Prerjet e reja të parave zhvlerësojnë lekun

791
Sigal

Guvernatori i Bankës Gent Sejko thirret me urgjencë të raportojë para BE-së për angazhimet ndaj BB dhe FMN, Kërcen euro, arrin në nivelin më të lartë në 4 muaj. Përkeqësohet deficiti i llogarisë  dhe bilanci i të ardhurave, ndërkohë që bankieri i ” Rilindjes” hesht

Guvernatori i Bankës Gent Sejko thirret me urgjencë të raportojë para BE-së për angazhimet e marra para BB dhe FMN

Prerjet e parave të reja zhvlerësojnë lekun dhe rrisin euron dhe dollarin

Shqipëria është përfshirë në një program masash për de-eurozimin (përdorimin e monedhës kombëtare) por të dhënat nga ekonomia reale tregojnë se jo të gjithë angazhimet e mara para Bashkimit Evropian, FMN dhe Bankës Botërore janë realizuar. Pikërisht për këto masa Brukseli ka thirrur për të raportojnë përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe ato të Bankës së Shqipërisë në një takim pune pranë shërbimeve të Komisionit Evropian. Nuk dihet, nëse Guvernatori Gent Sejko do të raportojë në mënyrë të saktë edhe për shqetësimin e ndërkombëtarëve për pastrimin e parave dhe hedhjen në treg të miliardave të drogës, si investim në kullat e oligarkëve të qeverisë ku pjesë e oborrit të rilindjes është edhe kreu i Bankës së Shqipërisë. Në Shqipëri në transaksionet kryesore të shitjeve të pasurive të paluajtshme, automjeteve dhe kredisë për këto pasuri realizohen në euro duke shmangur monedhën kombëtare, lekun dhe duke ekspozuar kredimarrësit te risku i këmbimit. Në drejtim të stabilitetit financiar, euroizimi rrit ekspozimin e sistemit financiar dhe të operatorëve ekonomikë ndaj zhvillimeve të pafavorshme në kursin e këmbimit dhe ndaj situatave të stresit të likuiditetit në valutë. Pavarësisht ndryshimeve strukturore të konstatuara gjatë gjashtëmujorit të fundit, sistemi financiar shqiptar vijon të paraqesë nivele të larta të euroizimit, të cilat reflektojnë përdorimin e valutës në shkallë të gjerë në ekonominë shqiptare. Në këto kushte, marrja e masave për të kontrolluar dhe ulur këto nivele, në mënyrë graduale, edhe në sektorin real të ekonomisë, mbetet jo vetëm e nevojshme por edhe një domosdoshmëri. Me sa duket Banka e Shqipërisë për të zgjidhur këtë situatë ka menduar të hedhë në qarkullim para të reja të cilat u propaganduan nga vetë Guvernatori Genti Sejko në show-n e bërë publik para mediave. Por nëse vërtetë Banka Qendrore kishte menduar të hidhte prerjet e reja ,ajo do të donte shumë kujdes për të mos krijuar të tjera probleme dhe panik tek konsumatorët. Gjithsesi mendohet se këto prerje të reja, nuk kanë si qëllim final,zëvendësimin e parave në treg. As që mund të mendohet se paratë e reja po hidhen në treg për faktin se nga përdorimi , paratë e mëparshme janë dëmtuar dhe në këtë mënyrë po zëvendësohen me të reja. Fakti që paratë e prerjeve të reja po vërshojnë drejt tregut bëhet ndoshta për të plotësuar mungesën e parave dhe pamundësinë e qeverisë për të paguar rrogat, pensionet, PPP-të e shumta që ka dhënë. Dihet se një vend që nuk prodhon, që nuk ka fabrika, nuk ka uzina, nuk ka tregje, detyrimisht nuk ka ku ti gjejë lekët për këto pagesa. Valutë nuk prodhon dot dhe kështu rruga më e mirë për të plotësuar problematikën është hedhja në treg e parave të reja. Mendojmë që edhe ndryshimi i konfigurimit të pamjes së lekut ka nga prapa një skenar që nuk i shërben ekonomisë dhe financave, por autorët ndoshta e kanë bërë të tillë që të mos hedhin të njëjtën para, pasi njerëzit do e kuptonin shumë shpejt qëllimin e këtij aktiviteti. Një shpjegim të saktë dhe të plotë duhet ta japë Guvernatori i Bankës, Genti Sejko, i cili sipas analistëve dhe profesionistëve me qëndrimet e tij është kthyer në një ushtar me sy të mbyllura para papërgjegjshmërisë së qeverisë. Guvernatori Sejko duhet të respektojë rregullat financiare të parashikuara në Ligjin për Bankën e Shqipërisë, si dhe në të gjitha aktet normative që normojnë këtë aktivitet. Genti Sejko duhet të mbajë vath në vesh argumentet, kritikat dhe paralajmërimet e Bankës Botërore dhe FMN, dhe jo të ministrave të qeverisë, një pjesë e së cilëve janë analfabetë në fushën e financave dhe sistemit bankar. Prerjet e reja të lekut dhe hedhja e tyre në treg ka bërë që leku të nisë zhvleftësimin e menjëhershëm në raport me Dollarin dhe Euron. Dhe dihet sa më shumë lekë të hedhësh, pa e mbuluar me investime dhe prodhime, aq më i dobët do të jetë vlera e parasë vendase. Nga njëra anë Guvernatori Gent Sejko deklaron se janë rritur rreziqet për ekonominë, dhe nga ana tjetër paralajmëron ulje tjetër të normës së interesit. Ndërsa Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vijon të konstatojë, se rreziqet e kahut të poshtëm janë forcuar më tej. Këto rreziqe burojnë si nga ambienti i jashtëm, ku ekonomia e Eurozonës shfaqet në ngadalësim, ashtu dhe nga ai i brendshëm, ku tensioni politik vazhdon të induktojë pasiguri. Pra, guvernatori Sejko nuk harron të bëjë dhe politikë, ndërkohë që ai duhet të qëndrojë sa më larg saj. Politizimi i Guvernatorit Sejko u duk kur komentonte në mënyrë kritike qëndrimin e kreut të opozitës Basha për financimet që bankat me bekimin e Bankës së Shqipërisë, e cila drejtohet nga “militanti” Sejko po i bëjnë PPP-ve, edhe pse BB dhe FMN janë kundër këtyre koncesioneve zhvatëse, pa logjikë ekonomike dhe me çmime 10-fish më të shtrenjta. Pse nuk i orienton paratë, Genti i Bankës drejt investimeve, por lejon që paratë e taksapaguesve të bëhen rrush e kumbulla për interesat e klientëve dhe oligarkëve të qeverisë? A ka lidhje, shoqërore, miqësore, farefisnore Guvernatori Sejko me oligarkët që kanë marrë miliona euro nga koncesionet e dhëna nga qeveria? Pse hesht para qeverisë, ndërkohë ndien trishtim për qëndrimin dhe paralajmërimin që bën kryeqeveritari i ardhshëm për financimin e PPP-ve nga bankat?

