Rama anulon takimin, Xhelal Mziu: Kamza nuk do lejojë proces farsë, zgjedhje moniste dhe të diktuara nga krimi

522
Sigal

Kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu ka reaguar menjëherë pas anulimit të vizitës së kryeministrit Rama në Kamëz. Në rrjetin social FB Mziu shkruan, se banorët e Kamzës i dhanë mesazhin e qartë Edi Ramës, “se një Kryeministër ilegjitim që vjedh zgjedhjet dhe kërkon të mbajë me dhunë pushtetin personal, nuk është i mirëpritur.” Sipas kryebashkiakut, “proces zgjedhor farsë, zgjedhje moniste dhe të diktuara nga krimi nuk do të ketë më! Kamza dhe shqiptarët, janë në këmbë dhe nuk do ta lejojnë këtë.”

Reagimi i Xhelal Mziut

Të dashur bashkëqytetarë,

Sot banorët e Kamzës i dhanë mesazhin e qartë Edi Ramës, se një Kryeministër ilegjitim që vjedh zgjedhjet dhe kërkon të mbajë me dhunë pushtetin personal, nuk është i mirëpritur. Braktisja nga qytetarët dhe vendosmëria jonë, pa dallime partiake, për të mos lejuar zgjedhje farsë, bënë që Edi Rama të anulojë takimin e planifikuar në Kamëz në orën 18.00.
Për këtë arsye, marshim-protesta e qytetarëve të Kamzës e orës 17.00 e arriti qëllimin e saj, falë vendosmërisë tuaj për t’u përballur me pushtetin kriminal të Edi Ramës dhe vullnetit të tij për të kthyer monizmin në Shqipëri. Proces zgjedhor farsë, zgjedhje moniste dhe të diktuara nga krimi nuk do të ketë më! Kamza dhe shqiptarët, janë në këmbë dhe nuk do ta lejojnë këtë.