Pionieri dëshmor Zehni Toska dhe letra e ish-ushtarit Italian

1368
Sigal

Letra e ish ushtarit italian dërguar Zihni Toskës, pas 72 vjetësh…!

Evdal NURI

1-Letra nga Italia!

Në moshën 93- vjeç i dërgon një letër e foton që kishte dalë me Zihni Toskën në Berat! Pasi ka pyetur emigrantët e shumtë shqiptarë, më në fund ka gjetur të duhurin dhe ka nisur një letër për familjen Toska në Berat. Letra që i dërgon Zihniut, iu dha vëllait, Musait. Italiani midis të tjerave shkruan:

“Në vitin 1942 kam shërbyer në një xhami që ne e kishim s’i kazermë në Berat. Kazerma ndodhesh në lagjen “Murat-Çelebi”, fare pranë shtëpisë së vëllezërve Toska. Atje njoha një djalosh që e quanin Zihni. Të gjithë ushtarët ishin miqësuar me djaloshin, por dhe me banorët, mbasi e respektonim shumë njëri-tjetrin. Ai kujton në letër, se Zihniu ishte një djalë i shkathët, një Gavrosh që lëvizte rrugëve të lagjes dhe që bënte me humor të gjithë ushtarët. Bashkë me të vinin dhe shumë shokë të tij, të cilëve u jipnim galeta ushtrie, biskota, konserva, kurse ata na sillnin medaljone shenjtorësh. Na vinte keq për Zihniun se ishte jo i veshur mirë. Ai ishte shumë i varfër, shton më tej italiani. Zihniu e mësoi shumë mirë gjuhën italiane. Një ditë t’ mos vinte na merrte malli. Na ishte bërë si pjesa jonë e familjes së vërtetë, duke na kujtuar familjet tona!”

Ai s’dinte historinë e mëtejshme të Zihniut e shpresonte që kjo letër e fotoja t’i bjerë në dorë. Do t’i kthehej përgjigje e do kishte mundësi të takohej me Zihniun e rritur! Dhe kishte të drejtë. Zihniu sot do të ishte 89 vjeç. Do të jetonte si vëllai më i madh, Isufi, edhe ai partizan i Brigadës XVI, që është me shëndet të mirë, edhe pse i ka mbushur të 94 vitet! Për fat të keq s’ndodhi kështu! Zihniu kishte dalë malit partizan dhe kishte dhënë jetën për të çliruar vatanin. Ishte vetëm 15 vjeç! Të vjen keq, që katër ditë para çlirimit ta humbnim atë! Ishte, ndofta partizani i fundit në këtë moshë që ra për çlirimit të Atdheut. Ai s’vuri lule të freskëta në altarin e lirisë, por gjakun e jetën e tij. Kemi dëgjuar këngën: “Ke marrë pushkën ke dalë për liri e vatan, o i vogël o partizan!” Kjo këngë i përkiste partizanëve të moshës së Zihni Toskës.

