Prefekti i Korçës: Nis ndërtimi i shtëpive të rrënuara nga tërmeti

661
Sigal

Mbështetja e prefektit të Qarkut Korçë, Dhori Spirollari, parësore

 

Korça përfundon vlerësimin e dëmeve të tërmetit për 200 objekte

 

Më në fund Bashkia e Korçës dha lajmin e shumëpritur nga banorët e dëmtuar nga tërmeti i 1 qershorit të këtij viti: procesi i vlerësimit të dëmeve  më në fund përfundoi. Sipas nënkryetarit të Bashkisë Korçë, Thanas Tona, gjithçka u krye brenda një kohe të shkurtër, pasi zyra e Urbanistikës me njerëzit e saj teknikë, inxhinierë dhe specialistë dolën të gjithë në terren, ku u njohën me shkallën e dëmtimeve për çdo objekt. Tashmë për çdo shtëpi dhe objekt tjetër të dëmtuar ekziston një dosje, ku gjen të regjistruara me detaje gjithçka të dëmtuar dhe vlerën përkatëse.  Vlerësimi u krye për 200 objekte, ku numri më i madh i shtëpive të dëmtuara i përket fshatit Floq. E prekur nga  tërmeti rezulton edhe Njësia Administrative Drenovë; po kështu edhe qyteti i Korçës, me 30 objekte të dëmtuara. Por tashmë kemi një preventiv, pritet vetëm dalja e Vendimit të Këshillit të Ministrave për vlerën e ndërhyrjes që do të vihet në dispozicion për ringritjen e banesave të dëmtuara dhe kthimin e banorëve në shtëpitë e tyre sa më shpejt të jetë e mundur. Parësore në këtë aspekt ka qenë edhe ndihma e ofruar nga Prefekti i Korçës, Dhori Spirollari, tha z. Tona.

Ndërtimi i banesave

Ndërtimi i banesave do të fillojë me 20 shtëpitë e fshatit Floq, familjet e të cilave janë vendosur në ambientet e shkollës së fshatit. Kjo edhe me synimin që ditën e fillimit të procesit mësimor shkolla të jetë e lirë në dispozicion të nxënësve dhe mësuese. Ndërsa më pas do të ndiqet ajo mënyrë që kthen në shtëpitë e tyre sa më shumë banorë. Gjithsesi, gjithçka do të shihet në terren sipas nevojave më emergjente, bëri të ditur nënkryetari i Bashkisë Korçë, Thanas Tona. Gjithashtu, u nënvizua fakti se përllogaritjet janë të sakta, reale dhe të verifikuara, që askush të mos përfitojë padrejtësisht dhe askush të mos mbetet i dëmtuar. Ndërkohë, mësojmë gjithashtu se vlerësimet janë kryer edhe në Njësinë Administrative Mollas në fshatin Qafëzës të Bashkisë Kolonjë, ku mbetën pa strehë 80 banorë dhe në Fshatin Vidohovë të Devollit, ku numri i banorëve të pastrehë shkoi në 64. Përllogaritjet janë kryer edhe për objektet shtetërore, si: shkolla, kabina elektrike etj. Edhe në këtë rast duhet thënë se prania e Prefektit të Qarkut Korçë ka qenë e vazhdueshme që nga dita e parë e tërmetit dhe deri më sot, kur po bëhen parapërgatitjet për fillimin e ndërtimit të banesave, gjë që vlerësohet edhe nga vetë qytetarët.

Furnizimi me ushqim i të pastrehëve

Ndërkohë për furnizimin me ushqim të banorëve të mbetur pa shtëpi, ndihmesë u është ofruar që nga ditët e parë të tërmetit e deri më sot edhe nga organizata “Dorcas Albania”. Kjo gjë na u bë e ditur nga menaxherja e projekteve të kësaj organizate, Viola Bogdani. “Për 60 personat e strehuar në mjediset e shkollës së fshatit Floq, shpjegoi ajo, Dorcas Albania ofron ushqim të gatuar, kurse për 23 familje të tjera që janë kthyer në shtëpitë e tyre, edhe pse ende janë të dëmtuara, u ofrohen pako me ushqime, të cilat i gatuajnë vetë, pasi në banesat e tyre nuk ka mbetur asgjë nga ushqimet e rezervuara. Por, që ndihma jonë të ishte sa më efikase, tha Bogdani, bashkëpunuam edhe me fondacionin “Mëshirë pa kufi” , me misionin “Emanuel” dhe organizata të tjera. Gjithashtu na u bashkuan dhe vullnetarë të tjerë të cilët ndihmuan me shumë përkushtim. Kjo ndihmë u koordinua nga Bashkia e Korçë. Pranë banorëve të dëmtuar u gjendëm që në çastet e para dhe do të vijojmë të jemi pranë tyre deri ditën që ata nuk do të kenë nevojë për ne”. Megjithatë, tashmë pritet dalja sa më shpejt e Vendimit të Këshillit të Ministrave, pasi me përcaktimin e fondeve për ndërhyrje, nis dhe puna për ndërtimin e banesave. Banorët e dëmtuar nga tërmeti janë në pritje.