Patetikët e lodhën Shqipërinë

664
Sigal

Vangjush Saro

Ç’njerëz jemi ne, që shkojmë pas bujës dhe në realitet nuk sjellim asgjë të mbarë; që përcjellim (vetëm) me llafe të bukura përvjetorë të rëndësishëm; që se kemi për gjë të bëjmë zhurmë e të shpikim sherre orë e çast, me dhe pa arsye; që ‘mobilizohemi’ kur e do Partia (jetë e mot) pa le e kemi drejt a shtrembër!… Patetizmi ka mbërthyer botën herët, tash edhe më shumë; nuk ka se si të shpëtojmë ne që jemi të prirur për bërtitje e kanosje, për lëvdata e gënjeshtra. Kur them ne, kam parasysh kategorinë e patetikëve dhe historinë me patetikë. Nuk preferoj të shpjegoj termin, që këto ditë po përdoret shumë, se nuk i kam fyer asnjëherë lexuesit e nderuar; por mund të them, me modesti, se kam shkruar herët në këtë temë dhe jam përpjekur të tregoj se asnjë lloj teprimi, në ton, në sjellje e në gjeste, nuk shton ndonjë vlerë, nëse ne jemi në hall.

(“Kodi i vjetër i patetizmit”/“Telegraf”, 2014). Patetizmi ynë ka rrënjë të forta, të vjetra, të vaditura mirë në kohën e Socializmit, kur fjalët rrinin mbi realitetin; jo më pak në këto dekada tranzicioni, kur vuajtja (njëfarësoj ajo) ka marrë tjetër formë… Patetizmi mbërthen të mëdhenj e të vegjël, të njohur e të panjohur, politikën, historinë, gjuhësinë, letrat, sheshet…Ai mbërthen disa herë (disa herë?) Fatos Lubonjën, kur shikon ëndrra me revolucione; mbërthen ndonjëherë (ndonjëherë?) Mustafa Nanon, kur nxiton t’u zërë vendin historianëve a biografëve të Skënderbeut ose kur sulmon moderatoret që punojnë gjysmë zhveshur; (dhe me ç’rast, nuk e ka edhe aq keq, se në ca TV e kanë tepruar vërtet ata apo ato, për të cilët Balzaku thoshte: “Demoni i luksit e kafshoi në zemër.” Kurse Fishta: “Tash n'”smoking”, tash në “bon-jour”/ ju, që dje s’kishit as ushkur.”) Ani. Le të qëndrojmë te patetizmi, që s’na shqitet. Nga e kemi dhuratë patetizmin? Patetizëm, siç thashë në krye, prodhon çdo shoqëri, çdo politikë e çdo interes; ne jemi një fabrikë rrangallë, por që punon pareshtur në këtë lëmë, politika shqiptare më së pari. Patetizmi pra, vjen nga lart; por mund të imponohet edhe nga poshtë, në varësi të rrethanave. Sidoqoftë, ai zakonisht ‘formulohet’ gjithnjë atje lart. P. sh., këto kohë, një pjesë e madhe e qytetarëve, posaçërisht ata me bindje të majta, treguan se nuk e duan apo ishin kundër nderimeve për një figurë të njohur të historisë e kulturës, si Mid’hat Frashëri; për javë të tëra, patetizmi hodhi shi e breshër në Tiranë.