Kërcen euro, arrin në nivelin më të lartë në 4 muaj

Monedha e përbashkët ka hyrë në një trajektore rritëse në tregun e brendshëm prej më shumë se dy javësh. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro u këmbye sot me 122.66 lekë, duke u arritur në nivelin më të lartë që nga fundi i muajit maj. Që nga mesi i shtatorit, kur arriti në 121.5 lekë, monedha e përbashkët është mbiçmuar me 1.5 lekë, në tendencë të ndryshme nga bursat ndërkombëtare ku euro ka qenë e dobët. Nga ana tjetër edhe faktorët sezonalë që nxitën rënien e euros në gusht, si prurjet nga turistët dhe nga emigrantët kanë përfunduar, duke ndikuar në uljen e ofertës. Ndërsa dollari arriti dy ditë më parë në 122.15 lekë, niveli më i lartë ky që prej fundit të 2017-s. Pavarësisht justifikimeve të bëra publike nga Banka e Shqipërisë për gjoja blerje valute nga bankat për llogari të klientëve, e vërteta me sa duket ka të bëjë me zhvlerësimin e parasë, e cila erdhi pas hedhjes në treg të prerjeve të reja. Me këtë ritëm, në dhjetor kursi i këmbimit të lekut me valutën kryesisht euro ka për të kapur shifrat maksimale dhe që mund të llogaritet mbi 135 lekë për 1 euro. Gjithsesi, këto fakte do t’i analizojmë pikërisht kur të jemi në muajin e dimrit të ftohtë për lekun shqiptar. E për të gjitha këto Banka e Sejkos ka përgjegjësinë e saj, si profesionale për këtë keqmenaxhim, po të kemi parasysh edhe faktin, që ekonomia formale nuk e justifikon zhvlerësimin e euros, pasi zyrtarisht në më pak në 6 muaj kanë hyrë 170 milionë euro.

 

Përkeqësimi i deficitit të llogarisë korente në 6 muajt e parë të vitit, nënkupton se në Shqipëri kanë hyrë zyrtarisht neto rreth 170 milionë euro më pak nga këto lëvizje (shiko grafikun e deficitit të llogarisë korente për 6-mujorin). Ndikimin kryesor e ka dhënë deficiti tregtar, teksa importet janë rritur ndjeshëm dhe eksportet ishin në rënie (deficiti tregtar u përkeqësua me -14%, duke arritur në -1.46 miliardë euro). Negativ është dhe bilanci i të ardhurave nga investimet, prej -178 milionë euro, si rrjedhojë e transferimit të fitimeve nga kompanitë e huaja në Shqipëri.

Fondi Ndërkombëtar për Aksesin Financiar kryqëzon Bankën e Gent Sejkos

Fondi Ndërkombëtar për Aksesin Financiar kryqëzon Bankën e Shqipërisë, e cila e ka futur ekonominë dhe financat e vendit në pikiatë që nga koha kur në krye të saj erdhi me katapultë Gent Sejko. Sipas Fondit Ndërkombëtar për Aksesin Financiar, shqiptarët po i përdorin më pak bankat, të cilat po përkeqësojnë në shumicën e treguesve edhe bankomatët te kredia. Shqipëria është përkeqësuar në shtatë nga dhjetë treguesit që merr parasysh vrojtimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Aksesin Financiar për vitin 2018.