Piluri i Devollit “i mbytur” nga ujërat e zeza të veta, të Vranishtit dhe Bickës

725
Sigal

Gjendja alarmante: Bashkia, Mjedisi dhe Higjiena, nuk po i japin zgjidhje

Banorët e fshati Pilur të rrethit Devoll, të cilët ndodhen pranë një përroi, prej vitesh përjetojnë frikën e përfshirjes nga epidemi sëmundjesh. Por tashmë situata është bërë alarmante, pasi ka mbërritur atje ku nuk mban më. Ujërat e zeza kundërmojnë në të gjitha anët e fshatit. Kjo gjë ndodh për disa arsye:

Së pari, gjithë banorët e fshatit Pilur, që gjenden pranë dhe përgjatë përroit, shkarkojnë ujërat zeza në përrua. Po e keqja nuk përfundon këtu. Të njëjtën gjë bëjnë edhe banorët e fshatrave Vranisht dhe Bickë. Edhe prej tyre shkarkohen në përrua ujërat e zeza, hidhen mbeturina, prodhime bujqësore të mbetura të pa shitura dhe gjithçka tjetër të pistë. Ndërkaq duhet thënë se këto fshatra janë të mëdha, popullsia e tyre është më e madhe se 2000 banorë, vetëm kaq do të mjaftonte për të kuptuar çfarë ndodh me ujin e një përroi, i cili përballë një sulmi të tillë mbeturinash, nuk mund të jetë në gjendje as të pastrojë vetveten. Për banorët e fshatit Pilur, kjo situatë ka ardhur duke u rënduar, për shkak të neglizhencës së drejtuesve të institucioneve shtetërore, të cilët vijnë të shohin gjendjen, por asnjë masë nuk merret.

Po na rrezikohet jeta e fëmijëve

Për më tepër, banorët e fshatit Pilur janë të shqetësuar për jetën e fëmijëve, pasi në çdo stinë vere, rastet e urgjencave shtohen. Kjo ndodh sepse fëmijët luajnë pranë bregut të përroit. “Edhe sikur t’i ndalonim,- thonë banorët e fshatit,- kundërmimi i aromës së keqe vjen deri te dritarja. Temperaturat dhe avullimi i ujërave të zeza e bëjnë të vështirë qëndrimin në çdo cep të fshatit. Gjithashtu, të rrezikuar mbeten të moshuarit dhe njerëzit që vuajnë nga sëmundje të ndryshme. “Por, edhe sikur të gjithë të ishim të shëndetshëm,- shpjegojnë banorët,- institucionet përgjegjëse, nuk duhej të lejonin një situatë të tillë; na vjen turp kur në fshat na vijnë mysafirë; vendas apo të huaj. Fshati ynë nuk ka qenë kurrë ndonjëherë në një gjendje të tillë”. Ndërkaq, banorët që nuk dinë si ta zgjidhin këtë hall, thonë: “I kemi bërë të gjitha përpjekjet; kemi vënë në dijeni Bashkinë e Bilishtit, Inspektoratin e Mjedisit Korçë, dhe Shërbimin e Higjienës në Bilisht, dhe drejtuesit e këtyre institucioneve kanë ardhur, kanë parë gjendjen në vend, kanë dhënë urdhër që askush të mos hedhë mbeturina apo të shkarkojë ujërat e zeza në përrua, dhe pas kësaj janë larguar, por kështu asgjë nuk ndryshon, nëse nuk merren masa ose nuk ndëshkohen me gjobë ata që ndotin mjedisin. Dimë gjithashtu që Inspektorati i Mjedisit ia ka lënë si detyrë Bashkisë Bilisht, por edhe nga kjo e fundit, nuk ka kaluar në veprime konkrete. Nuk dimë si do të na vejë halli?!

Përroi i Pilurit, degë e lumit të Devollit

Banorët e fshatit Pilur na japin edhe një arsye më shumë, pse institucionet duhet të alarmohen dhe të marrin masa urgjente, pasi nuk është vetëm fshati Pilur i rrezikuar, por më shumë se kaq. Nga banorët e fshatit në fjalë mësojmë se përroi i Pilurit është një degëzimi lumit Devoll, gjë që do të thotë se, ndotja dhe papastërtitë “mbytin” jo vetëm ujërat e përroit në të gjithë gjatësinë e tij, por edhe ujin e lumit Devoll. Gjatë stinës së verës, kur edhe uji i lumit Devoll pakësohet, ujërat e zeza që vijnë që nga fshati Vranisht dhe Bickë e rëndojnë edhe më tepër situatën duke ndotur një sipërfaqe të madhe të mjedisit dhe ujërave. Kjo do të thotë se një përrua i tërë gjatë verës shndërrohet në një vatër gjigante sëmundjesh dhe rreziqesh, jo vetëm për banorët e përmendur, por edhe të gjithkujt tjetër që ndodhen afër me përroin; si barinjtë apo ata që kanë tokat e tyre. Mjafton vetëm një inspektim për të parë me sy të lirë si notojnë mbi sipërfaqen e ujit, ndotjet dhe ujërat e zeza. Kjo është situata!