Qytetarët e Kosovës të rrezikuar nga kanceri, për nëntë muaj mbi 1 mijë e 120 raste të reja

669
Sigal

Numri i rasteve me kancer në Kosovë dita ditë vetëm po rritet. Sipas statistikave të Institutit të Onkologjisë vetëm brenda nëntë muajve të këtij viti janë evidentuar 1 mijë e 125 raste të reja që janë të prekur nga kanceri. Gjatë gjithë vitit të kaluar në Qendrën Klinike Universitare janë trajtuar rreth 1600 raste të reja me kancer.

Sëmundja e kancerit apo ndryshe siç konsiderohet si sëmundja e shekullit, po merr shtrirje të madhe dita-ditës edhe në Kosovë. Statistikat tregojnë se në tri vitet e fundit, ka pasur nga 1500, deri në 1600 raste të reja që janë lajmëruar.
Kjo sëmundje po prek mosha të ndryshme dhe numri i personave që po vuajnë nga kanceri veçse po rritet.
Vetëm brenda nëntë muajve të këtij viti, në Klinikën Onkologjisë në QKUK janë evidentuar 1 mijë e 125 raste të reja që janë të prekur nga kanceri. E nëse e krahasojmë këtë periudhë kohore me vitin e kaluar i bie të ketë rritje prej 3 deri në 4 për qind.

“Në këtë vit deri muajin Shtator, në Klinikën e Onkologjisë janë evidentuar 1125 raste te reja. Ndërkaq vitin e kaluar në këtë periudhë janë evidentuar 1045 raste. Këtë vit janë 3-4% rast më shumë”.
E mosha më e prekur nga kjo sëmundje, rrallë herë e shërueshme është mosha 50-60 vjeç.
Statistikat jo të mira në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) janë edhe për kancer të mushkërive.
Nga janari i këtij viti e deri në shtator, janë evidentuar 175 raste të kancerit në mushkëri.
Nëse e krahasojmë me vitin e kaluar del që edhe këtu ka ngritje prej 3 për qind.

“Me kancer të mushkërive këtë vit, deri në muajin Shtator janë evidentuar 175 raste, që në krahasim me vitin e kaluar është një ngritje për 3 %””.
Kanceri i mushkërive bën pjesë në grupin e parë sa i përket kancereve në përgjithësi në organizëm te meshkujt, kurse te femrat hyn diku në grupin e tretë.
Kujtojmë se 4 shkurti është Ditë Botërore Kundër Kancerit, ditë kjo që shënohet edhe në Kosovë për çdo vit.
Brenda vitit në Kosovë shënohen rreth 1600 raste të reja më kancer, ndërsa në shumicën e rasteve nuk ka terapi adekuate, të cilat janë të domosdoshme për trajtimin e kësaj sëmundjeje të rëndë.

Kurse të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se në vitin 2014 numri i personave të prekur me kancer, e të cilët ishin regjistruar në Institutin e Onkologjisë ishte 760. Në vitin 2015 kjo shifër ishte rritur në 808, ndërsa në vitin 2016 të prekur me kancer ishin 1.236 persona. Ende më shumë kishte në vitin 2017 pasi u paraqiten 1.550 raste të reja t të prekur me kancer.
Hulumtimet dhe të dhënat botërore të prezantuara më parë kanë treguar se në botë janë 14 milionë raste të reja që paraqiten në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030 të shtohet ky numër në rreth 22 milionë.
Ndërkaq të dhënat tregojnë se nga kanceri në botë aktualisht vdesin rreth 8 milionë persona në vit, derisa deri në vitin 2030 ky numër mund të shkojë deri në 13 milionë.

Sipas studimeve thuhet se në vendet me buxhet të ulët do të shtohen për 70 për qind rastet e vdekjeve nga kanceri, derisa në vendet e zhvilluara deri në 30 për qind, dhe kjo arsyetohet me faktin se vendet e zhvilluara kanë programe strategjike për parandalim të sëmundjes.