Organizata e dëshmorëve në Vlorë, e revoltuar/ Bernard Zotaj: Diskriminimi i familjeve të dëshmorëve të LANÇ, heqja e emrave të heronjve nga rrugët dhe institucionet duke u zëvendësuar me kolaboracionistët

898
Sigal

Qeveria lë pa shpërblim dhe përkrahje pasardhësit e dëshmorëve të rënë në Luftë

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Dëshmorë në memorien e historisë kombëtare

Dëshmorët janë ata që na bashkojnë të gjithëve, pasi luftuan për një ideal të shenjtë dhe ndonëse vijnë nga të gjitha krahinat shqiptare, u përkasin të gjitha rrymave politike, qëllimi i vetëm i të cilëve ishte për një atdhe të denjë e të pavarur, e që kombi të ishte dhe të jetë pjesë e bashkësisë euro-atlantike dhe ndërkombëtare, në paqe dhe siguri me fqinjët e vet. Dëshmorët kanë dhënë jetën për atdheun, për një ideal të pastër, prandaj edhe mirënjohja për gjakun e derdhur është nderim në përjetësi. Dëshmorët nuk janë vetëm numra e shifra, vlera e tyre është hyjnore, respekti e mirënjohja është kujtimi.

Dëshmorët nuk janë vetëm emra, simbole, lapidarë e memorialë, por vlera të spikatura kombëtare gjithmonë në nderim. Ata janë pasuri e kombit dhe trashëgimia e ndërgjegjes kombëtare, vlera dhe virtyti reale i familjeve shqiptare, materie e ndërgjegjes së kombit që lidhin të djeshmen me të sotmen. Skënderbeu ishte prijës i parë i dëshmorëve, ishte frymëzim i fitoreve, një komandant që meritoi titullin “Kalorësi i Krishterimit” në Evropë. Martirët e ushtrisë së Skënderbeut mbrojtën vendin dhe qytetërimin evropian.

Qindra e mijëra luftëtarë të tij derdhën gjakun dhe ngelen dëshmorë anonimë duke u njësur me epokën e prijësit legjendar në të 32 betejat e epokës skënderbejane. Në hapësirën shqiptare në vitet 1771-1822 u bënë të njohura ushtritë e Pashallëqeve të Mëdha. Në masakrën e Manastirit të gushtit të vitit 1830 kanë derdhur gjakun më shumë se 1200 shqiptarë, vetëm se kërkonin të ishin të lirë nga pushtuesit osmanë. Në kryengritjet kundra Tanzimatit, në luftërat kundër malazezëve, më 1852 shqiptarët u përballën fuqimisht me pushtuesin.

Dëshmorë të kryengritjeve shqiptare

Në kryengritjet kundra Tanzimatit shënohen dëshmorët e parë të dokumentuar dhe të shpallur me akt juridik. Kështu dëshmori i parë i dokumentuar është Maro Kondi, i qarkut të Vlorës e hedhur në greminë duke rrëmbyer me litar edhe një skuadër pushtuesish që ndiqnin luftëtarët e lirisë në vitin 1847. Në historinë e shqiptarëve është bërë shumë e njohur Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881), e cila me veprimtarinë e saj u përpoq të ruante tërësinë tokësore të Shqipërisë nga synimet e fqinjëve agresivë serb e malazez dhe atyre jugorë dhe të fitonte mëvetësinë nga osmanët.

Janë të shumtë dëshmorët e rënë nga radhët e luftëtarëve të Lidhjes, veçanërisht në Plavë e Guci, Hot e Grudë, në Ulqin dhe në të gjithë hapësirën shqiptare. Edhe Lidhja “Besa-Besë!” e Pejës, e vitit 1899, shprehu vendosmërinë e shqiptarëve për të përballuar me forca ushtarake e vullnetare çdo orvatje për copëtimin e trojeve shqiptare nga monarkitë ballkanike. Me qindra e qindra dëshmorë pati në të katër anët e hapësirës shqiptare dhe veçanërisht në vitet 1908-1912. Parë me një vështrim gjithë shqiptar shikohet se zonat kufitare me fqinjët u bënë arenë e përgjakjes gjithmonë në kërkim të së së drejtës së mohuar për shtetin e tyre.

Në beteja të shumta nga Veriu dhe në Jug gjaku i shqiptarëve u derdh përballë armiqve të shumtë. Faza përmbyllëse dhe finalizuese e përpjekjes së pareshtur shqiptare erdhi me Kuvendin Historik të shpalljes së Pavarësisë, në Vlorë më 28 nëntor 1912, nga Ismail Qemali. Me shpalljen e Pavarësisë, Besëlidhja Shqiptare kreu një akt të rëndësishëm historik, jetik për popullin shqiptar që kurorëzonte luftërat shekullore të tij për lirinë dhe tërësinë territoriale të Atdheut. Gjaku i dëshmorëve i derdhur në shekuj kishte dhënë tashmë ishte kurorëzuar me bërjen e shtetit shqiptar.

