Qeveria franceze ofron bursa për studentët shqiptarë

1586
Sigal

Përse duhet zgjedhur Franca për të studiuar? Sepse arsimi i lartë francez është një ndër më të mirët në botë

Bursa studimi në Francë, viti akademiK 2019-2020, adresat për informacion

 

Në kuadrin e Bashkëpunimit Kulturor, Qeveria e Republikës së Francës për vitin akademik 2019-2020 ofron bursa pasuniversitare në programe studimi: Master dhe Doktoratë (tezë në cotutelle) për shtetasit shqiptarë, të cilët dëshirojnë të studiojnë në universitetet publike franceze, për sa në vijim:

– Bursa studimi Master, deri në 10 muaj (shtator 2019 – qershor 2020). Bursa mujore mbulon shpenzimet e ushqimit, asistencë për akomodim, tarifën e regjistrimit dhe të shkollimit në institucionet publike të arsimit të lartë dhe siguracionin shoqëror. Shpenzimet e udhëtimit do të mbulohen nga vetë kandidatët. – Bursa studimi PhD për periudhën shtator 2019 – gusht 2022. Bursa në “co-tutelle” përfshin 15 muaj mobiliteti të shpërndara në 3 vite të njëpasnjëshme akademikë. Bursa përfshin pagesën mujore si dhe siguracionin shoqëror. Bursa nuk mbulon shpenzimet e transportit ndërkombëtar. Shpenzimet e udhëtimit do të mbulohen nga vetë kandidatët. Kandidatët mund të aplikojnë për programe të ndryshme studimi. Megjithatë, prioritet do të kenë fushat e studimit: klima, biodiversiteti, mjekësia, energjia, migracioni. Krahas aplikimit online, kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë dokumentacionin e plotë pranë zyrave të shërbimit, të bashkëpunimit dhe veprimtarive kulturore të Ambasadës Franceze në Tiranë. Ambasada Franceze në Tiranë nënvizon se çdo dosje e paplotë ose jashtë kritereve nuk do të pranohet për shqyrtim. Dosjet shqyrtohen nga Juria përgjegjëse e ngritur pranë Zyrës së Shërbimit për Bashkëpunim dhe Veprimtari Kulturore. Juria është e pavarur dhe vendimi i saj është përfundimtar. Për kandidatët, dosjet e të cilëve do të përzgjidhen paraprakisht, do të ketë edhe një intervistë pranë zyrës përkatëse të kësaj ambasade. Afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve në Ambasadën Franceze në Tiranë është data 31 maj 2019 në adresën e mëposhtme: Ambasada e Francës Shërbimi për Bashkëpunim dhe Veprimtari Kulturore Rruga Skënderbej Nr. 14, Tiranë Kandidatët fitues për bursat e studimit te ofruara nga qeveria franceze do të shpallen gjatë muajit korrik 2019. Gjithashtu, për një informacion më të detajuar për mënyrën e aplikimit dhe të përgatitjes së dokumentacionit, ju lutemi referojuni materialeve bashkëlidhur dhe adresave në ëebsite: https://al.ambafrance.org/Bourses-du-Gouvernement-Francais-pour-les-Master-2-etDoctorat-2018-2019; https://al.ambafrance.org/Bursa-te-qeverise-franceze-per-Mastera-dhe-Doktoratura;

Përse duhet zgjedhur Franca për të studiuar?
Për cilësinë e arsimit të lartë: Arsimi i lartë francez është një ndër më të mirët në botë dhe i hapur për të gjithë. Ekselenca e tij është e njohur në mbarë botën.
Franca investon çdo vit masivisht në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor: Arsimi është sektori i parë i shpenzimeve të buxhetit të Shtetit, ose më shumë se 20%. Ekziston një tjetër paradoks francez: Arsimi i lartë është një ndër më të mirët në botë por edhe shumë aksesibël financiarisht. Në Francë arsimi i lartë mbështetet në laboratorë të kërkimit shkencor të akredituar dhe në eksperiencën e profesionistëve: Pavarësisht nga fusha juaj e studimit, ju do të jeni gjithmonë në kontakt me ekspertë të njohur.
Për hapjen ndërkombëtare të arsimit të lartë: Me 278 000 studentë të huaj (12% e efektivit studentor total, nga të cilët 25 000 doktorantë) Franca renditet në vendin e tretë si vend pritës, pas Shteteve të Bashkuara (535 000) dhe Britanisë së Madhe (340 000).

