Prof. Pirro Miso: Si u nëpërkëmb Polifonia magjike?

    517
    Siç dihet nga të gjithë, zhanri i polifonisë shqiptare është një ndër traditat më të përhapura në hapësirat mbarë shqiptare. I pranishëm në pjesën më të madhe në repertorin e trashëgimisë muzikore shqiptare, ky repertor, mbart në vetvete një mori formash ekzekutimi. Format e shumta polifonike kanë qenë e janë të pranishme edhe në muzikën instrumentale, të njohura që në mijëvjeçarin e tretë para erës së re, e të pasqyruara rëndom përmes basorelieveve etnoorganologjike të arkeomuzikologjisë shqiptare. Kjo lëndë e pasur muzikore prej kohësh ka qenë në vëmendje të studiuesve të etnomuzikologjisë dhe etnoorganologjisë shqiptare dhe asaj të huaj për vlerat e saja të veçanta. Nuk është e rastit që përcaktimet e para të këtij zhanri, si polifoni popullore, e përsëris, si polifoni popullore, u zbuluan që në vitet e para, mbas gjysmës së parë të shek. XX nga profesor Ramadan Sokoli, në botimin: “Folklori Muzikor Shqiptar, Morfologjia”, në vitin 1965”. Gjatë gjysmës tjetër po të atij shekulli, u shkruan një varg artikujsh studimorë, broshura, antologji me notizime muzikore, kritika muzikore, artikuj studimorë e publicistikë, realizuar me standarde shkencore të admirueshme, të vlerësuara nga studiues vendorë por edhe personalitete te njohura të etnomuzikologjisë europiane.
    Në vitet 1980
    Në vitet ‘80, u prodhuan disqe me 72 xhiro, në bashkëpunim me diskografitë ndërkombëtare nga më të shquarat në rruzullin tokësor, si Fonit Çetra etj. në bashkëpunim me studiuesin e njohur Beniamin Kruta dhe autoritetin e njohur europian të asaj kohe, Djego Karpitela. Në epokën e digjitalizimit u përpilua një sasi e konsiderueshme video-kompakt-disqesh, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, nga shoqëri diskografike nga më të njohurat. Mjaft autorë, si themeluesi i njohur, Prof. Ramadan Sokoli, çifti gjerman, Doris dhe Errik Shtokman, të cilët për herë të parë propaganduan polifoninë toske e çame përmes veprës së tyre studimore madhore në gjuhe të huaj, profesorë e botues të shquar, veçanërisht studiues të mirëfilltë të polifonisë shqiptare, në Shqipëri ashtu dhe jashtë saj si: Sokol Shupo, Beniamin Kruta, Kostas Loli në Greqi, Ahmet Daja në Austri, Spiro Shetuni, sot në Amerikë, Eno Tashko Koco, Angli, Rexhep Munishi në Kosovë, autori i këtij kumtimi, etj., e mblodhën këtë kulturë në terren, e sistemuan atë në arkivat e shtetit dhe mbi atë bazë e studiuan duke formuar një literaturë të gjerë botuese studimore me arritje shkencore të njohura brenda dhe jashtë vendit. Është pikërisht kjo literaturë studimore shkencore e cila bëri të mundur formimin si dhe bazën themelore të strukturës së dosjes që u paraqit në UNESKO duke ndikuar drejt për drejt në nominimin e zhanrit të polifonisë popullore shqiptare, të marrjes së saj në mbrojtje si kryevepër botërore, e theksoj edhe njëherë, pikërisht nga këto arritje. 
    Ruajtja e kësaj trashëgimie
    Mendohej se ruajtja e kësaj trashëgimie nga politikat e ndjekura të institucioneve kulturore e shkencore, mbas këtij nominimi nga kjo organizatë, do ishte më e rafinuar, me një efektshmëri më të lartë, duke menduar se autori i paraqitjes së dosjes, akademiku aktual, Prof. Dr. Vasil Tole, në poste zyrtare vazhdimisht të larta, do ndiqte një strategji kombëtare, gjithëpërfshirëse, përmes institucioneve shtetërore, të cilat mund të ndikonin në aplikimin e politikave konstruktive në këto këndvështrime themelore:
    Së pari, në mospërfshirjen e strukturave të shumta polifonike, vokale, instrumentale, vokale-instrumentale që janë të përhapura gjerësisht në hapësirat shqiptare e që po përgjumen, si nga mosnjohja e tyre si struktura, por edhe nga harresa dhe mungesa e theksuar e stimujve organizativë e shkencorë. Në këtë dhjetëvjeçar kemi parë se si organizohen vetëm dy zhanret e polifonisë, labe dhe pjesërisht ajo Toske. Një mori strukturash polifonike të tjera tradicionale me interesa shkencore e praktike janë lënë tërësisht në harresë e po humbasin në harresën e shekujve. 
