Për 15 vjet “Kurum” ka helmuar gjithçka në Elbasan; ja rastet konkrete!

    594
    Kompania turke “Kurum” e cila ka mbi 15 vjet që operon në ish-uzinat e Kombinatit Metalurgjik Elbasan, duke shkrirë çdo ditë tonelata me hekurishte të ardhura nga Maqedonia, Kosova, Bullgaria, Mali Zi, e deri nga Serbia, po helmon gjithçka. Tokën, ajrin, lumin, pyjet, rrugët, pemët, të mbjellat, bagëtitë, pulat, lopët, dhe mbi të gjitha jetën e banorëve të zonave ku punon si Bradasheshin, Shijonin, Kusarthin, Katundin e Ri, dhe deri ata të Elbasanit. Mjekët e Ambulancës Qendrore, Spitaleve dhe Qendrave Shëndetësore japin alarmin dhe habiten nga neglizhenca e institucioneve vendore dhe atyre qendrore. Marsela M. mjeke infeksioniste në Ambulancën Qendrore Elbasan tha për “Telegraf” se “ndotja është alarmante, Elbasani nuk duhet të heshtë, qytetarët e zonave rreth “Kurum” dhe elbasanasit duhet të ngrihen në protesta, duhet ti thonë PO jetës dhe jo ndotjes, e cila po helmon çdo gjë, kam 21 vjet mjeke këtu dhe prej 15 vitesh unë kam mbi 62 mijë raste me infeksione të rënda të regjistruara, nga ish-punonjësit e uzinës çelikut e deri tek banorët, ku moshës mbi 65 vjeç u ka marrë shpesh edhe jetën”. Mjekja tjetër Merita gjinekologe tha se “kemi pasur raste nga më skandalozet, si raste kur nëna dhe fëmija vijnë me probleme serioze, ose kur gjatë vizitës ne kemi konstatuar deformime të foshnjave madje edhe në organet gjenitale, organet e tjera jetësore, kryesisht tek nëna nga zonat ku ndotja e “Kurum”, shtrihet masivisht, apo edhe grave nga Elbasani, kryesisht periferisë ku tymrat dhe gazrat prekin qytetin”. Por edhe doktor Nesimi kardiolog në Spitalin Rajonal Elbasan shprehet se “mbi 800 raste me goditje kardiake kemi pasur vetëm nga janari deri sot në Spital dhe Ambulancën Qendrore, faktor ndihmës është stresi, por dominant ndotja madje kemi raste kronike edhe nga moshat mbi 30 vjeç, punonjës të uzinave të ish-Kombinatit Metalurgjik, dhe banorë të atyre zonave”. Desdemona mjeke dermatologe u shpreh se “në arkivin tim, mbi 90 për qind e zënë personat dhe rastet kur ato kanë origjinë nga ndotja e gazrave dhe tymrave të “Kurum”, si mukozat sipërfaqësore, psoriaza, myku lëkurës, dhe llojet e tjera të infeksioneve të cilat merren nga smogu i gazrave të metaleve, dhe helmeve që derdhen pa kontroll në atmosferë”. Por në Spitalin Obstetrikë-Gjinekologjik Elbasan u njohëm edhe me një rast skandaloz,(ndër 280 rastet e tjera në 2-3 vitet e fundit), krejtësisht të padëgjuar ndonjëherë për stafin mjekësor, dhe që fajtor natyrisht ishte dhe mbetet “Kurum”, gazrat dhe helmet që ai lëshon në fshatrat dhe krejt zonën e Elbasanit. Një grua e re, pak kohë më parë (emri të cilës mbahet sekret) ka pësuar gjendje shoku në maternitet pasi ka mësuar se fëmija që ajo priste të nxirrte në jetë ishte pa kokë. Gruaja e re ishte nga fshati Shijon i Bradasheshit vetëm 2 km larg uzinave të “Kurum”, pranë ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan. Duke mos u bindur për EKO-n e bërë disa herë edhe madje edhe tek doktori i njohur S. Dylgjeri, gruaja e re e shoqëruar nga familjarë të saj, ka marrë me urgjencë rrugën drejt Tiranës, por edhe atje i japin të njëjtën përgjigje. Sipas mjekëve, gruaja e re që priste të bëhej nënë, kishte në barkun e saj një fëmije me probleme fatale. Ajo ishte 7 muajsh, kurse EKO edhe në Tiranë ka evidentuar faktin se “fëmija merrte frymë normalisht në barkun e nënës, zemra funksionon në mënyrë optimale, kurse i mungon plotësisht koka”. Pjesëtarët e ekipit të shokuar nga rasti, dhe ekipi përkujdesjes ndaj nënës dhe fëmijës, kanë shprehur habi të thellë, kur janë