Sigal

Aktorët e Teatrit Popullor pre e një stërmoderniteti agresiv që drejton vendin.
Modeli i një kryeqyteti është modernia e vetëquajtur simbol përparimi. Aktorët trajtohen si mbetje dhe se i përkasin një të shkuare të tejkaluar, kur ngrenë zërin në mbrojtje të trashëgimisë kulturore. Të fortët e përfshirë kudo bëjnë pjesë edhe në pushtet. Drejtuesit “përparimtarë” kalërojnë me revan dhe rrëzojnë qëndresat e dobëta, të katandisura në pikë të hallit. Nuk kursehen as intelektualët me shpërthimet e tyre të vakëta sporadike. Populli i varfër dhe i trullosur deri në limitet e lodhjes jo e jo. Mençuria e burrave dhe grave të këtij vendi s’ka vlerë. Kuvendi i mendjes ç’përfillet nga kuvendi i kartonit. Elitat nuk konsiderohen. Teatri popullor është shtëpi e shenjtë për aktorët, ndërsa për artdashësit: ngrohtësi, traditë, mësim, jetë. Ai është histori ndër vite. Është ndjenjë, dashuri.
Makineria e propagandës tashmë ndizet më shpejt. Drejtuesit e saj propagandojnë së Teatri Popullor është ngrehinë në rrëzim. Konstruksioni i saj përbëhet nga fije kashte. “I shëmtuari” rrezikon jetë, por e zbeh edhe hijeshinë e qytetit. Sulmi për ta fshirë nga faqja e dheut nuk duhet vonuar. Asnjë gjurmë përpara kullave. Ky është vendimi i njërës palë.
Qëndrimi i palës tjetër: Teatri është i pavdekshmi i trashëgimisë; i bukur, fortesë, qëndresë. Vendim-marrja pushtetare nuk dëgjon zëra që kundërshtojnë, por përgatit në sallonet e saj zëra që aprovojnë. “…Mjaft më se na bezdisët…, shumë ju dëgjuam…, ngrehina do të prishet…, do të ndërtojmë teatrin e madh me shijet tona!”
Identiteti një ëndërr e harruar!
Koha po afron dhe me sa duket, nën sqetullat e kullave qiellore do të sfilojë Miss Bukuria! Arshiva e historisë transferohet te fadromat. Ç’përfillja evidente! Për arsye, s’bëhet fjalë. Kontratë pëlqimi jo e jo. Urrejtja e pranishme dhe plagët e shoqërisë thellohen. Ato ngelen pa u mjekuar. Ekzistenca në pikëpyetje. Drejtimi ka bindur veten si të pagabueshëm dhe marifetet tërheqin simpatizantë. I josh dhe ushqen me menynë e tij “Bio”. Servilët e dinë detyrën, u qëndrojnë nëpër këmbë të gatshëm për të lidhur këpucët. Shoqëria nënvlerësohet dhe përçmohet. Ajo qëndron e heshtur nën thundrën e arrogancës. Kush ngre zërin “prangoset” dhe dërgohet në “burgun e heshtjes”. Drejtimi absolut ka avancuar në strategjinë e diktaturës. Më të pavdekshëm e bëjnë nostalgjikët e të shkuarës që e kanë të ngulitur në shpirt. Edhe ëndrrat e komandantëve duartrokiten nga ushtarët e rreshtit.
Për ç’ka cituam më lart, ndodh jashtë Teatrit. Po brenda tij çfarë ndodh? Ajo që po shohim janë aktorë të gjallë. Por edhe të heshtur. Diksion aktoresk, por edhe zëra firmëtarësh. Artistët janë të ndarë në dy grupe. Janë të ndarë nga Vatra ku u rritën, nga Vatra prej nga merrnin emrin “Artist”, nga Vatra ku u formuan dhe ndanë emocione, nga Vatra ku mbajtën familjet, u edukuan dhe falën kulturë.


Por papritur në Teatër u fut Kali i Trojës. Artistët, të cilët kishin mësuar se Kali i Trojës merrte kala madhështore, po binden se ai futet edhe në mikrokala, si godina e Teatrit. Me simbolin e Kalit të Trojës që presupozon marrjen e kalasë nga brenda, artistët kanë aktruar. Erdhi dita që Kali i zëmëruar t’i godasë me shqelma në Vatrën e tyre, por jo ata që i fërkojnë vithet dhe e ushqejnë që hingëllima t’i bëhet oshtimë. Kali nuk e njeh gjuhën e ligjit, por të besës me pabesi. Kali gjallon edhe në kohët moderne, i aftë të prishë çdo ekuilibër.
Zemërimi artistë-qeveri dhe anasjelltas tashmë është ndalur dhe ka mbetur zhgënjimi i grupeve të aktorëve të ndarë. Kjo nuk është çudi. Edhe vëllezërit nuk i ngjasojnë njëri tjetrit. Ka dinjitozë, por edhe servilë të gatshëm. Shumica e drejtë, por edhe idiotë të dobishëm. E virtytshmja është në luftë me manovratorët e pacipë. Kemi parë në teatër talente e punëtorë që kanë bërë emër. Kemi parë edhe aktorë me dobësi skenike. Sot po shikojmë aktorë që janë vetvetja dhe justifikojnë skenën me rolet qendrore, që Pantelikën nuk presin ta marrin të gatshme nga regjisori. Nuk janë larg syrit edhe aktorët që luajnë rolet në skenën e ngushtë të politikës.
Shfaqja e radhës po afron. Provat në tavolinë kanë mbaruar. Kuintat janë hapur. Pritet të dalë Miss Bukuria, e lakmuara e pushtetit në zemër të Tiranës.
Le ta prekim nga afër edhe ne këtë lojë guximtarësh, të modernistëve të kohës që po shembin trashëgiminë kulturore me shkencën e stërmodernitetit…!