryetari aktual Edmond Themelko, i Aleancës Maqedonase për Integrim Evropian. Cili do të jetë fituesi, në Bashkinë e Pustecit, vështirë të parashikohet.

 

Mungesa e kandidatëve të PD-së, përparësi për kandidatët e PS-së

Gjithsesi, mungesa e kandidatëve të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, u jep përparësi kandidatëve të Partisë Socialiste, të cilët do të kenë përballë kandidatë të partive të vogla. Të gjendur në këto rrethana, ish-deputetët Ervin Salianji i PD dhe Endrit Brahimllari i LSI-së bënë të njohura shqetësimet gjatë qëndrimit të tyre në Korçë: “Kërkesat tona janë të qarta. Problem për ne nuk është data e zgjedhjeve. Problem për ne është blerja e votës, ndaj ne kemi kërkuar largimin e Ramës dhe qeveri tranzitore. E sigurt është që zgjedhjet e 30 qershorit janë të PS për të zgjedhur kryetarët e saj. Dekreti i Presidentit është në 13 tetor. Ka një datë të re sipas Kushtetutës dhe Presidencës; ne po kërkojmë kushte gare”, u shpreh Salianji. Ndërkaq bëri thirrje të mos ketë përplasje ditën e zgjedhjeve sepse kjo do të shkonte në interes të Ramës. Kurse Brahimllari tha se nuk do të ketë zgjedhje në 30 qershor, sepse qytetarët janë të bashkuar kundër hajdutërisë, krimit dhe paligjshmërisë së Edi Ramës. 30 qershori mund të jetë ditë zgjedhjesh brenda Rilindjes por jo për qytetarët.