përballur me këtë fakt, dhe pohuan se e kanë pasur shumë të vështirë që t’ia tregojnë gruas së re, e cila priste të sillte në jetë fëmijën e parë, me një handikap të tillë. Gruaja nga Shijoni vinte për herë të parë të kryente një konsultë dhe një EKO, dhe nëse ajo do të ishte paraqitur për të bërë një kontroll në maternitet në muajin e tretë, mund të realizohej një operacion për dështimin, por në kushtet e saj kur ndërhyrje ishte e pamundur, dhe fëmija pësoi fatin tragjik. Si këto raste në fshatrat rreth ish-Kombinatit Metalurgjik ka me qindra, si në Shijon, Kusarth, Bradashesh, Katundi Ri, madje edhe në Fushë-Mbret e Elbasan. Specialistët e mjedisit, si dhe mjekë onkologë në Elbasan dhe Tiranë, kanë evidentuar faktin se ndotja nga Metalurgjiku, i cili momentalisht, në pjesën kryesore të tij menaxhohet nga “Kurum”, sjell probleme të shumta për njerëzit që banojnë përreth zonës. Lindje të tilla, disa herë janë evidentuar në Elbasan, por ato haseshin më shumë te kafshët dhe shpezët shtëpiake. Mjekët kanë pohuar hapur, se pasojat e ndotjes nga “Kurum” nuk janë akute por efektet e shfaqen më pas, duke shkaktuar probleme serioze për jetën e banorëve veçanërisht të punëtorëve atje.
    Intelektualët e Elbasanit të gjithë kundër “Kurum”
    Edhe intelektualët dhe qytetarët të Elbasanit janë kundër ndotjes së “Kurum”. Të gjithë banorët e zonave dhe ata në Elbasan shprehen se “Kurum” është një ndër shkaktarët kryesor të nivelit të lartë të ndotjes. Qytetarët kritikojnë pushtetin e qendror e lokal, madje pohojnë se edhe media duhej të kishe bërë më shumë për këtë problem, pasi ndër vite kompania “Kurum”, por edhe kompani të tjera i kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme këtij qytetit dhe banorëve. Bardhyl Narazani, një intelektual i njohur në këtë qytet deklaroi për “Telegraf” se “ vazhdimisht kam kërkuar përmes mediave dhe organeve të pushtetit vendor nga Bashkia dhe deri tek Prefektura të ngrenë zërin e tyre për mjedisin dhe jetën e qytetarëve, niveli i lartë i ndotjes në këtë qytet është i paprecedentë, dhe unë kam bërë dhe do të bëj fajtor edhe pushtetin qendror e lokal, dhe se çështja duhet të zgjidhet përmes Gjykatës, madje edhe në Gjykatën e Hagës, pasi organet tona të drejtësisë mbeten të varura politikisht dhe të kompromentuara”. Edhe qytetarët e thjeshtë të Elbasanit janë të mendimit se gjobat karshi ndotësve të mëdhenj të mjedisit duhet të jenë drastike. Qytetarët bëjnë apel Bashkisë, Prefekturës, Ministrisë Mjedisit, dhe Kryeministrit Rama që zëri i tyre të mos bjere në vesh të shurdhët, pasi janë ata që i vuajnë pasojat më të rënda nga ndotja që shkakton 
    box
    “Kurum”
    Statistika nga Ambulancat dhe Spitalet
    Nga viti 2005 deri 2015, persona të sëmurë nga rrugët e frymëmarrjes gjithsej 17.575
    Nga viti 2005 deri 2015 persona të sëmurë nga infeksionet dermatologjike gjithsej 22.210
    Nga viti 2005 deri 2015 persona të sëmurë nga problemet kardiake gjithsej 19.570 kryesisht të rinj mosha 27 deri 47 vjeç
    Nga viti 2005 deri 2015 persona të prekur nga sëmundjet profesionale – shkaktari ndotja e gazrave të metaleve të shkrira gjithsej 14.300 
    Nga viti 2005 deri 2015 persona të prekur nga alergjitë, gjithsej mbi 26.000, numri tyre vjen në rritje nga fshatrat dhe Elbasani.
    Nga viti 2005 deri 2015 gra dhe vajza të sëmura me shtatëzani të dështuar gjithsej 2850
    Nga viti 2005 deri 2015, fëmijë të lindur me probleme mendore, fizike, gjithsej 610
    Ndotja e ajrit sipas matjeve të 2 muajve të fundit- 15 herë më e lartë se normalja e lejuar (Ministria e Mjedisit dhe Shoqata për Mjedis të Pastër Elbasan) 
    Sigal