Për një politikë të arsimit të lartë në shërbim të universitetit të kohës.

808
Sigal

Prof.Dritan Nace

Është fakt se politikat për arsimin e lartë në Shqipëri kanë qenë në rastin më të mirë të mangëta. Politika shqiptare e periudhës post-komuniste nuk ka pasur një vizion të qartë për arsimin, dhe gjendja e vendit dhe e arsimit të lartë në vecanti janë dëshmia më e « keqe » e kësaj katrahure. Duke jetuar jashtë që prej 92, nuk mund të pretendoj një njohje të plotë të politikave por kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me universite publike, gjë që më ka lejuar të konstatoj nga afër rezultatin e reformave.

Besoj se shumëkush është dakord që liberalizimi dhe masivizimi i pranimit në universitet pati për pasojë uljen e nivelit të mësimdhënies dhe të cilësisë. Kjo u shoqërua me shumëzimin e universiteteve private deri sa coi në zhvlerësimin drastik të diplomës. Këto pasoja vazhdojmë ti vuajmë akoma dhe sot. Vetëm para pak kohësh, një profesor koleg italian më pohonte që në universitetin e tij imazhi i universiteteve shqiptare vazhdon të njesohet me atë të atij që dipllomoi djalin e Umberto Bossit.

Në periudhën më të afërt, në zgjedhjet e 2013 u propozua nga opozita e atëhershme një program për arsimin i admirueshëm (ishte disponibel online). Si rëndom, « premtimet angazhojnë vetëm ata që i besojnë » dhe qeveria e pas zgjedhjeve nuk u angazhua seriozisht për përmbushjen e premtimeve dhe arriti deri atje sa në fushatën për zgjedhjet e 2017 nuk u propozua asnjë program për arsimin (të paktën në dijeninë time nuk u publikua asgjë online).

Pavarësisht, për tu përmendur është reforma e fundit (2015) që i jep autonomi të shtuar universiteteve dhe fikson një serë mekanizmash për këtë. Ligji gjendet online dhe ngjan se prek shumë tema të rëndësishme. Në një këndvështrim makroskopik vërej të paktën dy probleme: i pari lidhet me pjesën e ligjit që rregullon administrimin e universitetit nën frymën e ligjit anglo-saxon duke i dhënë një vend të rëndesishëm arsimit privat. Vende si Anglia kanë një eksperience shumë të gjatë në arsimin ë larte ku arsimi privat zë një vend të konsiderueshëm dhe mbulon një pjesë të mirë të arsimit elitar. Arsimi privat duhet të shihet si komplementar dhe duhet të ketë si objektif të mbushë boshllëkun që le arsimi i lartë publik, qoftë në degë të vecanta apo në një arsim të nivelit shumë të lartë që kërkon investime të mëdha. Në Shqipëri realiteti i universitetit privat nuk ka qenë aspak i tillë. Ai ka qenë shpesh një konkurrent i dobët që ka thithur pjesën e tregut të etur për një diplomë të siguruar që në momentin e regjistrimit. Se fundi, dyshoj që zgjedhja e administrimit me frymë anglo-saksone i përshtatet një vendi të varfër ekonomikisht.

Problemi i dytë lidhet me autonominë. Pavarësisht qëllimit të afishuar – (autonomia e shtuar për universitetin që është një ide shumë e mirë në vetvete), qeveria me ketë ligj i lejon vetes të ruaje në një fare mënyrë gjithmonë  kontrollin mbi menaxhimin e fondeve nëpërmjet emërimeve që bën qoftë për administratorin qoftë për bordin e administrimit ku kontrollon shumicën. Mbase një mënyrë për ta tkurrur ketë kontroll dhe për ti dhënë me shumë autonomi universitetit do të ishte përfshirja direkte e këtij të fundit në propozimin e një administratori si dhe dhënia e një vendi me të gjerë në bord të të zgjedhurve të forumeve universitetit (profesore, staf administratë, studentë) dhe atyre që vijnë nga shoqëria civile. Në politikën e arsimit në tëresi ndihet ndikimi i ndjeshëm lobëve të universiteteve private pranë qeverisë.

