Projekti 50 milionë USD nga BERZH, të parat rrugët Vlorë-Orikum dhe Shëngjin-Rrjoll

361

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim njoftoi në faqen e saj se këtë të hënë hapet drita e gjelbër për prokurimin e dy kontratave, që janë pjesë e projektit 50 milionë dollarë që po financohet prej saj në lidhje me rrugët lokale dhe rajonale. Referuar detajeve të dhëna nga kjo bankë rezulton që në dy kontratat e para njëra lidhet me rehabilitimin e rrugës Vlorë-Orikum me gjatësi 10.6 kilometra si dhe rehabilitimi i Shëngjin-Baks-Rrjoll me gjatësi 15.1 kilometra. Për të dyja në të njëjtën kohë do të prokurohen edhe kontratat e mbikëqyrjes, si një kërkesë e domosdoshme e projektit që është rënë dakord mes palëve. Procedurat e njoftuara më herët do të jenë të hapura për kompanitë nga të gjitha vendet ndërkohë që shpallja e tyre bëhet në faqen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim duke respektuar edhe standardet që aplikon kjo bankë për prokurimet. Edhe pse njoftimi për kompanitë e interesuara bëhet këtë të hënë, procesi i përzgjedhjes së ofertës fituese duket se do të jetë i shtirë në kohë. Sipas kalendarit të shpallur, segmenti Vlorë-Orikum pritet që të mbarojë vetëm në fund të vitit 2022, ndërsa segmenti tjetër Shëngjin-Rrjoll përfundimi pritet të mbarojë më herët dhe sipas planit të prokurimit, në nëntor 2021. Pala shqiptare që do të ketë aksesin dhe zbatimin e projektit është Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Nga ana e BERZH më herët është vënë theksi te rëndësia e projektit për rrugët lokale dhe rajonale, që synon përmirësimin e zonave me potencial turizmin, agroturizmin si dhe rritjen e cilësisë së jetës për zonat rurale që kufizohen nga infrastruktura e dobët. Jo rastësisht dy rrugët e para janë në destinacione turistike në vend, pasi ideja është që projekti të bëjë më të aksesueshme këto destinacione si në aspektin e pasurive natyrore ashtu edhe atë të trashëgimisë kulturore.