2-Historia e pionierit partizan

Lindi në qytetin e Beratit, në vitin 1929. Pasi mbaroi shkollën fillore nga kushtet e vështira ekonomike u detyrua të punoi si hyzmeqar në një furrë buke. Megjithëse ishte pak më shumë se 13 vjeç shfaqi aftësitë si një i ri antifashist i papërtuar dhe i palodhur. Kjo ra në sy shpejt dhetë shokëve të Partisë, duke e pranuan në radhët e saj, si të ri komunist. Në vitin 1943 u arrestua.Nga kontrolli që u bë në shtëpinë e Zihniut u gjetën dy pushkë që ua kishte marrë italianëve e materiale luftarake, municione, bomba dore e tjerë. Të nesërmen Zihniu arrestohet e dërgohet në burgun e Tiranës. Mbas katër muajve për arsye të moshës së mitur, lirohet. Qëndrimi në burg e bëri më të pjekur më burrëror, duke shtuar urrejtjen ndaj pushtuesve. Me formimin e Brigadës VII Sulmuese, Zihniu u inkuadrua në radhët e saj. Krenohej që ishte partizan i kësaj Brigade. Në këtë Brigadë merr pjesë aktive për çlirimin e vendit. Aksionet e Zihniut ndjekin njëra-tjetrën. Për trimërinë që kishte treguar shtabi i batalionit i ngarkoi atij një detyrë shumë të vështirë. Duhet të rrëmbehej në Kuçovë inxhinieri fashist italian. Zihniu nën drejtimin e Mitat Luçit e kreu me sukses këtë aksion, sa të vështirë aq e të rrezikshëm. Sa dëshirë kishte e ëma, Hamidja për ta parë të voglin partizan. Dhe kjo ditë erdhi kur Zihniu mori pjesë në çlirimin e Beratit, më 13 shtator 1944. E ëma me lot në sy i tha: “Sa me qenke rritur!” dhe sytë iu mbushën me lotë gëzimi. Ai qëndroi disa ditë në Beratin e çliruar. U takua me vëllezërit Yzedinin, Isufin, Hajdarin, Musain, motrën Xhemalinë. U takua me të gjithë sikur ta dinte që s’do të kthehej. Doli në fotografi dhe ia tregoi nënës: “Sa herë që të marrë malli për mua moj nënë, shiko këtë fotografi!” -Prapë do të ikësh, o bir? Berati u çlirua! Zihniu duke qeshur i përgjigjet: “Lufta vazhdon akoma moj nënë. Shqipëria duhet të çlirohet e gjitha”. Mirë të keqen nëna ik, por kujdesu për veten! Dhe Zihniu vazhdoi luftën drejt Veriut me shokët e Brigadës VII.

-Janë ditët e fundit të Nëntorit. Objektivi kryesor ishte çlirimi i Shkodrës. Duhej kaluar ura tek Vau i Dejës. Kur partizanët e batalionit katërt, ku bënte pjesë dhe Zihni, po ia afroheshin me fshehtësi urës, gjermanët e hodhën atë në erë. Lumi duhej kaluar patjetër. Në ora katër të mëngjesit partizanët të ndihmuar nga fshatarët e Mjedës me varkë mundën të kalonin Drinin dhe hynë në fshatin Sheldi. Këtu beteja me gjermanët u bë më e ashpër dhe e përgjakshme. Në një pikë dominuese, në luginën Gurri i Zi, gjermanët kishin vendosur një mitraloz, i cili lëshonte zjarr dhe bëhej pengesë për ecjen e partizanëve përpara

-Shoku komandat, dëgjohet zëri i Zihniut.-Duhet patjetër të asgjësojmë këtë pikë, ndryshe e kemi shumë të vështirë.

Komandanti duke njohur trimërinë e Zihniut, pranoi propozimin e tij. Në krye të skuadrës së parë që drejtohej nga Zihniu, partizanët hidhen përpara në sulm, beteja bëhet më e ashpër. Në këtë kohë Zihniu çohet në këmbë, duke hedhur tre bomba njëra pas tjetrës në pozicionin e armikut. Ky sulm sa i guximshëm aq dhe i shpejtë përmbysi situatën. Gjermanët filluan të tërhiqen. Duke vrapuar në ballë të shokëve e duke qëlluar Zihniu lëshoi një zë të fortë e kumbues ndofta më të fortë se kurrë: “Para partizanë!” Por një plumb i mallkuar e goditi të voglin partizan Zihni Toskën. Trimin, të dashurin, të zgjuarin, gojë ëmblin që dha jetën, më 25 Nëntor 1944, vetëm katër ditë para çlirimit, si rrallë në moshën e tij. Të plagosur e çuan në një familje qe kishte dasmë. E mjekuan, por plaga ishte e rëndë e ndaj të gdhirit Zihniu u shua. Dha shpirt në mbarim të dasmës familjare, por dhe me gëzimin se një dasmë akoma më të madhe do të kishte Shqipëria, në 29 Nëndor të vitit 1944! Në përvjetor të ndryshëm banorë nga fshati Sheldie e vëllezërit e Zehniut janë takuar. Kujtojnë luftën e trimërinë e pionierit partizan. Edhe sot, kur çojnë bagëtitë thonë:” Sot do vemi nga varri i partizanit!” Ky ishte Zihni Toska që dha jetën për të mos vdekur kurrë. Shokët e varrosën në fshatin Sheldie me vargjet:

“Në fshatin Sheldie,

luftë me gjermanë.

Ra si hero,

i vogli partizan”.