Pavaresisht nga të tëra këto, ka pasur dhe inisiativa të mira si projekti Brain Gain i viteve 2009-… Personalisht, si mjaft të tjerë,  kam përfituar nga kjo mundësi dhe për më tëper kjo ka qenë zanafilla e një bashkëpunimi të frutshëm me Universitetin Politeknik të Tiranës, bashkëpunim i cili u ngrit në nivel institucional me Universitetin ku punoj (Universite de technologie de Compiegne) UTC.

Qëllimi i këtij statusi është të ndaj me lexuesin një vizion timin mbi universitetin që mendoj se i duhet vendit. Kjo qasje lidhet kryesisht me fushën e Inxhinjerisë por besoj se ka frymë përgjithesuese.

Le të veme re se çfarë i mungon sot universitetit shqiptar, e cila në të kundërt do ti shtonte vlerat.

Financimi ka qenë në nivele të pamjaftueshme. Një krahasim midis UPT dhe UTC në France, të dyja në fushën e inxhinjerisë, e shpreh qartë : për rreth 15000 studentë në UPT ka rreth 750 staf (administratë dhe pedagoge) ndërsa për 4300 studentë në UTC ka respektivisht rreth 850. Raporti i pjesës së stafit të dedikuar një studenti është afërsisht 1 me 4. Krahasimisht në France kostoja e arsimimit në një universitet/shkollë inxhinjeresh publike të një studenti varion nga 5000 ne 10000 euros për një vit ndërkohë që tarifa e regjistrimit varion nga 260 ne 370 euros (bachelor dhe master), me të ulëta se ne Shqipëri.

Formimi pedagogëve është pothuaj inegzistent. U kërkohet të pajisen me doktoraturë ndërkohe nuk kanë asnjë ndihmë. Përkundrazi u duhet të sigurojnë të ardhura për të paguar tarifën e lartë të regjistrimit dhe të sigurojnë financa për pjesëmarrjen në konferenca. Në Francë doktoratura konsiderohet si punë e mirëfilltë dhe mund të kryhet vetëm nëse është e paguar. Në UTC cdo doktorant është i paguar të paktën 1300 euros net në muaj. Në ketë kontekst është urgjente të krijohet një shkollë doktorale me parametra të kohës dhe të reformohet mënyra e rekrutimit të pedagogëve.

Në lidhje të ngushtë me më sipër është dhe kërkimi shkencor. Si në shumë aspekte, në Shqipëri i menjanohemi thelbit, që është cilësia e kërkimit, dhe merremi me politika kontabël, që janë numrat e artikujve si i vetmi informacion i verifikueshëm. Kërkimi shkencor duhet të konsiderohet si pjesë e punës së pedagogut: në Francë, cdo pedagog/profesor duhet të justifikojë 50% të kohës së punës me kërkime. Organizimi në bazë të laboratorëve shkencore (që duhet të jenë pjesë e fakulteteve) është inegzistent. Dhe për ta mbyllur këtë pikë, rrogat e pedagogeve duhet të ngrihen në nivelin e pritshmërisë që duhet të kemi si komb për stafin akademik si pjesë e rëndësishme e elitës kombëtare.

Programet e mësimit (kurikulat) janë në përgjithësi konform kurikulave të univesiteteve simotra në Evropë por që jo gjithmonë përkojnë me mësimin efektiv që bëhet. Bile në ndonjë universitet privat mund të veresh programe te niveleve shumë të larta dhe që kanë nevojë për një zotërim shumë të mirë të një fushë të gjerë. Padyshim që pedagoge të aftë për lëndë të tilla janë të rrallë dhe në vendet me arsim te zhvilluar.

Mund të vemë re mungesën e praktikës që është një element themelor ne formimin e studentëve. Aktualisht në programet e universiteteve shqiptare janë sanksionuar vetëm disa javë  praktike gjatë bachelorit dhe disa muaj ne fund dedikuar temes se diplomes se masterit, dhe për me tepër shumë pak kryhet në kushte ndërmarrje. Krahasimisht në universitetin tim (UTC) në harkun e tre vjetëve studimi ka dy semestra 6-mujore të plotë të dedikuar praktikave në ndërmarrje. Në Francë e gjitha kjo është shoqëruar me një politikë qeveritare inkurajuese (p.sh. praktikat janë detyrimisht të paguara me një pagë minimale të garantuar).

