Raporti “Rinia në Shqipëri 2019”/ Të rinjtë shqiptarë në skamje dhe në ikje. Shqipëria vazhdon të mbetet një ndër vendet e para në Europë për papunësinë e të rinjve, emigrimin e trurit, vrasjen e vajzave dhe varfërinë studentore. Ja apeli për qeverinë

1651
Sigal

Të rinjtë shqiptarë në skamje, papunësi dhe në ikje!

 

Raporti i 2-të Kombëtar “Rinia në Shqipëri 2019” tregon se vendi ynë vazhdon të mbetet ndër vendet e para në Evropë për papunësinë e të rinjve, largimin e trurit, vrasjen e vajzave dhe varfërinë studentore!

CRCA/ECPAT Shqipëri, Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri – ANYN dhe Child and Youth Policy Hub, me mbështetjen e Koalicionit për Arsimin në Shqipëri – ACE, prezantuan sot Raportin e 2-të Kombëtar “Rinia në Shqipëri 2019”.

Raporti kërkon të informojë në mënyrë të posaçme politikë-bërësit, institucionet shtetërore dhe vetë të rinjtë mbi situatën e rinisë në Shqipëri, problemet e identifikuara si dhe të rekomandojë zgjidhje për institucionet përkatëse. Raporti i 2-të Kombëtar “Rinia në Shqipëri 2019”, ndër të tjera evidenton disa nga gjetjet më kritike të adresuara nga vetë të rinjtë, si më poshtë:

  • Niveli i lartë i papunësisë së të rinjve e të rejave në Shqipëri, nivel ky që varion nga 20.9 % në vitin 2019, sipas INSTAT, 32.8% sipas ILO-s, ndërkohë që sipas Anketës Kombëtare “Rinia në Shqipëri 2019”, 73% e të rinjve të intervistuar e kanë adresuar atë si problemin e tyre më shqetësues.

 

  • “Ikja e trurit të të rinjve” e rendit Shqipërinë në vendin e parë në Evropë për dëshirën e të rinjve për të ikur dhe studiuar jashtë vendit. 35% e studentëve me një diplomë Bachelor dhe rreth 30% të studentëve në përgjithësi synojnë të studiojnë jashtë vendit, ndërsa niveli i gjendjes ekonomike të studentëve shqiptarë është sërish në përmasa alarmante, krahasuar me vendet e tjera. Largimi i të rinjve nga vendi kap shifra deri në 79% sipas Gallup, duke e vendosur Shqipërinë në krye të listës së vendeve nga ku largohen të rinjtë.

 

  • Shqipëria renditet ndër vendet e para në Evropë për vrasjet e vajzave dhe grave, ku situata e dhunës me bazë gjinore është më alarmante. Të dhënat e organizatave të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare tregojnë se 88.8% e grave dhe vajzave në Shqipëri janë të dhunuara nga të gjitha format e dhunës dhe 65% e tyre e kanë përjetuar dhunën në familje ose nga partneri. Nëse do t’i referohemi dy viteve të fundit numri i vajzave (grupmosha 15-29 vjeç) të vrara nga partnerët e tyre shkon në 7 vajza. Sidoqoftë, vlen për tu theksuar fakti pozitiv, se ka një rritje të ndjeshme të numrit të vajzave që janë ndërgjegjësuar dhe kanë marrë guximin të denoncojnë dhunën ndaj tyre pranë Policisë së Shtetit, dhe kjo shifër arrin në rreth 8000 raste që kanë marrë urdhër-mbrojtjeje në vit, duke u rritur me mbi 200 raste të reja, vajza që arrijnë të denoncojnë dhunën nga viti 2018 në vitin 2019.

 

  • Kushtet social-ekonomike në të cilat jetojnë të rinjtë në Shqipëri, kanë sjellë rritje të kriminalitetit rinor. Të dhënat e vitit 2018 tregojnë se 38% e dënimeve penale të formës së prerë janë dhënë ndaj të rinjve, situatë kjo që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

 

  • Varfëria dhe papunësia tek të rinjtë shërbejnë si një terren që gjeneron ndër të tjera edhe ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizimin. Raporti i Komisionit Evropian i vitit 2018 thekson se nga 144 shtetas shqiptarë që shkuan në Siri dhe Irak për luftuar në konfliktet e armatosura. 73 vetë (përfshirë 18 luftëtarë dhe 55 anëtarë të familjeve), mes tyre fëmijë, të rinj e të reja që gjenden ende në zonat e luftës. Ndërsa Raporti më i fundit i vitit 2019, sheh shqetësues rritjen në Shqipëri të radikalizmit fetar online.

