Pikërisht si sot, 175 vjet më parë…

618
Sigal

Izet S. ÇULLI

Tek ne është bërë gati si normë që personaliteteve të kombit tonë t’u festojmë ditëvdekjet. Kështu ndodhi me Gjergj Kastrioti Skënderbeun, si edhe këto ditë me Ismail bej Qemalin. Zakonisht data të tilla përkujtohen dhe jo festohen, ngase tjetër gjë është të përkujtosh dhe tjetër të festosh… Për Skënderbeun ende nuk e kemi përcaktuar apo saktësuar se kur ka lindur, pra në ç’vit (se për një ditë të sigurt, as që bëhet fjalë). Disa historiografë përmendin për këtë vitin 1403, ndërsa të tjerë 1405-n. Për sa i përket Ismail bej Qemalit, i cili vetë në librin “Kujtime” botuar së pari në Londër më 1920 (një publikim i papërfunduar), me dorën e tij qysh në rreshtin e parë, nistor, Ai shkruan: “U linda në muajin janar 1844 në Vlorë (Avlona)…”,pra plot 175 vjet më parë, si vit; ndërsa si datë apo ditë, nuk theksohet as në dy fjalorët e mëposhtëm; “Fjalor Enciklopedik Shqiptar”(1985), “Fjalor Enciklopedik”(2002) dhe ndoshta as në tre vëllimshmin e këtij lloji, botuar disa vjet më pas. Po edhe nëse nuk sigurojmë dot ditën e lindjes (!), na mjafton viti i sivjetshëm që t’i kremtonim Atij, – Themeluesit të Shtetit Shqiptar, 175-vjetorin e lindjes në mënyrë madhështore. Kjo nuk ndodhi sidomos në kryeqytet(ose të paktën nuk kemi dëgjuar e çfarë do të ngjasë bash sot) dhe për çudinë e çudisë sonë, shpesh ne nuk kujtojmë vlerat e vërteta e më të rëndësishme dhe të barrshme e vetëm hiperbolizojmë ose amplifikojmë e tejfryjmë një person a ngjarje që realisht nuk duhet, se s’ia vlen! Ne edhe sot e konsiderojmë Ismail Qemalin, disa prej nesh, si “Plaku i Vlorës” duke e përmendur kësisoj, me sa duket, për moshën dhe jo për mençurinë dhe aktin e madh trimëror të Shpalljes së Pavarësisë. Në nëntor 1912, Ai ishte 68 vjeç! Shembuj për sa më lart ka shumë si në politikën e ditës, ashtu edhe në ngjarje të mëdha apo për personalitete të ndryshëm që herë i ndrisim më shumë seç duhet e herë i zgjyrosim ose lerosim si qymyri (sa nuk i dallojmë më se cilët janë në të vërtetë). Kjo ngjet sipas interesave partiake të çastshme e, ç’është më e keqja, nga “historianë”, gazetarë amatorë apo grafomanë të çdo lloji, të cilët lënë për të dëshiruar, sepse më keq akoma, nuk janë asfare kompetentë në atë fushë të dijes, por punojnë sipas politikave mjerane të pronarëve apo padronëve të tyre. Akademia jonë e Shkencave dhe Instituti i Historisë në Qendrën Albanologjike të Shqipërisë heshtën për jubileun e madh të 175-vjetorit të lindjes së Ismail Qemalit. Po pse kështu do të ecim ne gjithmonë, pa vënë pikat mbi “ i” për secilin (megjithëse ky problemi pikës mbi “i” është një shprehje që e përdorin p.sh. edhe rusët, “i-ja” e të cilëve, nuk ka mbi krye asnjë pikë!).

Në një bisedë që pata këto ditë me personalitetin shumanshëm, prof.dr.Bardhosh Gaçe (të cilit s’i ka shterur kurrë pena dhe mendimi për figura të atilla madhore që përmendëm këtu), ai mbështet dhe provon vdekjen e Ismail Qemal Vlorës, më 26 janar 1919 në hotelin “Brufani” të Peruxhias në Itali. Për lindjen e Tij, autori i më lartëm thekson e që as mund të diskutohet, se firmëtari i parë i Aktit të Shpalljes së Pavarësië sonë, ka lindur më 24 janar 1844 në Vlorë, plot 175 vjet më parë…