Politikat duhet të zbusin diferencën në mirëqenie, mungesa e së cilës është shkaku kryesor i tkurrjes së popullsisë

730
Sigal

Nga Luan Shahollari*

Në vitin 2001, popullsia banuese në Shqipëri ishte 3.6% më e ulët se më 1989, kurse sipas Censusit 2011, 7.7% më e ulët se më 2001. Këto të dhëna tregojnë se gjatë dekadës së fundit, popullsia banuese ka rënë me ritme më të larta se një dekadë më parë. Në thellimin e kësaj prirjeje kanë ndikuar dy faktorë kryesorë: vijimi i migrimit (lëvizjes) të popullsisë jashtë vendit dhe pakësimi i lindjeve në vend. Në vitet 2001-2011, vlerësohet të kenë emigruar rreth 500 mijë persona. Në të njëjtën kohë, lindjet kanë rënë me 19 mijë, kurse vdekjet kanë qëndruar në 20 mijë banorë mesatarisht në vit. Për rrjedhojë, shtesa natyrore e popullsisë, ka rënë në rreth 14 mijë, kurse mosha mesatare është rritur nga 30,6 vjeç më 2001 në 35,3 vjeç më 2011.

Nga analiza e të dhënave, del se popullsia banuese ka rënë në 10 qarqe, më e thellë kjo në Qarkun e Gjirokastrës, të Dibrës, të Kukësit etj. Një prirje në kah të kundërt është vërejtur në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit, ku popullsia është shtuar përkatësisht 25.3% dhe 7.2%.


Këto lëvizje kanë sjellë ndryshime në peshën specifike të popullsisë të çdo qarku, në raport me popullsinë banuese në shkallë vendi. Popullsia në Qarkun e Tiranës në vitet 1989, 2001, 2011 ka zënë përkatësisht 14.1%, 19.1% dhe 26.8%. Më 2011, Qarku i Fierit ka ruajtur vendin e dytë me 11.1% dhe i Elbasanit vendin e tretë me 10.6%. Në vendin e katërt, vjen Qarku i Durrësit. Për herë të parë në këto vite, Qarku i Kukësit del para atij të Gjirokastrës për numrin e popullsisë në raport me popullsinë gjithsej. Një nga gjetjet kryesore të Censusit 2011, është se, për herë të parë, popullsia në zonën urbane e ka kaluar atë në zonën rurale në raportin 53,5% me 46,5%. Krahasuar me vitin 2001, rreth 10,6% e popullsisë ka ndryshuar vendbanimin e zakonshëm brenda vendit. Raporti midis popullsisë urbane dhe asaj rurale sipas qarqeve paraqitet më i lartë: në Qarkun e Durrësit 74.6% me 25.4%; në Qarkun e Tiranës 70.2% dhe 29.8%; në Qarkun e Vlorës 65.6% dhe 34.4%; në Qarkun e Lezhës, 53.8% dhe 46.2%. Kjo prirje është në rrjedhën e evolucionit që ka përshkuar qytetërimi modern në shekuj deri në ditët tona. Shqipëria, e cila bën pjesë në Rajonin e Europës Jugore, renditet para Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Sllovenisë. Kurse jashtë rajonit, por brenda kontinentit, pa mbajtur parasysh disa shtete të vogla, ka raport më të lartë urbanizimi se Moldavia dhe Rumania. Duke ndjekur rrjedhën europiane të urbanizimit, në të ardhmen do të vazhdojmë të kemi rënie të popullsisë rurale dhe rritje të popullsisë urbane. Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në lëvizjet e jashtme dhe të brendshme të popullsisë janë kryesisht të karakterit ekonomik dhe veprojnë sipas modelit shtytës-tërheqës. Jetesa e vështirë, sidomos në zonat malore, të ardhurat e ulëta, varfëria e thellë, papunësia, mungesat në infrastrukturë, në shëndetësi dhe arsim janë faktorët që i shtyjnë banorët të lëvizin drejt zonave me kushtet më të mira, me më shumë shanse dhe punësim.

Këta faktorë konkretizohen në disa tregues ekonomikë dhe socialë si:

shpërpjesëtimet në PBB për frymë shprehin diferenca në mirëqenie përmes një treguesi makroekonomik. Sipas një analize të INSTAT, PBB për frymë në shkallë vendi për vitin 2010 ishte mesatarisht 424 mijë lekë, në Qarkun e Tiranës 614 mijë lekë, në Qarkun e Dibrës 258 mijë lekë, në Qarkun e Kukësit 330 mijë lekë. Këto diferenca shpjegojnë prirjen e lëvizjes së popullsisë nga qarqet e tjera në drejtim të qendrës dhe sidomos në Qarkun e Tiranës.