 

  • Në nivel kombëtar, 62% e të rinjve nuk kanë besim te partitë politike shqiptare, ndërsa rreth 57% e tyre vlerësojnë me zero pikë punën e pushtetit vendor dhe sektorëve të rinisë. Rritja e mosbesimit ndaj politikës dhe konfliktualitetit që ushtroi ngërçi parlamentar e politik, krijuan terrenin e mos-ushtrimit të së drejtës së votës për të rinjtë. Në zgjedhjet e fundit vendore mbi 50% e të rinjve nuk kishin dëshirë të votonin. Përgatitja e këtij raporti është e një rëndësie të veçantë për Shqipërinë dhe për mbarë lëvizjen rinore. Është hera e dytë që lëvizja rinore bëhet së bashku, me qëllim monitorimin dhe vlerësimin e punës së institucioneve publike në nivel qendror dhe vendor, për të rinjtë dhe impaktit që politikat shtetërore kanë pasur te të rinjtë dhe lëvizjen e tyre në Shqipëri.

 

Raport i 2-të Kombëtar “Rinia në Shqipëri 2018-2019”, ndër rekomandimet e tij kryesore rendit:

 

Për Kuvendin e Shqipërisë:

 

Të krijojë Nën-Komisionin Parlamentar për Rininë në Kuvendin e Shqipërisë.

Të nxisë mbështetjen e bizneseve të drejtuara nga të rinjtë;

 

Për Qeverinë dhe Këshillin e Ministrave:

 

– Të krijojë programeve të reja për nxitjen e punësimit të djemve dhe vajzave si dhe të mbështesë bizneset rinore, me fokus të veçantë të rinjtë e grupeve vulnerabël.

Hapjen e programeve për mbështetjen në komunitet të të rinjve, si për fuqizimin e tyre ashtu edhe për ata të rinj që kanë sjellje anti-sociale apo kriminale, për t’i krijuar mundësi për t’u rehabilituar dhe integruar në shoqëri.

Hartimin e Planit të Ri të Veprimit për Rininë dhe miratimin në buxhetin e Ministrisë së Arsimit e zërit buxhetor për Rininë, ku ai të zërë 10% të totalit të fondeve të gjithë ministrisë.

 

Për Bashkitë në Shqipëri:

 

Të krijohen Sektorët e Rinisë, dhe Këshillat Bashkiakë duhet të miratojnë një zë specifik buxhetor për të financuar programet dhe nismat rinore të organizatave dhe grupimeve rinore;

Në çdo Bashki të vendit duhet të përgatiten dhe miratohen Planet Lokale 3-5 vjeçare të Veprimit për të Rinjtë, për të adresuar atë që mungon në politikat publike vendore

Përfaqësuesit e bashkive në bashkëpunim të plotë me Këshillin e Ministrave dhe ministritë e linjave, të punojnë, organizojnë e financojnë shërbime të mirëfillta komunitare të domosdoshme për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje.

Për organizatat rinore të shoqërisë civile:

Të ushtrojnë më tepër presion dhe të krijojnë mekanizma të llogaridhënies dhe monitorimit të të zgjedhurve publikë, institucioneve të pushtetit lokal dhe atyre qendror për problemet dhe shqetësimet e rinisë;

Të ndërmarrin fushata informuese kombëtare mbi të drejtat e vajzave dhe respektimin e tyre në shkollë, komunitet, familje e shoqëri dhe të jenë më të ndjeshme dhe të punojnë më tepër për parandalimin dhe reduktimin e gjuhës së urrejtjes mes të rinjve në Shqipëri;

Organizatat rinore në vend, duhet të ndërmarrin fushata sensibilizuese dhe të mbështesin më tepër nisjen e start-up rinore për nxitjen e punësimit të të rinjve në mbarë vendin.