Raporti i OKB/ Burrat vrasin bashkëshortet, Shqipëria në vend të parë

879
Sigal

Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të vrasjeve nga partnerët intimë në Europë.

Të dhënat janë publikuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimet dhe Drogën (UNODC), në një raport të fundit të saj “Studimi global për vrasjet e lidhura me gjininë për gratë dhe vajzat”.

Sipas grafikëve të publikuar në këtë raport, Shqipëria kishte nivelin më të lartë të vrasjeve nga partnerët intimë, me 0.7 vrasje për 100 mijë gra, sipas të dhënave që i referohen vitit 2016. Ky është niveli më i lartë në Europë. Pjesa më e madhe e vrasjeve të grave në Shqipëri kryhen pikërisht nga partnerët e tyre (në total vrasjet e grave janë 1 për 100 mijë).

Pas Shqipërisë, në vend të dytë është Islanda, me 0.6 vrasje për 100 mijë gra, e ndjekur nga Kroacia (0.5), Lituania (0.5), Finlanda (0.4) dhe Zvicra (0.4).

Në Europë, vrasjet më të larta të grave janë në Lituani me 2.9 për 100 mijë gra, 0.5 prej të cilave nga partnerët intimë.

Sipas raportit të UNODC, vrasja përfaqëson formën më ekstreme të dhunës ndaj grave.

Siç tregon ky hulumtim, vrasjet e lidhura me gjininë e grave dhe vajzave mbeten një problem serioz nëpër rajone, në vendet e pasura dhe të varfra. Ndërsa shumica dërrmuese e viktimave të vrasjeve janë burra, të vrarë nga të panjohur, gratë kanë më shumë gjasa të vdesin në duart e dikujt që e njohin.

Gratë e vrara nga partnerët intimë ose anëtarët e familjes përbëjnë 58 për qind të të gjitha vrasjeve femra nga viktimat e raportuara globalisht vitin e kaluar, dhe pak përparim është bërë në parandalimin e vrasjeve të tilla.