Mungesa e lëndëve shoqërore në komunikim, gjuhë e kulturë të përgjithëshme është e dukshme. Kjo pasqyrohet në fjalorin e dobët të studentëve dhe debatet jo mirë të ndërtuara ku marrin pjesë. Shpeshherë mund të vihet re mungesa në shprehje të mjaft studentëve në studiot televizive. Kjo, jo për përmbajtjen por për formën e transmetimit të mesazhit. Besoj se kjo është një e metë e madhe e formimit, përfshirë dhe universitar, aktual në Shqipëri.  Si shembull, në universitetin tim 1/3 e mesimit është në fushen e komunikimit, kulturës, ekonomisë etj. 

Lëndët me zgjedhje janë të pakta, ndërkohë që universitetet kanë pak autonomi për të evoluar programin. Ideja është që të propozohen me shumë lëndë me zgjedhje dhe të hapen vetëm ato që e justifikojnë me kërkesa nga studentët. Kjo nuk çon domosdoshmërisht në një kosto shumë me të lartë sepse çdo student do ndjekë të njëjtin numër lëndësh. Sot është e domosdoshme të adaptohesh me teknologine e kohës por dhe të mund të lejosh një diferencim formimi dhe një lloj elitarizimi. Shtimi i lëndëve me zgjedhje ka dhe të mira të tjera. Do të mundësohet një formë e re e gjykimit të pedagogëve nëpërmjet përzgjedhjes së lëndëve/pedagogëve me mësimdhënie cilësore nga studentët.

Lidhja me industrinë është pothuajse inegzistente. Kjo do të lejonte të përmirësoheshin shumë indikatore: studentët do të mund të punonin në kushte të përshtatshme në kohë të kufizuar duke mos vënë në rrezik diplomimin, ndërsa pedagoget me kërkimet dhe eksperiencën e tyre do të mund të viheshin në shërbim të industrisë. Sidoqoftë duket sikur ka një ndërgjegjësim nga ana e qeverisë në këtë drejtim.

E fundit, dhe ndër më të rëndësishmet, mungesa e një universiteti/shkollë/masteri elitar. Elita e sotme intelektuale në Shqipëri formohet kryesisht jashtë vendit. Në dijeninë time nuk egziston asnjë formacion i nivelit të lartë/elitar në Shqipëri. Kjo nuk është e domosdoshme të bëhet nëpërmjet një shkolle të re. Kjo mund të fillojë si formacion specifik e universiteteve egzistuese.

Po e mbyll këtë status me një mendim mbi përfshirjen e diaspores në zhvillimin e fushës së arsimit të lartë. Përtej programit Brain Gain që përmenda më lart nuk kam qenë në dijeni të ndonjë inisiative në këtë drejtim. Ndërkohë mjafton të shohim praktikat e vendeve të tjerë. Universitetet kineze, në sajë të një politikë inkurajimi nga qeveria, i japin një vend të vecantë profesoreve kineze në pozicion profesori në universitetet jashtë vendit. Është fjala për të ofruar poste pune me kohë të pjesshme kryesisht me qëllim drejtimin e doktoraturave dhe ngritjen e nivelit të kërkimit shkencor. Të shumtë janë kolegët franko-kineze që janë të atashuar në një universitet francez dhe kinez njëkohësisht. Kjo praktikë ka egzistuar dhe për diasporen polake në vitet 90 dhe fillimi i 2000.

 

Si fjalë e mbylljes, është e qartë që në Shqipëri ka një potencial fantastik studentor që nuk shfrytëzohet siç duhet. Na takon të gjithëve të ndihmojmë për një formim cilësor në shërbim të të rinjve, duke i bërë kështu një shërbim të çmuar të ardhmes së vendit.