Rriten rastet e dhunës në familje dhe zgjidhjet martesore

547
Sigal

Më të prekura familjet me bashkëshortë mbi 45-50 vjeç, shkak varfëria

Korçë, rriten rastet e dhunës në familje dhe zgjidhjet martesore

Nga Vepror Hasani

 

Rastet e dhunës në familje dhe kërkesat për zgjidhje martese, krahasuar me një vit më parë, kanë shënuar rritje. Më të prekura nga këto fenomene janë familjet me bashkëshortë nga mosha mbi 35 deri në 50 vjeç, pa përjashtuar as bashkëshortët me moshë nën 35 vjeç dhe mbi 50 vjeç, tek të cilët rastet janë më të pakta. Referuar të dhënave zyrtare për vitin aktual (2019), pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, deri më tani janë regjistruar 312 kërkesa për zgjidhje martese nga të cilat 173 janë pranuar, 13 janë rikthyer, 37 janë pushuar, ndërsa 89 janë në proces; prej tyre kanë përfunduar 223. Krahasuar me një vit më parë, numri i kërkesave për zgjidhje martese ka ardhur në rritje sepse gjatë vitit 2018 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçës u zgjidhën 318 çështje, ndërsa për këtë vit, deri më tani kemi 312 çështje të regjistruara, kur viti aktual është ende në 10-mujorin e tij, që do të thotë se kërkesa të tjera mund të paraqiten gjatë muajve tetor-nëntor dhe dhjetor.

 

Varfëria shkak i zgjidhjeve martesore

 

Arsyet që çojnë bashkëshortët drejt zgjidhjeve martesore janë disa: konfliktet brenda familjes, dhuna e ushtruar nga bashkëshortët, mungesa e besnikërisë bashkëshortore, emigracioni, niveli i ulët arsimor, martesa pa u njohur mirë me njëri-tjetrin etj, por shkak kryesor vijon të mbetet varfëria. Vazhdimisht konstatohet se pjesa më e madhe e familjeve që shkojnë drejt zgjidhjes së martesës kanë qenë në gjendje të vështirë ekonomike. Kjo ka bërë që jeta e familjes të shoqërohet nga grindje dhe konflikte të cilat e çojnë çiftin në një udhë pa krye. Përveç sa më sipër, dalja nga varfëria e familjeve me jetë bashkëshortore të tronditur mbetet e vështirë, pasi mundësia e punësimit është e vogël. Gjithashtu edhe emigrantët gjatë viteve të fundit kanë pasur problemet e tyre, pasi edhe ata janë përballur me mungesë punësimi. Gjithashtu, nëse vite më parë një familje e kishte shumë të vështirë “të prishte”, familjen, sot askush nuk sakrifikon për të mbajtur në këmbë një familje që nuk funksionon, sepse një ditë, (herët apo vonë), përfundimi do të jetë i njëjtë, gjë që vihet re tek çiftet me moshë të re, këta të fundit nuk ngurojnë të shkojnë në gjykatë, për të rinisur një jetë të re nga e para. Shpesh arsyet e zgjidhjes martesore mbeten të panjohura, pasi palët preferojnë të mos i bëjnë të njohura ato, dhe kjo një e drejtë e tyre pasi ka të bëjë me jetën private, por edhe për faktin se një praktikë e tillë përveçse çon në një zgjidhje të shpejtë të çështjes, kërkon edhe më pak shpenzime. Pjesa më e madhe e të divorcuarve, nuk i kanë kapërcyer më shumë se 10 vjet martesë.

 

Në rritje edhe dhuna në familje

 

Por për Rrethin Gjyqësor të Korçës, ku përfshihen rrethet Korçë, Kolonjë dhe Devoll, nuk kanë shënuar rritje vetëm zgjidhjet martesore, por edhe rastet e dhunës në familje, ku kryesisht vihet re dhuna e bashkëshortit mbi bashkëshorten; (në raste të rralla edhe dhuna e bashkëshortes mbi bashkëshortin); e fëmijës mbi prindërit ose e prindit mbi fëmijën, por siç rezulton edhe nga të dhënat zyrtare, në shumicën e rasteve ato që dhunohen janë gratë. Gjatë këtij viti, deri më tani janë regjistruar 301 kërkesa për urdhër mbrojtjeje, ku në 127 raste ka përfunduar procesi i gjykimit, 29 janë pranuar, 82 janë pushuar, (përfshi edhe rastet e tërheqjes së kërkesës), 44 janë refuzuar, ndërsa 19 janë ende të papërfunduara. Krahasuar me një vit më parë (2018), numri i kërkesave të depozituara në gjykatë ishte 231, prej të cilave janë përfunduar 224. Përsa i përket dhunës në familje, një fenomen i tillë ndodh te bashkëshortët me moshë mbi 45-50 vjeç, të cilët ende ruajnë mentalitetin e viteve të shkuara, ku burri për të mbajtur familjen “në këmbë” edhe mund ta dhunojë bashkëshorten, gjë që sot ky fenomen nuk vihet re te çiftet me moshë të re, pasi këta të fundit nuk e shohin zgjidhjen te dhuna por te zgjidhja e martesës. Por edhe në këtë rast është varfëria, pamundësia për t’u përballur me jetën, ajo që godet familjet e shqiptarëve.