Kështu më 1913 u krye masakra në Çamëri që shfarosën shtatëdhjetë e dy krerë të elitës intelektuale e patriote çame, të cilët janë dëshmorë të pashkruar. Kongresi i Kongresit të Lushnjes, në 1920, i cili ju përgjigj situatës me vendosmërinë se “shqiptarët dinë të vdesin për të mos shkuar nga njëra dorë te tjetra si tufë delesh e të bëhen plaçkë e atyre që drejtojnë sot diplomacinë e Evropës”. Pak muaj më vonë një përballje e re u realizua për Vlorën e Flamurit nga 5 qershor-3 shtator 1920. Gjatë luftimeve për marrjen e Vlorës, krisma e pushkëve të saj u dëgjua deri në kanceleritë evropiane, dhe kjo luftë pati mbi 150 dëshmorë.

Përjetësimi i dëshmorëve

Me pushtimin fashist të Shqipërisë më 7 prill 1939, ranë përsëri me dhjetëra dëshmorë si në Vlorë, Durrës, Sarandë e Shëngjin. Më pas në vend lindën dhe nisen të vepronin si reaksion ndaj pushtuesit, forca luftarake të armatosura, që u përkisnin organizatave të ndryshme të botës politike shqiptar siç ishin LANÇ-i që u krijua dhe veproi nën drejtimin e PKSH-së. Dëshmorë të tjerë ranë në kohën e socializmit, për mbrojtjen e kufijve, si dhe në punë e sipër për mbrojtjen e pronës dhe për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Të tjerë dëshmorë ranë në kohën e demokracisë, për mbrojtjen e pronës, të dinjitetit dhe të vlerave demokratikë. Pasuria dokumentare presupozon çfarëdolloj kontributi për evidentimin dhe nxjerrjen në dritë të dëshmorët në të gjitha epokat. Vite më parë nisi botimi i librin “Yjet e pashuar”, për të përjetësuar veprën e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dëshmorët janë njerëz të nderuar e respektuar, që janë përjetësuar në panteonin memorial, që bashkëshoqëron të rënët në shekuj. Përjetësimi i emrave të dëshmorëve në bulevarde, rrugë, sheshe, shkolla, kopshte, lagje etj., përjetësimi në buste e memorialë, në libra, filma, piktura, skulptura etj., gdhendja e veprimtarisë së dëshmorëve në kujtesën e popullit është nderim për kombin, është respektim të vlerave të identitetit kombëtar. Pikërisht në zemër të kryeqytetit në Tiranë, bulevardi kryesor i qytetit mban emrin “Dëshmorët e Kombit”. Në vendet më të dukshme e më të bukura janë vendprehjet e dëshmorëve, vendprehjet që kanë zgjedhur shqiptarët për nderuar dëshmorët, këtë vlerë të përhershme të kombit.

Organizata e Dëshmorëve në Vlorë e revoltuar

Ditë më parë organizata e dëshmorëve në Vlorë u njoh dhe diskutoi për Ligjin nr. 109/2018 “Për statusin e dëshmorit të Atdheut”, të miratuar nga Kuvendi Popullor dhe të shpallur në fletoren zyrtare. Kryetarja e organizatës së dëshmorëve të Vlorës, Rezmie Ruçi dhe të gjithë anëtarët e kryesisë që diskutuan ishin të indinjuar dhe të revoltuar me ligjin e miratuar nga Kuvendi Popullor, i cili nuk u njeh të drejtën e vlerësimit të shpërblimit bijve dhe bijave të dëshmorëve të rënë në Luftë. Shumë prej tyre baballarët i lanë në bark të nënës dhe të mitur e sot janë mbi 80 vjeç, por që nuk e gëzojnë më të drejtë të tyre të mohuar nga qeveria shqiptare.

Me gjithë premtimet e bërë në vijimësi, përsëri edhe parlamenti i popullit, këtë të drejtë, jua mohoi, edhe pse këmbëngulën Organizata e Dëshmorëve dhe Komiteti Kombëtar i Veteranëve të LANÇ-it. Ndaj dhe organizata e dëshmorëve është e revoltuar… Emra të dëshmorëve janë hequr nga rrugë dhe institucione nga këshilli bashkia, duke prekur zemrat dhe ndjenjat e familjeve të dëshmorëve. Nuk është serioze që pa konsultime dhe shpjegime, bashkia “vret e pret” majtas e djathtas. Vite më parë rruga Vlorë-Skelë mbante emrin e dëshmorit Sadik Zotaj, u hoq, dhe pse ky emër ishte vendosur që në vitin 1947, nuk pati asnjë konsultim me pjesëtarët e familjes. Edhe pse bashkia ja hoqi emrin, përsëri dhe sot kjo rrugë vazhdon të “quhet dhe shkruhet” në faqet zyrtare të institucioneve dhe të objekteve sociale.

Organizata e dëshmorëve në Vlorë, ka bërë evidentimin e saktë të dëshmorëve në të gjitha periudhat e historisë, përsëri nga pushteti nuk tregohet vëmendje për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e varrezave, për rivarrimin e dëshmorëve që janë jashtë varrezave, për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe ngritjen e pllakave përkujtimore, të lapidarëve, të busteve dhe të shenjave të tjera, për të cilat, sipas ligjit duhet të ishin të rregulluara dhe të sistemuara. Në vitin 2019 që është dhe 75 vjetori i çlirimit të Atdheut, shumë nga bijtë e tij ranë në vitin 1944, përkujtimet janë të vakëta dhe pushteti lokal nuk tregon interesimin e duhur, gjithmonë del përpara shprehja “për mungesë fondesh”.