    Së dyti, në një mënjanim të studiuesve nga aktivitetet e organizuara të përvjetorët e përvitshëm të UNESKO, studiues të cilët jetën e tyre ia dedikuan seriozisht zhanrit të polifonisë përmes konsolidimit të botimeve shkencore, brenda dhe jashtë vendit e jo në monopolizimin tërësor të këtyre aktiviteteve, të cilat u transformuan në rutina të rëndomta amatoreske, vetëm për të zhvatur fonde nga taksapaguesit shqiptare të dhëna në mënyrat më abuzive nga persona të veçantë të institucioneve qendrore kulturore.
    Së treti, në një pjesëmarrje aktive dhe jo të diferencuar të grupeve polifonike, të bartësve më të shquar popullorë, pra, të bazës themelore që e krijoi, e ruajti dhe e zhvilloi më tej zhanrin e polifonisë duke e mbajtur gjallë në gojën e mendjen e grupeve të shumta polifonike, duke bërë diferencime, me përzgjedhje personale, nisur po nga këto interesa materiale, 
    Së katërti, në përvetësimin dhe monopolizimin tërësor të aktiviteteve artistike vetëm nga një person i vetëm, në organizime rutinë, pa mbështetje shkencore, duke mënjanuar mendjet e ndritura të etnomuzikologjisë shqiptare, veçanërisht specialistët e polifonisë shqiptare dhe zëvendësimin e tyre me turma injorantësh në aktivitetet rajonale, të marrë prej veshi, në joshje të një lëmoshe për të mbështetur e aprovuar aktivitetet formale butaforike, të cilat u bënë si një sport aktiv e garë se kush mund të përfitojë fonde e kush mund të komprometojë më shumë drejtuesit e Ministrive që dispononin këto mundësi materiale. Pikërisht me këto forma abuzimi, degjeneruan më tej strategjitë e ruajtjes, strategjitë e politikat e zhvillimit të zhanreve polifonike si vokale ashtu dhe ato instrumentale. Së fundi, në postin e një zyrtari të lartë, për shumë vite në institucionet kulturore, ky autoritet, sot Akademik e sekretar shkencorë i kësaj Akademie, nuk duhet të lejonte degjenerimin, në mënyrat më abuzive, nga institucionet si dhe kuadrot e pa specializuara, të kritikuara për organizimet më abuzive të festivaleve rajonale dhe kombëtare duke përfshirë veçanërisht ato polifonike të cilat, nën mbrojtjen e UNESKO duhet të gjallonin në standarde të kualifikuara shkencore e jo rutinore.
    Nuk mbahet mend
    Nuk mbahet mend që, qofte edhe në një aktivitet të kësaj natyre, përgjatë një dekade, që nga nominimi i UNESKO, të jetë ftuar qoftë edhe një specialist i vetëm i etnomuzikologjisë, etnoorganologjisë, madje, qoftë edhe një studiues i mirëfilltë i polifonisë. Duke aplikuar këto forma abuzimi si dhe monopolizimin tërësor të aktiviteteve artistike, pa mbështetjen shkencore në format abuzive që u aplikuan, u nëpërkëmb e u ndot pikërisht ai nominim që organizata e UNESKO e ngriti zhanrin e polifonisë në shkallën më të lartë të hierarkisë botërore. 
    Cili është kontributi i atij që pretendon, se është autori i dosjes, mbas aprovimit të saj nga kjo organizatë botërore, e ish zyrtarit të lartë në sferat e institucioneve te kulturës, aktualisht i akademikut Pr. Dr. Vasil Tole, në zbatimin me rigorozitet të normave të ruajtjes dhe stimulimit të mëtejshëm të këtij nominimi që i u bë polifonisë shqiptare nga UNESKU? Përgjigjet janë të thjeshta dhe mjaft të dukshme për këdo. Për hir të së vërtetës, asnjë nuk mund të mohojë botimet e shumta, enciklopeditë e panumërta me shkrime e publikime të përsëritura e të ripërsëritura e të njëpasnjëshme rreth “isopolifonisë”, pa një laborator individual të autorit por vetëm të kompiluar nga materiale të gatshme, të pa cituara e të përvetësuara në një masë të ekzagjeruar. Edhe sikur të duam t’i fshehim këto botime edhe pse butaforike, nuk do mund ta bënim dot qoftë edhe për shkak të jehonës dhe paraqitjeve me një madhështi solemne, në Wbsite, në sallat e institucioneve më të larta shkencore akademike me materiale që serviren si shkencore, me nivele nga më qesharaket. Rasti i fundit i promovimit të tre botimeve akademike në sallën e Akademisë së Shkencave, “Pse qanë kuajt e Akilit”; “Sprovë për një fjalës të muzikës popullore homofonike të Shqipërisë së Veriut”; 100 këngë, himne dhe marshe patriotike shqiptare”, tregojnë qartë përdorjen e emrit të kësaj Akademie për propagandimin e botimeve të tija, nëpërkëmbjet që ky profesor po i bën institucionit më të lartë akademik, mbi të gjitha nëpërkëmbjes së nominimit të një prej organizatave më të fuqishme botërore e cila mori zhanrin e polifonisë në mbrojtje duke e nominuar atë si kryevepër botërore. Ja çfarë shkruan një studiues i polifonisë, profesor i njohur shqiptar në një kritikë të mirargumentuar, botuar në një broshurë speciale e titulluar: “Etnomuzikologjia shqiptare në udhëkryq“. Po veçoj vetëm një frazë të kësaj analize shkencore: …….“Një surprizë të tillë, thotë kritiku, e kemi hasur prej kohësh në një varg botimesh të z. Vaso Tole, të shpërndara sa në artikuj të ribotuar në libra aq edhe në pjesë librash të botuara si artikuj dhe bile edhe në libra të botuara brenda librave pa asnjë redaktim apo ripunim të veçantë“. 