Shpërpjesëtimet në të ardhurat kushtëzojnë lëvizjen e popullsisë drejt qarqeve me nivele më të larta. Sipas INSTAT, të ardhurat për familje në shkallë vendi në vitet 2006-2007 kanë qenë mesatarisht 38,141 lekë në muaj, në qarkun e Tiranës 56,434 lekë; në Qarkun e Kukësit 23,148 lekë; në Qarkun e Lezhës 24,614 lekë në muaj etj. Këto shpërpjesëtime në të ardhurat për familje midis qarqeve, që arrijnë në më se 1 me 2, përbëjnë një faktor që nxit largimin drejt zonave me të ardhura më të larta. Lëvizja e popullsisë drejt qendrës dhe sidomos drejt Tiranës, vjen për shkak të shkallës më të lartë të varfërisë në qarqet e Veriut por dhe të Jugut. Kufiri i varfërisë ende nuk matet zyrtarisht, por INSTAT e përkufizon atë si konsum mujor real për frymë nën 4,891 lekë (me çmimet e 2002). Me këtë masë, shkalla e varfërisë në shkallë vendi ka rënë nga 25.4% në 2002 në 18.5% në 2005 dhe 12.4% në 2008. Në rajonin bregdetar, shkalla e varfërisë ka rënë përkatësisht 20.6%, 16.2%, dhe 13%; në rajonin qendror, përkatësisht 25.6%, 21.2% dhe 10.7% dhe në rajonin malor 44.5%, 25.6%, 26.6%. Varfëria në zonën rurale të këtij rajoni ka rënë nga 44.5% më 2002 në 27.7% më 2005, por është rritur në 29.8% më 2008. Këto shifra tregojnë se situata e varfërisë në këtë zonë vazhdon të jetë e qëndrueshme. Nëse nuk merren masa konkrete për ta ulur shkallën e varfërisë në këto zona, atëherë nxitja për largim drejt Tiranës dhe qendrave të tjera urbane me nivel më të ulët varfërie, do të vazhdojë. Roli i ndihmës ekonomike për zbutjen e varfërisë për familjet në nevojë mbetet simbolik, për shkak se masa e pagesës është e ulët: rreth 4 mijë lekë në muaj për familje për ndihmën e plotë dhe 3 400 lekë për ndihmën e pjesshme. Në Qarkun e Kukësit kanë përfituar ndihmë ekonomike 73% e familjeve gjithsej, në Qarkun e Dibrës 49%, në Qarkun e Shkodrës 28.2% etj., kundrejt 6.3% në Qarkun e Tiranës, 5.2% në Qarkun e Fierit, 3.6% në Qarkun e Vlorës dhe 2.1% në Qarkun e Durrësit. Diferencat e mëdha në përqindjet e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike kushtëzojnë edhe drejtimin e lëvizjes të popullsisë brenda vendit. Duke mbajtur parasysh ritmin e ulët të shtesës natyrore dhe të vazhdimit të migrimit jashtë vendit, sido që me ritme më të ulëta se më parë, do të kemi rënie të popullsisë banuese në vend dhe në qarqet më të varfra dhe shtim të mëtejshëm të saj në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit, sidomos në zonën urbane të tyre. Në të njëjtën kohë do të sjellë si pasojë plakjen e popullsisë dhe rritjen e shpenzimeve sociale për moshën e tretë. Për të zbutur shpërpjesëtimet e thella demografike dhe për të parandaluar pasojat negative social-ekonomike në qarqe dhe në shkallë vendi është e nevojshme që të rishikohen dhe të zbatohen strategji dhe politika qeveritare në shkallë kombëtare dhe vendore, me qëllim që të përmirësohen kushtet e jetesës në të gjithë vendin. Një rol të rëndësishëm duhet të luajnë strategjitë rajonale të qarqeve, të hartuara me ndihmën e PNUD-it dhe institucioneve ndërkombëtare, të cilat duhet të bashkërendohen me strategjitë në shkallë kombëtare. Më me efektivitet duhet hartohen dhe të përdoren projektet e Fondit për Zhvillimin e Rajoneve që përfshihen çdo vit në buxhetin e shtetit, investimet që menaxhohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Fondi i Financimit të Zonave Malore, institucionet e kursim-kreditit etj. Këto strategji, programe dhe fonde investimesh duhet të sjellin rritje ekonomike të qëndrueshme, hapje të vendeve të reja të punës, veçanërisht në qarqet më pak të zhvilluara. Mbi të gjitha kërkohen më shumë investime publike dhe private për shfrytëzimin e rezervave minerare, për zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit, për përmirësimin e shërbimeve në arsim, shëndetësi, për rritjen e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë, për zgjerimin e infrastrukturës rrugore, sidomos në zonën rurale të vendit etj.

*Demograf, nga Shoqata e Demografëve Shqiptarë