Unë, si njeri modest dhe që gjithnjë mëton të mësojë e të dijë më shumë, do ta shtroja çështjen në një plan krejt tjetër: Kush duhej të kujdesej për rivarrimin e eshtrave të tij, kujt i takon me protokoll? Me sa kam lexuar dhe me sa kuptova nga ajo polemikë, vij në përfundimin se punë të tilla, detyra, role të tilla, le t’i cilësojmë këto sa më qartë, i takojnë Presidentit të vendit, ashtu si e thotë ligji, që ai të qaset në ndërmarrje të vështira, por të pashmangshme, si bashkimi i shqiptarëve, pajtimi historik e… kombëtar i tyre. Mirëpo në këtë rast, gjithnjë opinion im, i mbështetur në çfarë kam lexuar e parë edhe sa i takon episodit, Edi Rama, Kryeministri, Kryetari i Partisë Socialiste, u nxitua. Pse? Iu ‘dogj barku’ për Mid’hatin, për Ballin Kombëtar, për… bashkimin e shqiptarëve? Jo. Ai e bëri këtë për të përfituar politikisht, si një individ që (vini veshin) shikon larg, është i gjerë, ka fuqinë e Zotit për të bashkuar shqiptarët… Kjo sjellje patetike apo kjo ‘lojë’ u përsërit disa ditë më parë edhe gjatë vizitës së tij në Kosovë. Në këtë rast, mendoj, qofsha i gabuar, individi, Kryeministri, Kryetari i Partisë Socialiste, punon për emrin e tij… Dhe thjesht, jemi në patetizëm. Do të preferoja disa referime me këtë rast; ja një prej tyre: “Ne nuk kemi nevojë për nacionalizëm. Ne kemi nevojë për një udhëheqje të mençur dhe të kujdesshme.” (Erik Margolis) Patetizmi shkon e vjen, në kohë e në rrethana ku shumëkush gjendet për të bërë emër pak më shumë apo për të përfituar pak më shumë. E kam nënvizuar në disa shkrime, janë një sërë që kanë marrë përsipër të baltosin dekada të tëra jete e pune të Shqipërisë së shkretë, duke ia ‘rivizatuar’ tablotë dhjetëfish më të errëta nga sa i ka pasur; këta janë të bindur se po ftillojnë qytetarët shqiptarë për të shkuarën, kur me të vërtetë një pjesë jo e vogël e shqiptarëve, për hiç gjë dënoheshin, burgoseshin dhe internoheshin nëpër skërka. Por është për t’u habitur; assesi nuk e ngrenë zërin ata apo pasardhësit e tyre më shumë se sa… patetikët e Tiranës, ndonjëherë edhe ish-komunistë. Mendoj se nuk e kemi luksin të fshehim e të fshihemi… “Historia na mëson se njerëzit dhe qeveritë nuk kanë mësuar kurrë asgjë nga historia.”(Hegel). Por ndërkaq, nuk bën të jemi patetikë në tema që ekspertët mund t’i ofrojnë si duhet, sepse me patetizëm po i bëjmë shërbimin më të keq vendit, veças brezave të rinj a në rritje. Nuk kam për ta kuptuar kurrë (mbase ndodh ngaqë ka fonde për midis) se çfarë e inspiron ngritjen në kult të së keqes, paraqitjen në mënyrë të deformuar e plot ekstremitete të jetës në një kohë të njohur tashmë si rend tjetër e si përvojë shumë problematike.

Por një gjë është e qartë; patetikët ngatërrohen në rrjetat e kohës në kërkim të ndonjë përfitimi material. Biseda me ta, është shumë e vështirë; por e kemi detyrë e bindje të apelojmë për më shumë drejtpeshim dhe mirëkuptim. (“Mos e shiko të shkuarën me tërbim apo të ardhmen me ankth, por shiko përreth me kujdes.” Xhejms Thurber) Patetizmin e kemi ngado që të hedhim sytë. Për vetë natyrën e shqiptarit, që po hipi në gardh nuk zbret, nuk zbret kungulli, or jo, pa e këputur që ta bësh supë, por edhe për t’i kufizuar mundësitë e të qenit në pushtet, shanset e përfitimit pa fund nga të mirat që të sjell pushteti, nga dalldia në të cilën ai të përhumb, saqë harron për çka je aty, vetë ligji i zgjedhjeve dhe i mandatit të të zgjedhurve, që ta mbyllim këtë frazë, se zgjati shumë siç thotë i madhi Samuel Beket, ai pra, ligji, duhet ndryshuar, korrigjuar. Po pse, dëgjojnë patetikët? Sahati dymbëdhjetë gjithnjë. Por… tre mandate resht në Kuvend, në mos katër a pesë, a nuk duket si njëlloj talljeje me qytetarët e mjerë dhe me intelektualët e urtë? Kur nuk kanë çfarë të thonë më, njerëzit bëhen patetikë; bërtasin, mburren, ngulin këmbë, shtyjnë me këmbë të tjerët…Burra kashte, që rrinë aty ngase kanë bërë para, dreqi e di si… Po kush është kaq i mirë, kaq tolerant, sa për ta përcjellë me qetësi poshtëruese këtë patetizëm?!…Iu drejtohem lexuesve si miqve të mi: Dukurinë vështirë ta dobësosh artificialisht; është çështje kohe dhe përparimi; dhe ne do të bëjmë përpara dalëngadalë, duhet të shpresojmë dhe të punojmë për këtë. Sa për individët dhe institucionet, entet (zyrat, TV-të dhe mediat e tjera në këtë rast) mund t’i braktisësh, mund të mos i paguash, mund të mos i ndjekësh, mund të mos i votosh. Gjithsesi, kjo ‘botë’ bezdie dhe trishtimi lëviz e gjitha si një e vetme, përmes kompromisesh, shpresash e besimi se… nuk kemi zënë Perëndinë me gurë.(Apo e kemi zënë?)