    Emërtimi i këtij zhanri si “Isopolifoni“
    Por, le të ndalemi në një aspekt tjetër që prek emërtimin e këtij zhanri të emërtuar si “isopolifoni“ dhe “isopolifoni me vegla”, pasi me botimet e akademikut etnomuzikologjia dhe etnoorganologjia shqiptare ka shumë punë e kohë për ta dalë nga udhët kryq, që e ka futur ky akademik e për ta risjellë atë në autostradën e dikurshme të sukseseve të saj.
    Në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, sendërtuesi i termit, Prof. Ramadan Sokoli, gjykoi e paraqiti, në mënyrën më analitike, të gjithë kuadrin strukturor të zhanreve muzikore shqiptare, veçanërisht, një ndër zhanret muzikore vokale e instrumentale shumëzërëshe, me shoqërim dhe pa shoqërim, më të përhapurat e më të dashurat e një mase të konsiderueshme të hapësirave shqiptare duke e emërtuar Polifonia Jonë Popullore. Togfjalëshi, i mirë menduar e i strukturuar përfshin tre këndvështrime themelore përcaktuese:
    Së pari, themeluesi e quajti polifoni, që do të thotë shumëzërësh, i gjykuar jo vetëm nga numri i këngëtarëve, por nga cilësia e organizimit të tyre. Për themeluesin ishin pikërisht kontrastet melodike mes zërave të grupit si dhe individualizimi i tyre mes njëra tjetrës, të harmonizuara me një magji të veçantë. Pikërisht, ky është edhe elementi bazë që shtrohet edhe në vokabularët muzikorë më të zgjeruar të rruzullit tokësor që, një strukturë muzikore shumëzërëshe të quhet polifoni. 
    Së dyti, me fjalën “Jonë”, profesori nënkuptoi polifoninë shqiptare e jo një polifoni të një vendi tjetër, pasi gjykoi që ky zhanër paraqitej me një specifikë temperamentale origjinale, krahasuar me polifonitë e popujve të tjerë e jo siç kërkon me këmbëngulje akademiku, në mënyrë të përsëritur e tendencioze në botimet e tija, që prejardhjen e zhanrit të polifonisë t’ia atribuojë një kombi tjetër dhe: 
    Së treti, me fjalën Popullore, autori përfshiu, jo vetëm konceptin e hapësirës, kohës dhe shtrirjes të këtij zhanri në hapësirat shqiptare, por edhe format rudimentale të një polifonie që dallonte dukshëm, në pikëpamje të zhvillimit nga ajo kulte, siç janë, fjala bie, preludet dhe fugat e bahut. Themeluesi, në shpjegimet e demonstrimet përfshiu gjithashtu edhe muzikën shumëzërëshe instrumentale, madje edhe vokale instrumentale duke e përcaktuar si: “polifoni vokale të përcjellun me vegla”. Edhe për këtë term, akademiku u përpoq e po përpiqet me vendosmëri e mospërfillje shkencore ta quajë: “isopolifoni e veglave muzikore”. Termi “Polifonia Jonë Popullore”, është termi themelor që është përdorur, pa u ndryshuar edhe në simpoziumet kombëtare, ato ndërkombëtare rreth polifonisë shqiptare si edhe në të gjitha botimet akademike shkencore, që janë realizuar përgjatë këtij shekulli, si brenda ashtu edhe jashtë saj.

    Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf datë 01.12.2015
    Sigal