Shpenzimet në fushën e arsimit
Shpenzimet në fushën e arsimit të lartë përbëjnë rreth 1,2% të PBB të Francës, ose rreth 20 miliardë Euro çdo vit. Në pjesën më të madhe financimi është publik (87%). Kjo përfaqëson një investim mesatar prej 10 800 euro për student, pavarësisht nga shtetësia e tij. Ky mekanizëm bën të mundur që tarifat e shpenzimeve të regjistrimit të ruhen në një prej niveleve më të ulëta të botës.
Prej vitesh ajo zbaton një politikë barazie në trajtimin e studentëve francezë dhe të huaj!
83 universitete publike janë të shpërndara në të gjithë territorin francez. Shkollat franceze lëshojnë diploma në përputhje me normat evropiane që bazohen në një arkitekturë të përbashkët të quajtur «LMD» (për Bachelor, Master, Doktoraturë). Këto diploma njihen gjerësisht dhe vlerësohen në mbarë botën. Diplomat kanë të njëjtën vlerë, pavarësisht nga shkolla që i lëshon. Diploma e inxhinierisë është një diplomë kombëtare dhe shkollat që e lëshojnë atë janë të licencuara, e njëjta gjë edhe për shkollat e tregtisë dhe të administrimit të njohura nga Shteti.
Të studiosh në Francë, është rasti për të mësuar frëngjishten ose për ta perfeksionuar atë, për t’iu bashkuar kështu 220 milionë frankofonëve që praktikojnë gjuhën olimpike, gjuhën e OKB-së ose gjuhën zyrtare dhe të punës të Bashkimit Evropian. Me 110 milionë nxënës dhe 450 000 profesorë të gjuhës frënge, ajo mbetet gjuha më e mësuar pas anglishtes.
– Kërkim shkencor i nivelit të lartë
Franca ka traditë për sa i përket kërkimit dhe inovacionit shkencor dhe teknologjik (hapësirë, transporte, elektronikë, telekomunikacion, kimi, bio-teknologji, shëndetësi dhe matematikë). 11 laureatë të medaljes Fields nga të cilët 2 ishin francezë në 2010, Franca renditet në vend të dytë, pas SHBA-së për performancën e saj në matematikë.
Ndër 45 laureatët e Çmimit Nobel, Franca bën pjesë në vendet më të përfaqësuara.
Franca renditet e pesta në nivel botëror për numrin e publikimeve dhe të patentave.
– Në fushën e shëndetësisë
1 vit i përbashkët studimi për mjekësi (PACES): kineziterapi, stomatologji, farmaci, mami, me të drejtë pjesëmarrjeje në vetëm 2 konkurse. Semestri i parë validohet nga një sesion provimesh, rezultatet e të cilave orientojnë zgjedhjen e dy konkurseve.
Çdo konkurs përcakton një numër vendesh të lira; vazhdimi i studimeve kushtëzohet nga renditja. Përsëritja e vitit është e mundur vetëm një herë. Kohëzgjatja e studimeve me detyrimin për të kryer vitin e përbashkët të studimeve për mjekësi: viti i parë i përbashkët studimi për mjekësi + 8 vjet, specializimi: viti i parë përbashkët studimi për mjekësi + 11 vjet/ Farmaci 5 deri në 8 vjet / Stomatologji: viti i parë përbashkët studimi për mjekësi + 5 deri në 7 vjet / Mami: viti i parë përbashkët studimi për mjekësi + 4 vjet / Maso-kineziterapi: viti i parë përbashkët studimi për mjekësi + 3 vjet.
– Destinacion i parë turistik botëror

Franca numëron rreth 35 site të përfshira në ‘Trashëgiminë botërore” të UNESCO-s dhe Parisi është destinacioni i parë botëror për turizmin e biznesit dhe panairet ndërkombëtare. Kulla Eiffel është një prej monumenteve me pagesë më të vizituar në botë dhe Disneyland Paris është parku i argëtimit më i frekuentuar në Evropë.
– Franca në zemër të Evropës: me 9 vende kufitare Franca është kryqëzimi i paevitueshëm i kontinentit të vjetër: aeroporti Paris Charle-de-Gaulle është i dyti në Evropë dhe i gjashti në botë, rrjeti i autostradave më i denduri në botë, TGV (Tren me Shpejtësi të Madhe) drejt qyteteve kryesore franceze dhe evropiane (Londër, Amsterdam, Gjenevë etj).
– Arti i të jetuarit i pakrahasueshëm. Franca është gjithashtu një gastronomi jashtëzakonisht e njohur dhe bën pjesë që prej vitit 2010 në trashëgiminë botërore jomateriale të UNESCO-s, aktivitete dhe argëtime aksesibël dhe shumë të ndryshme (qytet, det, mal, fshat) dhe një afërsi e madhe me kulturën dhe artet.
Për dinamikën e ekonomisë franceze 
Franca është fuqia e pestë ekonomike botërore. Ajo realizon 5% të PBB botëror dhe 6% të shkëmbimeve tregtare të planetit. Franca është një vend tërheqës për investitorët. Është vendi i parë pritës i investimeve të drejtpërdrejta të huaja në Evropë dhe i dyti në botë.
Për përhapjen e eksperiencës franceze
Franca është veçanërisht konkurruese në sektorin e arteve dhe të formimit të sportistëve.
Kostoja e studimeve
Në Francë në universitetet publike Shteti mbulon pjesën më të madhe të tarifës së shkollimeve (ose afërsisht 10 000 euro për student dhe për vit). Tarifat vjetore të shkollimit të përcaktuara për të gjitha universitetet publike për vitin universitar 2011-2012 janë caktuar si më poshtë:
• 177 euro për studentët e nivelit Bachelor
• 245 euro për studentët e nivelit Master
• 372 euro për studentët e nivelit Doktoraturë
• 584 euro për studentët në Shkollat e Inxhinierisë
Këtyre shumave mund t’u shtohen shpenzime të tjera për shërbime specifike.