Përse po i ikin Ramës vlonjatët?

1428
Sigal

Përballë një realiteti të tillë, ku presin dhe vrojtuesit e plazhit dhe librat falas, kryeministri dhe deputeti i Vlorës, duhet të fillojë nga Vlora, ashtu si fillojë dhe Rilindjen e Shqipërisë, debatin e madh publik e kombëtar, se përse po largohen vlonjatët, shqiptarët?

Nga Ergys Alushi

Pesë vjet më parë, më 21 gusht 2013, do të botoja, në gazetën “Telegraf”, artikullin me titull, “Rama nis nga Vlora Rilindjen e Shqipërisë”. Shkas për një artikull të tillë ishte mbledhja joformale në Vlorë e qeverisë Rama, i cili e kishte formuar qeverinë, edhe pse ende nuk e kishte formalizuar atë.

“1 milion fjalë s’mjaftojnë për Vlorën, ku era e Rilindjes është dehëse”.

Kështu do të deklaronte 5 vjet më parë kryetari i PSSH, i zgjedhur kryeministër nga shqiptarët, në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Ndërtimi i korridorit të Kaltër, një autostradë që do të mundësojë qarkullimin nga Mali i zi, përgjatë gjithë bregdetit shqiptar, për ta kthyer portin e Vlorës në një port hyrës në rajon, ka qenë një nga premtimet e bujshme të Ramës. Rama ka premtuar në atë fushatë të 2013 edhe rishikimin e rikonstruksionit të sheshit të Flamurit, të bulevardit Vlorë-Skelë, ndërtimin e shëtitores përgjatë bregdetit Skelë-Ujë i Ftohtë dhe ndërtimin e By-pass-it. Edhe pse po qeveris si kryeministër i vendit në mandatin e dytë, të fituar në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017, disa nga premtimet e kryera në mandantin e parë nuk kanë filluar ose janë në fazën e realizimit të tyre. Shëtitorja e bregdetit Skelë – Ujë i Ftohtë është një nga investimet e konsideruara të përfunduara, edhe pse ende nuk është marrë në dorëzim nga bashkia e Vlorës apo dhe rikonstruksioni i bulevardit Vlorë-Skelë që është në fazat e para të punimeve e që ndoshta do të përdoret nga Rama si kalë beteje për fushatën e ardhshme elektorale.

Pas 5 vjetësh

Gati pesë vjet pas mbledhjes joformale në Vlorë, Rama ishte përsëri në Vlorë, në një nga ardhjet e tij të zakonshme në qytetin ku është zgjedhur deputet nga lista. Shpërndau certifikata për vrojtuesit e plazhit, që dalin të papunë pas përfundimit të sezonit dhe libra falas për fëmijët deri në klasë të katërt. Por, më shumë se sa nevojë për disa certifikata e disa pako me libra falas (që mund t’i dhurojë dhe një individ apo një OJQ), Vlora ka një problem shumë të madh, shqetësues e me pasoja për të ardhmen e saj. Vlonjatët dhe jo vetëm, por edhe ata që në fillim të viteve 90-të e zgjodhën Vlorën për të ndërtuar një jetë të re, po largohen çdo ditë e më shumë nga qyteti. Sa për fshatrat ato janë në kufijtë e zhdukjes. Po përse ikin vlonjatët? Kjo është pyetja së cilës kryeministri dhe, njëkohësisht, deputeti i Vlorës, duhet t’i japë një përgjigje. Por, përpara se t’i japë një përgjigje, duhet të bëjë analiza.

  • Përse ikin vlonjatët kur në Vlorë u trumbetua me të madhe si një sukses për të ardhmen e turizmit, ndërtimi i Lungomares?
  • Përse po ikin vlonjatët kur në Vlorë po rikonstruktohet bulevardi Vlorë-Skelë?
  • Përse po ikin vlonjatët kur ka filluar rikonstruksioni i zonës qendër të qytetit?
  • Përse po ikin vlonjatët kur u trumbetua si një sukses lidhja e rrugës Trans-ballkanike me autostradën?
  • Përse po ikin vlonjatët kur këtë sezon veror u deklarua se është sezoni më i suksesshëm i 25 viteve të fundit?
  • Përse po ikin vlonjatët kur janë rikonstruktuar disa blloqe banimi?
  • Përse po ikin vlonjatët kur edhe godina e bashkisë u rikonstruktua nga e para?

Ka edhe shumë pyetje të tjera, por këto janë disa nga investimet me të cilat Rama mburret se ka bërë për Vlorën, me qëllim ndryshimin për mirë të jetës së vlonjatëve. Atëherë përse ikin vlonjatët? Përse këto investime nuk kanë ndikuar në ndalimin e një eksodi të heshtur që po e boshatis përditë qytetin? Institucionet shtetërore e vendore në Vlorë, i kanë të gjitha shifrat zyrtare që mund të bëjnë publike familjet e njerëzit e larguar nga Vlora, si Drejtoria Arsimore, Zyra e Punës, Ujësjellësi, Elektriku, Zyrat e gjendjes Civile, zyra e INSTAT në Vlorë, e të tjera si këto që kanë lidhje direkte me familjet vlonjate. Por, të gjitha këto, edhe pse e njohin realitetin e largimit nga Vlora, heshtin, nuk thonë asgjë, nuk informojnë për asgjë, sepse “nuk ka se ç’u duhet, kur ata lart nuk ua kërkojnë një diçka të tillë!” Përballë një realiteti të tillë, ku presin dhe vrojtuesit e plazhit dhe librat falas, kryeministri dhe deputeti i Vlorës, duhet të fillojë nga Vlora, ashtu si filloi dhe Rilindjen e Shqipërisë, debatin e madh publik e kombëtar: Se përse po largohen vlonjatët, shqiptarët? Shifrat e largimit nga Vlora, nga Shqipëria, janë të frikshme dhe me pasoja për të ardhmen, ndaj sot, më shumë se kurrë, Shqipëria dhe, për më tepër Qeveria, ka domosdoshmëri për një debat të tillë, për të gjetur shkaqet e largimit, me qëllim parandalimin.